E Shtunë, 31 Tetor 2026

AZHR mbështet projektet për bujqësinë dhe blegtorinë në Has

Agjencia e Zhvillimit Rural  (AZHR) me zbatimin e projektit në ndihmë të fermerëve në rrethin e Hasit, po ndikon ndjeshëm në rritjen e interesit të tyre për zhvillimin e blegtorisë e pemëtarisë. Drejtori i Bujqësisë të rrethit, Rifat Mulaj tha se, "këtë vit me ndihmën financiare të projektit janë ngritur blloqe me kumbullën e zezë në një sipërfaqe prej 40 ha, ndërsa janë mbështetur financiarisht për ngritjen e fermave blegtorale me mbi 10 lopë, apo me mbi 50 kokë dele, edhe 30 fermerë të tjerë". Sipas tij, projekti ka ndihmuar edhe 4 fermerë të tjerë për hartimin e projekteve të reja për mbarështrimin e bletës, të cilat pritet të vlerësohen nga specialistët. Prej 3 vjetësh nga projektet e AZHR, (ish-projekti 2KR), kanë përfituar ndihmën financiare mbi 60 fermerë në Has. Ndër më të sukseshme rezultojnë projektet e zbatuara në pemëtari, ku fermerët kanë përvojë, pasi përpunojnë dhe prodhojnë raki, tregu i së cilës është i garantuar. Rezultatet e deritanishme të fermerëve përfitues po nxisin të tjerë për të përgatitur projekte reale zhvillimore, me synim përfitimin financiar nga agjencia. Aktualisht në rrethin e Hasit me 20 mijë banorë mbarështrohen 8700 gjedh, 13 mijë të lështa dhe 11 mijë të dhirta si dhe 2500 koshere bletësh. Ndërsa në pemëtari, fermerët e rrethit zotërojnë mbi 110 mijë rrënjë pemë, kryesisht kumbulltë zezë si dhe 120 ha vreshta. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›