E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata dënon me 15 vite burg nusen që vrau vjehrrën



Laureta Rryçi

Tiranë – Konflikti nuse-vjehrrë me pasojë vdekjen, është dënuar dje me 15 vite burg. Gjykata e Tiranës e ka cilësuar fajtore Vasilika Maznikun për vrasjen e vjehrrës së saj, Bozhane Maznikun. Pas disa seancash gjyqësore ku trupi gjykues pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj të pandehurës vendosi dje ta dënojë me më shumë se një dekadë burg. Prokuroria pati ngritur ndaj saj akuzën e “vrasjes me dashje”.
Ngjarja
62-vjeçarja Mazniku akuzohet se me datën 31 gusht të vitit të kaluar ka mbytur me përparëse në dhomën e gjumit njerkën e burrit të saj, Bozhanen, 72 vjeçe, të cilën e akuzonte për lidhje jashtëmartesore me bashkëshortin e saj. Mazniku pas një grindjeje banale me vjehrrën e saj, e ka vrarë duke e mbytur me një përparëse. Sipas hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë, ka rezultuar se autorja e krimit ka pasur dy arsye për të vrarë vjehrrën e saj, xhelozinë dhe konfliktin për pronën. Vetë e pandehura ka sqaruar se viktima jo vetëm që i kishte marrë bashkëshortin, por pretendonte t'i merrte edhe banesën në të cilën jetonin. Dy seanca më parë prokurori i ka kërkuar togave të zeza shpalljen e saj fajtore dhe dënimin me 16 vjet heqje lirie për veprën penale të "vrasjes me dashje". E pandehura do të përfitojë një të tretën e uljes së dënimit pasi është duke u gjykuar me gjykim të shkurtuar, ashtu siç janë aktet e prokurorisë, sipas kërkesës së bërë nga vetë e pandehura.
Pendesa
"Bashkëshorti im kishte shumë kohë që kishte marrëdhënie me njerkën e tij, përveç kësaj, ajo pretendonte të më merrte edhe banesën në të cilën jetoja", ka shpjeguar e pandehura Mazniku në një seancë gjyqësore në gjykatë. Më pas ajo ka sqaruar se e kishte vrare vjehrrën në kushte të tronditjes psikike dhe për këtë ishte penduar. Ndërsa e pandehura kërkonte mëshirë nga gjykata, bashkëshorti i saj qëndronte në rreshtin e parë të familjarëve dhe e dëgjonte me vëmendje. Avokati mbrojtës i 62- vjeçares i ka bërë të ditur gjykatës se klientja e tij e kishte kryer krimin ne kushte të tronditjes psikike, pasi ditën e ngjarjes ajo e ka gjetur vjehrrën ne krevat me bashkëshortin e saj. Pak minuta më vonë viktima është zënë me të pandehurën, e kjo e fundit nuk ka duruar dot më, kur i ka bërë të ditur se do t'i merrte edhe banesën në të cilën jetonte. E pandehura sipas mbrojtjes ka marrë përparësen në kushte të tronditjes psikike dhe e ka mbytur vjehrrën e saj, por jo se e kishte planifikuar vrasjen më parë. Nga ana tjetër mbrojtja i ka shpjeguar gjykatës se klientja e tij e ka pranuar krimin duke treguar edhe arsyet qe e kanë shpënë në vrasjen e vjehrrës së saj.

Shfaqen gomonet me klandestinë shqiptarë drejt Italisë

Sërish valë klandestinësh shqiptarë në brigjet Italianë. Një gomone 13 metra e gjatë me flamurin e Kroacisë në bordin e të cilit ndodheshin 30 klandestinë Shqiptarë dhe Kosovarë u ndalua sot nga Guardia di Financa, pranë rajonit të Foxhas. Në gomone pjesa më e madhe e klandestinëve ishin fëmijë, por edhe tre të rritur dhe një grua shtatzëne. Policia ka arrestuar drejtuesin e gomones, ndërsa gruaja shtatzënë është dërguar menjëherë në spital për t’iu nënshtruar kontrollit. Emigrantët e tjerë po i nënshtrohen procesit të identifikimit.

Aksidenti në Katarana, vdes 35 – vjeçari shqiptar

Një shqiptar 35 vjeçar humbi jetën sot në një aksident rrugor në Itali. Viktima Arsen Sulejmani po udhëtonte me makinën e tij tip Skuter, kur pranë Kataranës makina humbi kontrollin dhe është përplasur me një makinë tjetër që po udhëtonte në drejtim të kundërt. Policia vazhdon të hetojë shkaqet që kanë çuar në përplasjen e makinave. Në aksident nga përplasja 35 vjeçari gjeti vdekjen e menjëhershme.

Donin të kalonin në perëndim përmes Shqipërisë, ndalohen në Rinas dy nigerianë

Tiranë - Komisariati i Policisë Rinas bëri prapësimin në kufi të dy shtetasve të huaj, të cilët posedonin pasaportë të falsifikuar. Konkretisht dy ditë më parë kanë tentuar të hyjnë në vendin tonë dy shtetas me kombësi nigariane; Adekunle Adeniyi, 44 vjeç, e cila është paraqitur me emrin Colins Morris me pasaportë të falsifikuar angleze dhe Adams Iloba, 17-vjeç, i cili është paraqitur me emrin Alexander Akintola. Këta dy shtetas kishin mbërritur në Shqipëri me linjë ajrore nga Turqia dhe me konstatimin nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas se pasaportat në përdorim prej tyre ishin të falsifikuara, ato janë prapësuar në kufi. Prapësimi i tyre është bërë bazuar në Ligjin “Për të Huajt”, duke mbajtur dhe procesverbalet përkatëse.

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›