E Shtunë, 31 Tetor 2026

AVP, kritika koncesioneve për HEC-et

Pas më shumë se një muaji nga publikimi i raportit të Avokatit të Prokurimeve, materiali me kritikat ndaj procedurave në tenderë, ka mbërritur në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Në thelb, raporti trajton rastet e shkeljes të ligjit shqiptar për prokurimet, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në ritmin e ulët të investimeve, por më së shumti kanë krijuar impakt negativ në sytë e investitorëve të huaj. I ndarë në kapituj të ndryshëm, AVP-ja ngre shqetësimin se, ankesat e subjekteve private ndaj procesit të prokurimit të ndjekur nga institucionet qendrore, nuk janë marrë në konsideratë nga entet përkatëse, madje, në shumë raste, nuk janë respektuar afatet për trajtimin e pretendimeve të biznesit. Ndër problemet që ngre Avokati i Prokurimeve lidhet me procesin e dhënies me koncesion të hidrocentraleve, ku bizneset e interesuara për projekte të karakterit energjetik janë ankuar për vonesa në trajtimin e shqyrtimit të procedurave. Raporti i AVP-së duhet të ishte miratuar dje në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, por mungesa e deputetëve në sallë, detyroi kryetarin të shtynte mbledhjen. Avokati i Prokurimeve është strukturë e re, e ngritur në tetor, ndërsa ka punuar vetëm për dy muajt e fundit, rezultatet e të cilit i ka hedhur ne raportin 20 faqesh. Brenda periudhës dymujore, institucionit në fjalë i janë drejtuar 28 ankesa, 24 prej të cilave u përmbyllën brenda 31 dhjetorit 2007.

Koncesionet

Gjatë shqyrtimit të ankesave, institucioni i Avokatit të Prokurimeve ka konstatuar se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka anuluar disa procedura për dhënie me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve. Sipas AVP-së, operatorët ekonomikë, pra bizneset, ankohen se shqyrtimi i ofertave për procedurat e dhënies me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve vonohet në disa raste. AVP-ja ka hedhur në raport raste konkrete, me shembuj për ankesat e bizneseve, duke ngritur shqetësimin se, "të tilla fenomene negative ulin besimin e bizneseve për të investuar në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike".

Raporti

Kritika janë lëshuar edhe drejt Agjencisë së Prokurimit Publik, që sipas AVP-së, nuk merr në konsideratë ankesat e bizneseve, madje këto të fundit përjashtohen nga proceset e tenderëve pa mësuar ligjërisht shkakun. Po ashtu, në adresë të APP-së ka vërejtje lidhur mbi asistencën që ky institucion i specializuar duhet t‘u japë enteve të prokurimit publik, në ministri, bashki apo komuna. Edhe këta të fundit, kanë probleme me njohjen e ligjit të prokurimit publik, rezultatet e të cilit i vuan biznesi i ndershëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›