E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës mundëson orientimin turistik për udhëtim në kryeqytet

Bashkia e Tiranës ka përgatitur  një informacion turistik, i cili po  realizohet nëpërmjet dy pikave të instaluara në Aeroportin ' Nënë Tereza' dhe në Zyrën e Informacionit që ndodhet në teatrin e Metropolit. Tashmë turistët e huaj që zbresin në Tiranë, marrin orientimin e nevojshëm në rrugëtimin e tyre nëpër  kryeqytet. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës 'Projekti është realizuar me mbështetjen e GTZ (shoqëria gjermane për bashkëpunim teknik) dhe synon ofrimin e informacionit turistik për të gjithë vizitorët e mbërritur në kryeqytet'. Pika e vendosur në Rinas gjendet në portën e mbërritjes së pasagjerëve në aeroport, dhe shërben si kontakti i parë njohës me qytetin. Në këtë pikë punojnë dy operatorë, të cilët ofrojnë informacion të përgjithshëm për vizitorët. Ndërkohë, ata i njoftojnë turistët për Zyrën e Informacionit Turistik që gjendet pranë Teatrit të Tiranës, nga e cila  turistët mund të marrin një informacion më të detajuar dhe të hollësishëm për qytetin. Sipas burimeve nga Zyra e Infomacionit Turistik “numri i turistëve, sidomos atyre perëndimorë, si italianë, francezë dhe nga vendet nordike është rritur shumë këtë vit në krahasim me vite më parë dhe me anën e informacionit që ata marrin e kanë shumë më të lehtë për t’u orientuar në Tiranë”. Pjesa më e madhe e turistëve kërkojnë të njihen me  muzeumet , galeritë e artit , vendet historike të Tiranës, si dhe gjithçka që mund të jetë e dobishme për një vizitor të huaj. Këto zyra janë pjesë e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit, funksioni i së cilës mendohet që këtë vit, t’i japë një hov cilësor marketimit të Tiranës dhe vlerave të saj. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›