E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani Rregullues do të ndryshojë ish-uzinat, Stacionin e Trenit dhe varrezat e Tufinës



Emanuela Sako

Plani Rregullues i Tiranës përcakton ndërhyrjet e domosdoshme në disa zona duke i kthyer ato në multifunksionale. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një proces konsultimi me qytetarët e Tiranës, lidhur me Planin e Ri Rregullues të kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi planin rregullues të kryeqytetit në Njësitë Bashkiake 4,8,9 dhe 11. Prioritet do t’iu jepet objekteve me vlera historike dhe arkitektonike në pjesën e vjetër të zonave të Tiranës, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore. Pjesë e ndryshimeve në këto zona janë bërë edhe stacioni i trenit, varrezat e Tufinës, parqet kombëtarë periferikë, territori i ish-uzinave etj. Ndryshimi do të prekë edhe blloqet e banimit, të cilat do të marrin trajtën e zonave urbane edhe në pjesët e tyre të brendshme.
Plani
Ndryshimet do të prekin gjithë zonat e kryeqytetit, por më tepër prioritet plani rregullues parashikon ato ndryshime që do të ndodhin në periferitë e kryeqytetit. Kryebashkiaku Rama, ka preferuar të marrë edhe mendimin e palëve të interesit, qytetarëve, për të njohur mendimin e tyre se si duhet të jetë ndërhyrja në zona të caktuara. Në përfundimin e kësaj faze do të arrihet në një përfundim dhe më pas do të përpilohet projekti përfundimtar, i cili do të nisë të zbatohet. “Më e mira është që të gjitha njësitë vendore të luajnë si një orkestër në vendimmarrje, për të mundësuar që ato dukuri të tmerrshme që kanë ndodhur duke cenuar rëndë ekuilibrat mes jetës urbane dhe mjedisit në rrëzë Dajtit, në kodrat e Selitës apo tek Unaza e Re”,- u shpreh Rama. Ai vlerëson si të rëndësishme se Tirana duhet t’iu ngjajë qyteteve perëndimore në infrastrukturë, urbanistikë dhe mënyrën e jetesës.
Ndryshimet
Ndryshimet që do të bëhen prekin disa qendra që prej disa vitesh janë quajtur zona informale. Territori që përfshijnë njësitë bashkiake 4-8-9-11, ka 5 nënqendra shumë të rëndësishme, të cilat do të pësojnë ndryshime. Kështu, në zonën e Kodër- Kamzës do të kthehet në një kampus dhe zonë mikes që do të marrë vlera të mëdha sociale dhe urbanistike. Zona përreth pularisë, do të shërbejë edhe si pjesë e stacionit të trenit, por edhe si zonë me funksione të ndryshme. Reparti ushtarak dhe zona te Antibiotiku do të kthehet në një kampus universitar dhe zonë kërkimesh shkencore. Plani rregullues synon fuqizimin me aktivitete kulturore në Kinostudio. Po kështu, do të bëhet zgjerimi drejt veriut i varrezave të Tufinës, ku do të bëhet rezervimi i tokës. Ndërsa zonat e prodhimit do të kenë linjat e tyre urbane për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nga një zonë në tjetrën.

Plani për Njësitë Bashkiake Nr. 4-8-9-11

Në këtë territor parashikohen të krijohen 5 sub/nën - qendra të rëndësishme.

Kodër Kamza - kampus dhe zonë mikse
Josif Pashko dhe Pularia - stacion treni dhe zonë mikse
Pjesë te Stacioni i Trenit dhe Blloku i Magazinave - vijim i bulevardit, zonë polifunksionale
Kinostudio - pol kulturor e funksione mikse
Reparti ushtarak dhe zona te Antibiotiku - kampus universitar, zonë kërkimesh shkencore dhe zone mikse

Krijimi i Parkut përgjatë lumit të Tiranës
Krijimin e Parkut gjatë shinave të trenit, kalimi nëntokë i hekurudhës, për të lehtësuar lidhjen organike, midis lindjes dhe perëndimit dhe lidhjen e gjelbër midis qendrës e Parkut të Paskuqanit.
Krijimi i brezave mbrojtës të zonave ekologjikisht të ndjeshme (Mali i Dajtit, Lumi i Tiranës etj)
Lidhje e parqeve periferike (Paskuqani, Dajti), me anë të transportit publik.
Krijim i parqeve në zonat e reja për zhvillim (rreth 20-30 % e zonës, si hapësirë kompakte)
Krijimi i lidhjeve të shpejta të zonës – Promovim i transportit alternativ, ndërtimi i Unazës së Madhe, fuqizimi i transportit mbi shina: (tren, tram)
Mundësi zgjerimi të shërbimeve spitalore, akses më i lehtësuar në këto territore (zgjerim te ish Uzina “Partizani”)
Përmirësim i Kampusit ekzistues në Kamëz; Krijim i kampusit të ri në rrugën “Myslym Keta”, sëbashku me një qendër kërkimesh shkencore, laboratorë etj
Fuqizimi me aktivitete i polit kulturor ekzistues në Kinostudio
Zgjerim drejt Veriut të varrezave të Tufinës – (rezervim toke)
Përshtatje e zonave të prodhimit dhe lidhje e tyre me transportin publik
Transformim i ish - zonave industriale të degraduara, në zona me funksione mikse (ekonomi, banim, sociale etj).
Sistemim të hapësirave publike, në zonat tashmë të formuara.
Identifikim dhe vlerësim të objekteve me vlera historike, arkitektonike të zonës, përcaktimi i bonusit për këto objekte, si nxitje për të konservuar trashëgiminë kulturore.
Ristrukturim urban, hapje rrugësh të reja në brendësi të blloqeve, etj

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›