E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat për studentët, fakultetet kundër sanksioneve të Ministrisë së Brendshme



Jonida Tashi

Dekanët e fakulteteve, kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Brendshme për të ndëshkuar studentët që nuk pajisen me kartë identiteti. Megjithëse drejtuesit e fakulteteve të Universitetit të Tiranës mbështesin thirrjen e ministrit të Arsimit, Fatos Beja, që studentët pa pasaportë të aplikojnë deri më datën 1 maj për kartë, ata nuk pajtohen me sanksionet e vendosura nga Ministria e Brendshme. Sipas kësaj të fundit, studentët që nuk do të aplikojnë për kartë identiteti brenda datës 1 maj, nuk do të lejohen të marrin pjesë në sezonin e provimeve.
Reagimi
Sipas dekanit të Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, ende nuk ka mbërritur një shkresë zyrtare në fakultet për këto sanksione ndaj studentëve. “Kjo nuk është e drejtë. Futja ose mosfutja në provime, nuk e dimë nëse pajtohen me të drejtën e pasjes apo mospasjes së kartës së identitetit, por detyrimi qytetar për të pasur një kartë identiteti me të cilën duhet votuar në mungesë të një pasaporte, është detyrim legjitim dhe unë pajtohem me këtë thirrje të ministrit të Arsimit, po jo me faktin që të penalizohen me humbjen e vitit akademik”, - shprehet Shezai Rrokaj. Ndërkohë një tjetër problem që ngrihet nga dekani Rrokaj është fakti se ku do të votojnë studentët, në vendet ku ata studiojnë, apo në vendlindjet e tyre. “Ne kemi përcaktuar dhe strukturën e vitit, në të cilën përcaktohet dhe sezoni i provimeve. Janë gjëra që janë parashikuar dhe më parë dhe nuk e di se si do të zgjidhet problemi i faktit nëse studentët do të votojnë këtu apo në vendbanimet e tyre”, - pohon Rrokaj. Megjithëse aktualisht janë përcaktuar listat paraprake të zgjedhësve, ende nuk janë marrë masa konkrete se ku do të votojnë studentët.
Thirrja
Ndërsa fakultet renditen përkrah studentëve, Ministria e Arsimit vazhdon të apelojë për pajisjen e studentëve me kartë identiteti. Ditën e djeshme, MASH-i ka ripërsëritur thirrjen e bërë para tri ditësh, që të gjithë studentët pa pasaportë të aplikojnë për kartat e identitetit deri më datë 1 maj. Sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, për këta studentë çmimi i kartës shkon në 200 lekë. Nëpërmjet kartës së identitetit, studentët do të kenë mundësi që ta përdorin atë si një dokument identifikues për të kryer të gjitha procedurat në universitetet që ata kryejnë studimet. Ministria e Brendshme, në deklaratat e saj të hershme, ka bërë të ditura sanksionet, për qytetarët që nuk kanë pasaportë, të cilët kanë afat deri në 1 maj për aplikim. Sipas Ministrisë së Brendshme, studentët që aplikojnë brenda kësaj date për kartë, nuk do të pranohen në provimet e fundvitit dhe në regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës, ndërsa të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, nuk do të pranohen të marrin pjesë në konkurse apo gara të ndryshme, të organizuara nga Ministria e Arsimit.

Karta e studentit, një letër pavlerë në portofolat e të rinjve

Ndonëse kanë më shumë se dy javë që janë pajisur me kartën e studentit, deri sot, nuk kanë përfituar asgjë. Evisa Larti, studente në vitin e tretë për Gjeografi, pranë Fakultetit Histori-Filologji në Tiranë, ndihet e zhgënjyer nga mënyra se si është pritur në disa institucione publike, në momentin kur ajo u tregoi kartën. 21-vjeçarja nuk është optimiste për funksionin e kartës së studentit. Sipas saj, ky dokument do të mbetet një letër pavlerë në portofolat e të rinjve. Lidhur më këtë problem, dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj thotë se është detyrim ligjor i qeverisë të miratojë lehtësitë që duhet të përfitojnë studentët në shërbime të ndryshme publike apo private. Deri tani, Këshilli i Ministrave nuk ka marrë asnjë vendim për kartën e studentit dhe institucionet ku mund të njihet ky dokument. Për herë të parë karta u shpërnda nga Fakulteti Histori-Filologji. Përveç të dhënave të studentit, si elemente sigurie, në të janë vendosur vulat, stema e universitetit dhe fakultetit si dhe numri i regjistrit të çdo studenti.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›