Spitali rajonal dhe Porti Detar i Durrësit nis bashkëpunimin me udhëtarët për diagnostimin e H1N1

Dhjetra pacientë me shqetësime të ndryshme virale janë vizituar këto ditë në spitalin rajonal të Durrësit, ndërsa situata lidhur me rrezikun e gripit A H1 N1 është krejtëisht nën kontroll. Një dhomë parakarantinore në repartin infektiv është bërë pjesë e mjediseve të izoluara nga pjesa tjetër e spitalit, ndërsa nuk mungojnë medikamentet e nevojshme për të përballuar rastet e mundshme. Mjekja Nadire Jani, shefe e repartit infektiv në këtë spital tha se vërehet një rritje e përgjegjshmërisë qytetare për mbrojtjen e shëndetit, çka lidhet me punën e mirë propagandistike të institucioneve. Sipas Janit, në repartin infektiv është shtuar numri i vizitave, ndërsa format gripale të konstatuara deri tani janë të lehta. Në mjediset e repartit vazhdojnë të qëndrojnë sot katër pacientë, që të gjithë nga Durrësi dhe rrethinat, por gjendja e tyre shëndetësore është krejt e mirë. "Disa ditë më parë katër pacientë të tjerë të dyshuar morrën mjekimet përkatëse dhe më pas u larguan në banesat e tyre,"-shtoi Jani. Jani tha se, mjediset e repartit infektiv janë krejtësisht të izoluara, ndërsa personali mjekësor ka përgatitjen profesionale të nevojshme për përballimin e situatave kritike. Edhe në portin detar të Durrësit shërbimi i higjenës dhe epidemiologjisë ka përgatitur një mjedis ambulator të mjaftueshëm me 12 shtretër për pritjen e të dyshuarve me gripin e derrit. Menduh Bekteshi, specialist në këtë qendër tha se vemendja e Shërbimit epidemiologjik është përqëndruar në bashkëpunimin me kompanitë e lundrimit dhe personelin e trageteve. Çdo ditë në portin detar mbërrijnë 7-12 tragete me 4-10 mijë udhëtarë,-tha Bekteshi, sipas të cilit njoftimet paraprake në bordin e tragetit si dhe fletëpalosjet e shpërndara synojnë vizitat mjeksore të udhëtarëve të sëmurë që në bordin e anijes ose sapo mbërrijnë në Durrës. Bekteshi tha se personeli i policisë kufitare dhe doganës, si dhe punonjësit e Autoritetit Portual që punojnë në tragete janë pajisur me maskat mbrojtëse, duke rritur kështu sensibilizimin për masat parandaluese të gripit A H1 N1.
...