Mjekët këshillojnë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj temperaturave të larta

Në kushtet e temperaturave të larta, kur sot arrtiën 38-39 gradë celcius dhe në ndonjë zonë të vendit dhe 40 gradë celcius, mjekët këshillojnë banorët të bëjnë kujdes, për të mos qarkulluar në orët e mesditës dhe të evitojnë sa më shumë lëvizjet në diell. Dita e sotme, sipas metereologëve, karakterizohet nga temperatura maksimale të larta, me një mot të kthjellët në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa, termometri pritet të shënojë 39 gradë celcius dhe në disa zona dhe 40 gradë celcius, në diell këto vlera do të jenë më të larta. Gjithashtu, pjesa më e madhe e zonës së ulët të vendit, si në qytetin e Elbasanit, Cërrikut, Beratit, Kuçovës, Gjirokastrës dhe pjesës veri-perëndimore, pritet që karakterizohet nga temperature më të larta, se pjesa tjetër e vendit. Si pasojë e qarkullimit të rrymave ajrore afrikane vendi ynë është mbizotëruar gjatë këtyre ditëve nga temperaturat e larta, ndërkohë që në fundjavë dhe javën e ardhshme pritet të ketë dhe rënie të vlerave të temperaturave maksimale. Sipas mjekëve në të tilla temperatura krijohen komplikacione të ndryshme në organizëm si gjendje të fikti, rritje të rrahjes së zemrës, djersitje dhe humbje të kriprave minerale, si dhe luhatje tensioni. "Gjatë kohës që lëvizni mbani ujë me vete dhe konsumoni sa më shumë ujë gjatë ditës, rreth 2-3 litra. Mbani rroba të çelta, të lehta, kapele për mbrojtje nga dielli. Ata që konsumojnë alkool të shmangin pijet alkoolike", këshillojnë mjekët. Ndërsa, përsa i përket personave qe vuajne nga zemra, mjekët këshillojnë që ata të bëjnë konsulta te herëpashershme, pasi mund të kenë nevojë për rregullim të mjekimit në kushtet e motit të nxehtë. Mjekët këshillojnë evitimin e daljeve nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11:00- 17:00-18.00. Ata japin këshilla dhe për mbajtjen e ambjentit në shtëpi sa më të freskët, por kujdes duhet bërë edhe me përdorimin e kondicionerëve. Për ata njerëz që janë të detyruar të dalin në orët e pikut dhe udhëtojnë me makinë, specialistët shprehen se është e nevojshme që të mbajnë gjithmonë me vete ujë, ndërsa gjatë ndalesave të evitohet ngrënia e shpejtë apo pijet alkoolike, ato me shumë sheqer apo kafeinë. “Mbi të gjitha mos parkoni në diell, e nëse do ta bëni një gjë të tillë, para se të niseni hapini dritaret për të ulur temperaturën e brendëshme”, ndërsa për ata që kanë kondicioner, temperatura në makinë nuk duhet mbajtur më pak se 25-27°.
...