Dhuna në familjet shqiptare e pandalshme
Dhuna në familjet shqiptare jo vetëm që nuk po reduktohet, por po rritet nga viti në vit. "Në shoqërinë shqiptare vihet re një rritje e fenomenit të dhunës në familje, e cila ushtrohet më shumë mbi gratë dhe vajzat, fëmijët dhe të moshuarit". Ka qenë ky thelbi i raportimit të Ana Xhekës, drejtore e Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta, pranë Ministrisë së Punës. Ajo ka prezantuar një material të detajuar përpara Këshillit të Evropës, në Strasburg, në lidhje me masat dhe statistikat për dhunën në familjen shqiptare. Në raport thuhet se "rreth një e treta e grave dhe vajzave shqiptare përjetojnë një formë dhune brenda familjes". Rezulton se kjo dhunë shfaqet në të gjitha format: dhunë emocionale, si forma më e shpeshtë; dhunë ekonomike, që ndeshet më shumë në zonat urbane; dhunë fizike, më frekuente në zonat rurale; dhunë seksuale, e cila rezulton më pak e raportuar. Sipas Xhekës, grupmoshat që përjetojnë më shumë dhunë janë 18-23 vjeç dhe 37-45 vjeç, ndër të cilat më të rrezikuara janë gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, rome, si dhe ato në zonat rurale. Xheka ka sqaruar më tej edhe ato pak pjesë të legjislacionit shqiptar, që parandalojnë dhunën ndaj gruas, mbrojnë viktimën dhe dënojnë dhunuesin. Kodi i familjes sanksionon se "bashkëshorti ndaj të cilit ushtrohet dhunë, ka të drejtë t‘i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit, që ushtron dhunë, nga banesa bashkëshortore". Xheka ka përmendur edhe ligjin "Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare". Risia mbetet në faktin se mbrojtja që garanton ky ligj nuk është vetëm në raportet bashkëshortore, por edhe në ato të pjesëtarit të familjes. Ligji ngarkon njësitë e qeverisjes vendore (bashkitë, komunat) për ngritjen e strukturave të shërbimit social për rastet e dhunës në familje. Gjithashtu, këto struktura duhet të vënë në dispozicion një linjë telefonike rajonale 24 orëshe, gjë e cila nuk ka gjetur zbatim deri tani. "Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme për dhunën në familje gjatë viteve 2006 e 2007 shihet një rritje e numrit të rasteve nga 208 të tilla në vitin 2006 në 274 raste në 2007-ën", saktëson Xheka. Ajo shton se këto përfaqësojnë vepra të tilla si: vrasje, kanosje, tentativë për vrasje, plagosje, rrahje, shkaktim i vetëvrasjes, kontakte seksuale, ndërprerje shtatzënie, shtrëngim për bashkëjetesë, vjedhje banese, dëmtim prone, shfrytëzim prostitucioni etj. Për vitin 2008 të dhënat statistikore për dhunën në familje, premtohet se do të përmbajnë më tepër të dhëna të specifikuara, duke pasur parasysh që në të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve do të përdoren tabela me të dhëna më të detajuara.