Akuzat e hedhura në disa media, reagon Argita Malltezi
Tiranë – Aludimet e bëra ditët e fundit në disa media të vendit kanë sjellë reagimin e Argita Malltezit, vajzës së kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Maltezi pranon se ajo, për hir të një kodi moral të familjes së saj, nuk i drejtohet gjykatës kur përballet me shpifje të përsëritura dhe shpreh keqardhjen që kjo i mbron disa individë dhe grupe që “kanë si bukë të përditshme mashtrimet”. “Ditët e fundit kanë qenë të ngarkuara me trillimin e radhës së skalioneve të radhitura pas interesave të prishura ekonomike dhe politike mbi tullumbacen që kësaj here është bërë e njohur për publikun si çështja ‘Fazlli璔, - thuhet në fillim të deklaratës së Argita Malltezit. Më tej ajo thotë se dëshiron të sqarojë publikun për ato që i konsideron momentet më të rëndësishme në lidhje me aktivitetin e saj. “Për shkak të pozicionit tim dhe të familjes sime, në asnjë rast nuk kam përfaqësuar dhe nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet (pra fonde) publike apo mbi asete shtetërore”, - deklaron Argita Malltezi. “Në këtë kontekst, - vijon ajo, - shërbimet e kryera nga studioja ime për z. Fazlliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik”. Në këtë kuadër, znj. Malltezi tregon se nuk ka qenë anëtare e asnjë bordi, komisioni, apo grupi të çfarëdolloji që është marrë me procesin ligjor, apo çdo lloj procesi të ngjashëm që lidhet me parkun energjetik të Porto Romanos. “Në dijeninë time, ky fakt vlen dhe për avokaten Flutura Kola”, - thotë Malltezi, duke shtuar: “Sfidoj mashtruesit, të cilët pretenduan se disponojnë prova për pjesëmarrjen time në këtë proces që t’i bëjnë ato publike”. Maltezi vlerëson më tej se e gjithë tymnaja e kësaj çështjeje ka si bazë të vetme mashtrimin e nxitur për interesa të pandershme politike dhe ekonomike. Ndërsa shpreh bindjen këtu se “shumë shpejt të gjitha këto interesa do të zbardhen për publikun duke lënë lakuriq në imoralitetin e tyre fabrikuesit e shpifjeve”. Maltezi vijon deklaratën e saj, duke konsideruar se “individët dhe grupet që kanë si bukë të përditshme mashtrimet mbrohen nga fakti që unë, për një kod moral të familjes sime, nuk i drejtohem gjykatës”. Në këtë pikë, Argita Malltezi, dëshiron “t’u kujtojë atyre se pavarësisht nga kjo, të gjitha mashtrimet e hedhura deri sot në adresën time për konsum politik janë sfumuar për arsyen e vetme se asnjëra prej tyre nuk e ka kaluar dot testin e së vërtetës”. Malltezi shton se “çdo detaj i aktivitetit tim profesional është tërësisht konform rregullave dhe ligjeve në fuqi”. Dhe në fund të deklaratës për media pohon: “Pas çdo stuhie vjen kohë e mirë, dhe në dritën e diellit nuk mund të fshihet as e vërteta dhe as mashtrimi”.
Kapet me drogë pas një kontrolli policor, arrestohet 26-vjeçari
Tiranë - Strukturat e Policisë së Qarkut Tiranë gjatë 24 orëve të fundit në bazë të informacioneve operative mundësuan kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Silvan M., 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ky shtetas u kap në flagrancë pranë Spitalit Nr. 5, ku pas një kontrolli të ushtruar ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese farmacie me një sasi prej 4.2 gramë bimë e dyshuar lëndë narkotike e llojit Cannabis sattiva. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Mbante në shtëpi fishekë luftarakë, ndiqet në gjendje të lirë 17-vjeçari
Tiranë - Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. M., 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak; dy arka me fishekë model 56 dhe dy trasta me fishekë model 56, kalibri 7. 62mm, të cilat kishin gjithsej 1403 fishekë. Shtetasi A. M., u la të ndiqet në gjendje të lirë, për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Vodhën lokalin te “Ali Demi”, arrestohen dy të rinjtë
Tiranë - Specialistët e Hetimit të Krimit pranë Seksionit të Posaçëm Kundër Vjedhjeve të Biznesit, bënë të mundur identifikimin dhe ndalimin e autorëve të vjedhjes së ndodhur më dt. 05.08.2008 në një lokal në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Shkëlzen Duçka, 21 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë, për armëmbajtje pa leje dhe Florenc Kiçi, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, janë dy personat e dyshuar për këtë vjedhje. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes”.
15 Tetor 2008