E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenden temperaturat, urgjencat mbushen plot

Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin kanë shtuar fluksin e pacientëve në spitale. Qendrat shëndetësore, poliklinikat dhe spitali "Nënë Tereza" është mbushur plot me fëmijë, të moshuar dhe pacientë kronikë. Të sëmurë që kryesisht vuajnë nga tensioni, zemra, diabeti, astma apo fëmijë të vegjël, të cilët janë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të vazhdueshme të temperaturave. Më shumë se 150 pacientë janë paraqitur në urgjencën e kardiologjisë. Kapaciteti i vogël i pavijonit ka bërë që pasi të sëmurët të marrin ndihmën e shpejtë të kthehen në shtëpi, ndërsa rastet më problematike të mbeten të shtruar në spital. Po ashtu edhe në urgjencën e pediatrisë rastet e fëmijëve të paraqitur brenda 24 orëve kanë kaluar 150. Të vegjlit kanë shfaqur probleme shëndetësore si temperaturë, shqetësime gastro-intestinale, probleme me dobësi dhe sistem imunitar më pak rezistent se zakonisht. Të gjithë këta pacientë i janë drejtuar spitalit, qendrave shëndetësore ose poliklinikave. Temperaturat dje janë regjistruar 32-33 gradë Celsius. Një verë e parakohshme sipas sinoptikanëve. Sot do të jetë edhe më nxehtë, duke e klasifikuar si ditën më të nxehtë të muajit. Për të parandaluar rastet e shumta të qytetarëve që bëhen "viktima" të vapës, Instituti i Shëndetit Publik dhe Drejtoritë e Shëndetit Publik kanë shpërndarë fletëpalosje dhe kanë bërë thirrje për të gjithë popullatën që të kujdesen për shëndetin e tyre gjatë këtyre ditëve të nxehta. Luhatjet e temperaturave sjellin në mënyrë të menjëhershme shqetësime shëndetësore. Pacientët kronikë, të moshuarit dhe fëmijët janë ata që i ndiejnë më shumë këto ndryshime dhe nuk mund të përballojnë temperatura kaq të larta. Konsumuesit e duhanit dhe alkoolit duhet të bëjnë kujdes për të mos e tepruar me këto lëndë. Ndërsa këshillat që rekomandohen janë evitimi në maksimum i rrezeve të diellit pas orës 10:30. Shëtitje gjatë darkës ose mëngjesit, konsum i lëngjeve dhe e një litri ujë në ditë, ajrosje të ambienteve ku qëndroni. Bëni banja me ujë të vakët dhe qëndroni në ambiente të freskëta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›