E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Elbasan vihet re shtimi i rasteve të pickimit të gjarpërit dhe insekteve

Temperaturat e larta të muajit korrik kanë shkaktuar përhapjen e insekteve të ndryshme dhe gjarpërinjve helmues, kryesisht në fshatrat e rrethit të Elbasanit, ku si pasojë, janë shtruar në spitalin kirurgjik më shumë se 10 fëmijë me simptoma të pickimit të gjarpërit dhe insekteve si akrepi, apo merimanga. I riu 19-vjeçar Daniel Ranxha, i shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit prej më shumë se pesë ditësh, tha se ishte duke kullotur bagëtitë në fshatin Gjergjan kur një gjarpër e pickoi në këmbë. I shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit tashmë është jashtë rrezikut për jetën, si pasojë e ndërhyrjes së menjëherëshme të mjekëve. 

Edhe 10-vjeçarja A.Pisha tregon se ishte duke mbledhur kërpurdha në fshatin Labinot Mal, në një fushë me bar kur gjarpëri e pickoi në këmbë. 

Në spitalin e Elbasanit ka më shumë se 5 raste të shtruar nga pickimi i akrepit dhe  merimangës. Një 39-vjeçare nga pickimi i merimangës pësoi atak kardiak, por tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Edhe pse gjendja shëndetësore e pacientëve të tillë është jashtë rrezikut, mjeku reanimator Behar Gjevori deklaron se rastet e shtrimit nga pickimi i insekteve dhe gjarpërinje mund të vijë në rritje, për shkak të stinës së nxehtë të verës. Sipas tij, ndërhyrja mjekësore e të shtruarve ka qenë e menjëherëshme, pasi spitali disponon të gjitha medikamentet e duhura si edhe serumin antivipera. Në krahasim me një vit më parë, numri i rasteve të shtruara këtë vit nga pickimi i insekteve dhe gjarpërinjve është në rritje. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›