Bashkia e Tiranës, rikualifikon Sheshin “Shtraus” në një shesh urban
Me një vlerë prej 24.935.760 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës është bërë rikualifikimi urban i sheshit “Shtraus”, i njohur ndryshe si “Xhamlliku”. Bashkia e Tiranës ka mundësuar shtimin e gjelbërimit dhe ndryshimin e fasadës përreth. I pranishëm në përurimin e sheshit, ka qenë edhe kryebashkiaku, Edi Rama. Rehabilitimi i tij i ofron kryeqytetit një imazh bashkëkohor dhe tërësisht të rinovuar, duke përftuar një shesh të ri urban. Pjesa qendrore e këtij sheshi do të shërbejë kryesisht për t’u dhënë mundësi banorëve të zonës të çlodhen e të kenë hapësirën e tyre të nevojshme të pushimit, ndërkohë që pjesa veri-perëndimore është konceptuar si një zonë pedonale. Dendësia e pemëve, stolat e vendosura nën hijen e tyre, do të krijojnë një oaz pushimi për banorët në ditët e nxehta të verës. Pemët dekorative (kumbull e kuqe), kanë krijuar një performancë të veçantë gjelbëruese dhe çlodhëse, që do t’i shërbejë jo vetëm komunitetit të zonës, por edhe kalimtarëve të shumtë që kalojnë në këtë pjesë të qytetit. Ndriçimi, është një detaj tjetër që i shtohet zonës, e cila mund të frekuentohet në çdo kohë. Përveç trotuareve dhe rrugëve, ai do t’i shërbejë edhe platformës së mbjellë me pemë, duke bërë që ky shesh urban të jetë po aq i gjallë edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Në pjesën pedonale janë vendosur ndriçues të ulët, të cilët e bëjnë më dekorative hapësirën rreth platformës qendrore të tij. Një nga komponentët më të rëndësishëm në projektin e rikualifikimit urban të sheshit, është dhe ndërhyrja në fasadat ekzistuese të objekteve, e cila plotëson imazhin si model të standardeve evropiane.“Jam shumë i kënaqur dhe krenar për përfundimin e këtij projekti, i cili i jep një cilësi tërësisht të re kësaj zone, u jep një pikë të re referimi të gjithë komunitetit të zonës dhe transformon edhe vlerën e të gjithë këtyre banesave, hapësirave të biznesit rreth e rrotull. Kjo është një arritje e përbashkët me të gjithë këtë komunitet dhe ky projekt është rezultat i dëgjesave publike dhe një mbajtje shënim e një kërkese të komunitetit, për të pasur këtu një nga qendrat që do të përbëjnë rrjetin e Tiranës policentrike”, -u shpreh Kryebashkiaku Rama.
15 Prill 2009