E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishi qetësinë publike duke qëlluar me armë, arrestohet 44 - vjeçari



Tiranë - Rreth orës 23:30 të dy ditëve më parë, në rrugën “Sadik Petrela”, pranë Kodrës së Priftit, nga një ndërtesë 3 katëshe pati të shtëna armësh. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore të Komisariatit Nr. 4 për të hetuar këtë ngjarje. Gjatë mbërritjes dhe marrjes së masave nga ana e forcave të policisë autori vazhdonte të qëllonte në ajër. U desh një kohë negociatash nga ana e policisë që autori i kësaj ngjarje, shtetasi Azgan Buçpapaj, 44 vjeç, lindur në Tropojë dhe me banim në Tiranë, të dorëzohej. I sipërcituari kishte kohë që vuante nga çrregullime nervore, që mund të jetë dhe shkaku i kësaj ngjarje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një automatik model 56, me 2 fishekë, të cilat i mbante pa leje, si dhe 8 gëzhoja. Materialet hetimore për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prishje të rendit dhe të qetësisë publike”.

Ishin në kërkim, ekstradohen nga Greqia dy shqiptarë

Tiranë - Zyra e Interpol Tiranës kreu ekstradimin nga Greqia të Dritan Ziut, 39 vjeç, lindur në Fier, pasi gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier më datë 09.01.2003, e ka dënuar atë me 10 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje e mbetur në tentativë dhe armë mbajtje pa leje”. Sipas vendimit të gjykatës, në datën 02.042001 në fshatin Petrovë, Fier, shtetasi Dritan Ziu gjatë një grindjeje me shtetasin Fatos Buzo i ka drejtuar armën e zjarrit, që mbante pa leje. Në këtë moment një person tjetër, shok i shtetasit Ziu, i është afruar këtij të fundit duke i ulur tytën e automatikut, çka ka sjell për pasojë shkrehjen e armës në tokë, duke shmangur vrasjen e shtetasit Fatos Buzi. Po ashtu u ekstradua nga Greqia, Marjol Brisku, 28 vjeç, lindur në Elbasan. Gjykata e shkallës së parë Durrës më datë 25.05.2000 e ka dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale të “Vjedhjes me armë, e kryer në bashkëpunim”. Sipas vendimit të gjykatës, në datën 02.10.1999, rreth orës 22:00, në fshatin Xhafzotaj, Durrës, shtetasi Marjol Brisku në bashkëpunim me shtetasin Elton Moriseni nën kërcënimin e një arme automatiku kanë vjedhur automjetin “Mercedez”, me targa LU 1927, në pronësi të shtetasi Klement Ahmeti. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën u bë i mundur arrestimi i këtyre shtetasve. Ditën e sotme këta shtetas i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Policia e kryeqytetit, merr masa për ndeshjen Tirana-Milan

TIRANË - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë merr masa për mbarëvajtjen e zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve të Tiranës dhe Milanit. Ndeshja do të zhvillohet nesër rreth orës 19:00 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Sipas njoftimit të policisë, sot duke filluar nga ora 12:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim që të parandalohet çdo incident, do të mbyllen lokalet përreth stadiumit. Po ashtu gjatë gjithë ditës së nesërme nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në ambientet përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, sheshit “Italia”, sheshit “Nënë Tereza”, si dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga Presidenca deri tek Hotel “Sheraton”. Nga ora 15.00 e deri në përfundim të aktivitetit do të ketë ndalim qarkullimi përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, sheshit “Italia” sheshit “Nënë Tereza”, si dhe përgjatë rrugës “Lekë Dukagjini”, Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga Presidenca deri te Hotel “Sheraton”, “Dervish Hima”. Në njoftimin e shpërndarë për median shkruhet se policia kërkon mirëkuptimin e publikut dhe u kërkon sportdashësve, tifozëve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet të respektojnë rregullat e vendosura dhe kodin e sjelljes.

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›