Raporti i UNICEF-it: “Fëmijët shqiptar po ‘zhdëpen’ në dru”
Jonida Tashi
Fëmijët shqiptarë, të moshës 2-14 vjeç, janë bërë “pre” jo vetëm e dhunës që ushtrohet në shtëpi, por edhe në shkolla dhe institucione. Raporti më i fundit i UNICEF-it “Analiza e Sistemit Mbrojtës të Fëmijëve në Shqipëri”, konstaton se ka një shfaqje të konsideruar të dhunës ndaj fëmijëve në vendin tonë. Sipas këtij raporti, në ambientet shtëpiake 8.3 për qind e fëmijëve nga mosha 2-14 vjeç kanë përjetuar ndëshkim fizik. Ndërsa dhuna në shkollë përbën një tregues më vete, ku në 36 për qind të rasteve dhunuesi raportohej se ishte mësuesi. Kërkimet e UNICEF-it tregojnë se edhe në institucionet rezidenciale publike dhuna është e lartë. Rreth 50 për qind e fëmijëve në këto institucione raportojnë se kanë përjetuar dhunë.
Ligji
Ligji integral për fëmijët në Shqipëri, i cili pritet të miratohet nga qeveria në qershor, do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e fëmijëve, pasi ai do të garantojë të drejtat e ligjshme të tyre si dhe do të përcaktojë institucionet përgjegjëse për këtë qëllim. UNICEF-i, në raportin e tij të fundit, argumenton se mbrojtja e fëmijëve edhe pse sanksionohet nga Ligji i Shërbimeve Sociale, Kodi i Familjes dhe ligji mbi dhunën, ka nevojë për një ligj të mirëfilltë dhe për një organ të mirëfilltë lokal me përgjegjësi specifike për fëmijët. Raporti i UNICEF-it “Analiza e Sistemit Mbrojtës të Fëmijëve në Shqipëri”, vë në dukje se pa një ligj për mbrojtjen e fëmijëve, detyrimet e organeve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve janë të pakoordinuara. Ky fakt, vlerëson UNICEF, shkakton mangësi në trajtimin e fëmijëve në rrezik, për mbrojtjen e tyre dhe trajtimin e fëmijëve në situata emergjente.
Raporti
Raporti i kësaj organizate paraqet edhe një përshkrim të situatës së mbrojtjes së fëmijëve në vendin tonë. Duke u bazuar në përkufizimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve, “mbrojtja e fëmijëve” do të thotë mbrojtje nga dhuna, shfrytëzimi dhe neglizhimi. Në prioritetet e tij globale, UNICEF-i në raport identifikon situatat në të cilat fëmijët kanë nevojë parësore për mbrojtje. Fëmijët që nuk kanë kujdestarin kryesor janë kategoria parësore, që kanë nevojë për një ligj mbrojtës. “Krahasuar me vendet e rajonit, numri i fëmijëve në kujdes të qendrave sociale është i ulët në Shqipëri”,- thuhet në raport, sipas të cilit, fëmijët me kujdes alternativ publik ose privat përbëjnë 893 vetë. Nga këta, shumica dërrmuese janë në kujdes institucional dhe vetëm 19 fëmijë në kujdesin e familjeve kujdestare. Sipas UNICEF-it, fëmijët në nevojë duhet të kenë një kujdestar kryesor, pasi ato mund të kthehen lehtë në subjekte neglizhimi. Zakonisht për fëmijët që nuk kanë kujdestarin kryesor, kujdesen ose të afërmit ose institucione sociale.
Raporti, ulet numri i fëmijëve të trafikuar
Raporti i UNICEF-it evidenton se vitet e fundit është ulur numri i fëmijëve të trafikuar në vend. Sipas UNICEF-it, që nga viti 2005 ka një rënie të dukshme të trafikimit të fëmijëve, pasi veprimet e njëpasnjëshme të ndërmarra nga qeveria, patën si rezultat ndryshimin e llojit të trafikimit. Përllogaritet që numri i rasteve të regjistruara të trafikimit, të cilët përfshijnë fëmijët dhe që janë proceduar për vitet 2002-2006, janë 14, 25, 10, 10, dhe 1 fëmijë respektivisht. Këto shifra, sipas UNICEF-it, dëshmojnë për një rënie të rëndësishme në numrin e fëmijëve të trafikuar. Zyrtarisht Shqipëria nuk është më një vend me destinacion apo vend tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore. “Si e tillë rrjedha e trafikimit tani konsiderohet përgjithësisht si një dalje nga Shqipëria”,- thuhet në raport, i cili argumenton se destinacionet e mundshme për viktimat që vijnë nga Shqipëria vazhdojnë të përfshijnë Italinë, Greqinë, Francën, Austrinë, Belgjikën, Gjermaninë, Holandën Anglinë dhe shtete të tjera ballkanike. Sipas UNICEF-it, forma e trafikimit të fëmijëve duket se po ndryshon. Për shembull, fëmijët shqiptarë në Greqi shfrytëzohen më shumë për të shitur lule, lodra, se sa të lypin apo të lajnë makinat.
15 Prill 2009