E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2, në shkolla pas rezultatit të provimeve

Formulari A2 i degëve të universiteteve shpërndahet nëpër shkolla pas datës 17 qershor, kur maturantët të kenë përfunduar provimet e detyruara. Lajmin e bën të ditur Ministria e Arsimit, përmes specialistit të saj për arsimin e mesëm, Ndriçim Mehmeti. Në një prononcim për mediat, ai tha dje se "nxënësit do të njihen me notat e letërsisë dhe matematikës dhe më pas të zgjedhin degën e shkollës së lartë ku do të konkurrojnë".

Në ndryshim nga viti i kaluar kur formulari u shpërnda dhe u mblodh nga shkollat brenda muajit qershor, tashmë afati është shtyrë. Këtë vit A2 mbërrin nëpër gjimnaze dhe shkolla profesionale në fund të qershorit, pas provimeve të detyruara dhe mblidhet para provimit të lëndëve me zgjedhje, që është në datën 10 korrik. Pra, të rinjtë kanë afro 2 javë kohë për t‘u familjarizuar me këtë formular dhe për të vendosur përfundimisht mbi preferencat e tyre. Janë 10 preferenca të mundshme nga mbi 100 degë që gjenden në formular. Mehmeti u shpreh se numri i preferencave nuk do të ndryshojë, ai do të jetë dhjetë dhe duhet të rrethohet numri që i korrespondon secilës degë në formular. Ndërkohë që numri i degëve ndryshon, pasi nëpër fakultete janë hapur mjaft degë të reja këtë vit. Kryesisht ato janë filiale të Universitetit të Tiranës në Sarandë dhe Kukës, por nuk mungojnë edhe degët e reja në Tiranë, Durrës etj.

Maturantët do të japin provimet e maturës dhe më pas do të konkurrojnë për shkollë të lartë. Ky formular iu mblidhet maturantëve vetëm pasi ata të jenë njohur me rezultatet e provimeve. "Ata që kërkojnë të ndjekin studimet universitare duhet të njihen më parë me rezultatin e provimeve dhe më pas të zgjedhin degën ku do të regjistrohen", tha Mehmeti. Në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e drejtë dhe jo të udhëhiqen nga instinkti i dëshirës, siç ndodhi vitet e kaluara.

Duke u njohur me notën e matematikës, me notën e letërsisë dhe me notën mesatare të shkollës së mesme, maturantët njohin pjesën më të madhe të komponentëve të rezultatit përfundimtar. Siç është bërë e ditur, pikët përfundimtare të konkursit janë ato që dalin nga nota e provimeve të detyruara provimit të lëndëve me zgjedhje dhe notës mesatare. Pra ato mund të bëjnë një përllogaritje paraprake se ku kanë shanse të fitojnë, pasi Ministria e Arsimit do të nxjerrë edhe kuotat e pranimit në çdo degë në kohën kur të rinjtë janë duke plotësuar formularin A2 të degëve. "Nuk ka pse një maturant të bëjë regjistrimin në konkurs pa ditur se sa pikë merr realisht", sqaron Mehmeti, duke shtuar se "një vit më parë kishte shumë pakënaqësi të kësaj natyre". Maturantët zgjedhin gjithnjë degë shumë të kërkuara, ku konkurrenca është e fortë dhe më pas pendohen se pse nuk morën një degë tjetër ku mund të fitonin realisht. Kështu, konkurrentët e këtij viti, do të japin dy provimet e detyruara më pas do të plotësojnë formularin. Gjithsesi, duhet pranuar fakti se vendimtar në përzgjedhjen e fituesve të fakulteteve janë dy lëndët me zgjedhje që ata i japin në korrik.

Formulari A2 përmban gjithë degët e universiteteve shtetërore në vend. Si një vit më parë, kandidatët do të kenë mundësi të zgjedhin 10 nga mbi 100 degë të mundshme. Pra janë 10 preferenca në formularin A2. Ai është duke u formuluar nga Ministria e Arsimit dhe më pas do të shumëfishohet dhe shpërndahet nëpër shkolla në fund të qershorit. Maturantët përfundojnë shkollën në fund të kësaj jave dhe kanë javën e parë të qershorit për konsultimet në lëndën e letërsisë, provimi i së cilës është më 9 qershor. Ndërsa më datë 17 është provimi i matematikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›