E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga 24-vjeçari, akuzohet si vrasës me pagesë

Tiranë - Një operacion i policisë së kryeqytetit, në bashkëpunim me atë të Elbasanit, ka vënë në pranga një 24-vjeçar që akuzohet si vrasës me pagesë. Burime të policisë bënë të ditur se Armando Hasani u vu në pranga gjatë qëndrimit të tij në një hotel përgjatë autostradës Tiranë - Durrës dhe në momentin e arrestimit i janë sekuestruar edhe dy pistoleta. Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes së shtetasit Sokol Çapja, e ndodhur në fund të vitit 2005 në qytetin e Elbasanit. Biznesmeni Çapja, pronar i një diskoje dhe një lokali në këtë qytet, u vra në vitin 2005. Hasani dyshohet të jetë autor edhe i disa veprave të tjera të rënda penale, ndërsa ishte shpallur në kërkim prej dy vitesh. Biznesmeni Çapja u qëllua me 30 plumba në fund të vitit 2005. Ai ka qenë dëshmitar i një ngjarjeje të ndodhur në Elbasan tre vite para ekzekutimit të tij. Hetimet e fundit kanë zbuluar se një nga shkaqet e vrasjes së Sokol Çapjes ka qenë pikërisht fakti se ai ka qenë dëshmitar i krimit të ndodhur në Elbasan tre vite para vrasjes së tij. Burimet nga organi i akuzës u shprehën se pas klasifikimit si një vrasje e dëshmitarit me qëllim fshehjen e rrethanave dhe autorëve të krimit, dosja penale për vrasjen i ka kaluar në kompetencë Krimeve të Rënda. Hetimet kanë zbuluar se vrasja e biznesmenit është bërë me qëllim eliminimin e dëshmitarit të një ngjarjeje që kishte ndodhur në Elbasan në vitin 2002. 35-vjeçari Sokol Çapja u qëllua me armë, në afërsi të një lokali, në qytetin e Elbasanit, më 26 dhjetor 2005. Deri pak kohë më parë, ngjarja është hetuar nga policia dhe Prokuroria e Elbasanit.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›