E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e Maturës, paratestim për maturantët para përfundimit të shkollës



Jonida Tashi

Maturantët, para provimeve përfundimtare të Maturës, do t’i nënshtrohen një paratestimi të detyrueshëm. Specialistët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), që po punojnë për zhvillimin e paratestimit, shpjegojnë se kryerja e këtij testimi, do të bëhet si një provim i përafërt me ato të Maturës. Për këtë, specialistë të AVA-s, kanë nisur hartimin e testeve të paratestimit, nëpërmjet të cilëve do të bëhet testimi i maturantëve. Ky lloj testi, do të jetë një mënyrë efikase pilotimi për mësuesit dhe nxënësit, të cilët do të kenë mundësi që të testojnë veten, lidhur me vështirësinë e provimit. Sipas specialistëve, nëse ky paratestim zhvillohet saktë nga ana shkencore (gjë që Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve (AVA) është e specializuar për ta kryer), do të ndikojë shumë pozitivisht për nxënësit dhe arritjet e tyre. Mbi bazën e rezultateve të nxjerra nga provimet paratestuese, specialistët e AVA-s do të përcaktojnë edhe formën përfundimtare të testeve të Maturës.
Paratestimi
Gjatë punës për përgatitjen e nxënësve për provimet e Maturës Shtetërore është e rëndësishme që herë pas here mësuesi të zhvillojë testime të nxënësve të tij me teste që mund t’i hartojë vetë. Në hartimin e testeve duhet mbajtur parasysh pesha për çdo linjë të përmbajtjes si dhe përfshirja e kërkesave të tri niveleve të vështirësisë në raportet 2:2:1 (duke filluar prej nivelit më të ulët të përcaktuar). Kërkesat duhet të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë e me shtjellim të argumentuar. Duke ndjekur me vëmendje mundësitë reale të nxënësve, ai duhet të përqendrohet në ushtrime të lehta, por të larmishme, që favorizojnë përvetësimin jomekanik të koncepteve dhe zotërimin e shkathtësive e shprehive të domosdoshme, kjo pasi provimet janë të ndërthurura me alternativa dhe zhvillim.
Fondi
Specialistët e AVA-s kanë përcaktuar edhe fondin e pyetjeve prej të cilave do të përzgjidhet teza përfundimtare për secilin provim të Maturës. Fillimisht do të nisë puna për hartimin e testeve që do jenë për dy provimet e detyruara, ku dhe për këtë vit një numër i caktuar specialistësh do të ngujohen në AVA për të formësuar modelin përfundimtar të tezës së provimit. Sipas rregullores së përcaktuar, çdo grup lëndor harton fondin e kërkesave të testeve bazuar në matricën e specifikimeve të hartuar nga specialisti lëndor, ky fond është sa dhjetëfishi i kërkesave që do të përmbajë testi. Për provimet e këtij viti do të jetë një fond gjigant me rreth 1750 pyetje, nga të cilat hartuesit në marrëveshje me njëri-tjetrin do të marrin pyetjet më të përshtatshme për maturantët. Përzgjedhja e këtyre pyetjeve do të bazohet në nivelet e vështirësive, duke filluar nga pyetjet më të lehta deri tek ato më të vështirat për nxënësit më të mirë. Ndërsa përzgjedhja e testit të lëndës do të bëhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, që emërtohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit (KOEPS) brenda ambienteve të izoluara të AVA-së. Pyetjet që do të përmbajë teza përfundimtare do të hartohen një javë para datës së zhvillimit të provimit.

Provimet me detyrim, zhvillimi dhe kohëzgjatja

Zhvillimi i provimeve të detyruara të Maturës do të nisë më datën 2 qershor dhe 11 qershor për lëndën e dytë. Pas marrjes së notave kaluese në këto provime, maturantët duhet të japin provimet me zgjedhje, që do të zhvillohen në një ditë të vetme në të gjitha shkollat e vendit, përkatësisht më 10 korrik. Si për lëndët me detyrim, ashtu dhe për ato me zgjedhje pyetjet me zhvillim do të zënë peshën kryesore. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta, ndërsa për lëndët me zgjedhje do jetë 4 orë. Testi i provimeve për secilin provim të detyruar (matematikë dhe gjuhë-letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative dhe 12 pyetje me zhvillim. Ndërkohë që testet e provimeve me zgjedhje të maturës shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim.

Provimet me zgjedhje, 80 për qind e pyetjeve nga programet orientuese

Për pranimet në vitin e ardhshëm akademik janë përcaktuar lëndët me zgjedhje që do të jepen provim nga maturantët e që janë 12 në total, përkatësisht: Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, Njohuri për ekonominë, Filozofi, Gjuhë angleze, Gjuhë frënge, Gjuhë italiane, Gjuhë gjermane dhe Gjuhë spanjolle. Për secilën nga lëndët e mësipërme janë shpërndarë nëpër shkollat programet orientuese, në të cilën përcaktohen temat që kandidatët për universitete duhet të mësojnë për të siguruar pikët maksimale në testim. Specialistët që janë marrë me hartimin e këtyre programeve pohojnë se rreth 60 deri në 80 për qind e pyetjeve të tezës së provimit do të merren nga këto programe që anë përgatitur për të gjitha shkollat e mesme të ndara sipas profileve përkatëse. Përgatitja e këtyre tezave do të realizohet nga ekspertë të fushës, që tashmë janë përzgjedhur nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve.

Provimet përfundimtare për arsimin profesional

Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare do të jenë: formimi teorik profesional si dhe formimi praktik profesional. Në udhëzim specifikohet se përveç dy provimeve të Maturës, Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi, tezat e provimeve për nxënësit e profesionaleve do të përgatiten nga vetë shkollat dhe jo nga AVA-ja, siç ndodh me provimet e tjera të Maturës. Gjithashtu, për këtë profil shkollash është vendosur që datat e zhvillimit të testimit do të përcaktohen nga vetë drejtoritë e shkollave brenda harkut kohor të përcaktuar. Ndërsa nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave socialkulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, ka të drejtë t’i japë ato provime klase me gojë në sesionin vjeshtës.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›