E Hënë, 2 Nëntor 2026

Abaz Ermenji letër të hapur gazetës “Le Monde” për grekët

06/03/2005  Cila ishte polemika midis gazetave të emigrantëve politikë shqiptarë? Çfarë mbronte gazeta “Flamuri”? Pse Abaz Ermenji i dërgoi letër të hapur gazetës “Le Monde”? Cila ishte përmbajtja e letrës?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Debati midis emigracionit politik shqiptar dhe organizatave të emigracionit grek u zhvillua edhe në shtyp. Në këto polemika u parashtruan argumente interesante dhe të rëndësishme nga këndvështrimi shqiptar. Në vitin 1951 gazeta më e rëndësishme e emigracionit politik shqiptar, “Flamuri”, zhvilloi një polemikë të gjerë me gazetën “Le Messager D`Athens”. Ajo kundërshtoi argumentet kryesore dhe të përsëritura “juridike”, “strategjike” dhe “ekonomike”, me të cilat kishte operuar deri në këtë kohë diplomacia dhe shtypi grek për të justifikuar “të drejtat”e Greqisë në Shqipërinë e Jugut. “Flamuri” shkruante se grekët mbështeteshin në fjalët miqësore të ndonjë grupi senatorësh perëndimorë, të dashuruar pas helenizmës dhe që kishin shumë pak ijeni rreth çështjes, ose në ndonjë premtim diplomatik të bërë nga Fuqitë e Mëdha në disa çaste kur popujt e vegjël lëkundeshin si fletë të këputura mbi valët e konfliktit botëror. Ata harronin të përmendnin faktin konkret që, gjithmonë komisionet dhe konferencat ndërkombëtare më 1913 e 1921 e kishin vërtetuar karakterin shqiptar të Shqipërisë së Jugut. Ndërsa vetë Greqia e pati njohur solemnisht këtë vijë kufiri gjatë viteve 1923-1939. Shkatërrimet dhe krimet, që kryen bandat e Gjiritit nën urdhërat e Zografos më 1914, në Shqipërinë e Jugut - shkruante “Flamuri” – nuk i forcojnë aspak “titujt juridikë”. Edhe argumentet “historike” greke cilësoheshin po kaq të pabazuara. Duke bërë një tablo të përmbledhur të historisë së Epirit, gazeta shkruante se, në kohërat e lashta “Epiri” përbënte një shtet më vete, anash qytetërimit dhe konfederatave helenike. Pas pushtimeve romake dhe nën Perandorinë e Lindjes fjala “Epir” kishte qenë më tepër një shprehje gjeografike ose administrative, që tregonte një krahinë, e cila nga ana e veriut s`ka patur kurrë kufij të caktuara, por shtrihej e mblidhej sipas rasteve, duke përfshirë herë-herë një pjesë të madhe të Ilirisë dhe diçka nga Maqedonija. Nga fundi i Mesjetës ishte bërë zakon të quhej Epir gjithë Shqipëria. Kështu psh Skënderbeu njihej në Perëndim si princ i Epirit. Kur filluan të shquhen kombësitë e reja të Ballkanit, që përpara pushtimit turk, jo vetëm “Epiri i Veriut” por edhe “Epiri i Jugut” shkonte me grupin etnik shqiptar. Qyteti i Gjirokastrës, i cili tani është bërë pika qendrore e kërkesave greke, ishte në shek.XIV kryeqyteti i princit shqiptar Gjon Bue Shpata, shteti i të cilit shtrihej në jug deri në Gjirin e Artës. Dhe deri në fillim të shek.XX i tërë Epiri i Veriut dhe i Jugut pati ruajtur karakterin etnik shqiptar. Janina – kryeqendra e Epirit – ishte në shek.XIV njera nga qendrat shqiptare më me rëndësi. Ajo u bë e njohur prej luftrave të Ali Pashë Tepelenës.

Pretendimet “strategjike” greke, “Flamuri” i quante absurde për këto arsye: “Në qoftë se Epiri shqiptar dhe Epiri grek, si vija gjeografike, ishin vazhdim i njeri tjetrit, atëherë atë që grekët kërkojnë në Epirin tonë mund ta kërkojmë fare bukur edhe ne në Epirin e tyre, në bazë të të njejtit arsyetim. Ne kemi edhe ndonjë arsye më shumë, sepse kufiri politik na ka lënë vetëm pjesën malore të Epirit, duke i dhënë Greqisë fushat pjellore të Çamërisë, që dikur ishin trualli i shqiptarëve. Nga pikëpamja strategjike, vija e kufirit ka qenë caktuar në një mënyrë të padrejtë për Shqipërinë e jo për Greqinë. Krahina e Korçës bën pjesë gjeografikisht në rrafshin e Maqedonisë, të cilën vetë natyra e ka ndarë prej Greqisë. Absurditeti i dytë i argumenteve “strategjike” greke ishte se, në kushtet e mjeteve moderne të luftës, çdo vijë kufiri midis shteteve kishte humbur mjaft nga rëndësia strategjike, që kishte patur më parë. Në se Shqipëria mund të paraqiste ndonjë interes strategjik për Greqinë, të cilin grekët nuk duan ta kuptojnë në asnjë mënyrë, - ky interes është që, Shqipëria, e tëra si një copë, të jetë e lirë nga çdo sundim i huaj, të jetë si një zonë e sigurtë përbri Greqisë. Absurditeti i tretë ishte se, edhe sikur fqinjët tanë të Jugut të kishin ndonjë interes të vërtetë për t`u shtrirë në Veri, ne mund t`u themi atyre se, kombet nuk janë lëndë çfarëdo, që Greqia mund t`i përdorë sipas qejfit për të ndërtuar kufij të fortë. Por ata janë entitete të gjalla dhe kanë të drejtë të jetojnë po aq sa Greqia. “Flamuri” theksonte se, me këto pretendime , politika greke nuk e shikonte fare se në ç`shkallë ishin duke u zhvilluar marrëdhëniet ekonomike dhe vijat strategjike të kohës tonë. Gazeta bënte aluzion se kërkesat e Greqisë mbështeteshin vetëm në të drejtën e më të fortit. “Prandaj, politika greke duhej të ishte aq e mençur sa të kuptonte se, sikur Shqipëria të kish mbetur si një copë mish i varur në hundët e atyre që e lakmojnë, ka përreth saj dhëmbë shumë më të fortë se të grekëve”. Po për këto qëllime dhe në këtë kontekst, “Flamuri” ribotoi në vitin 1968 artikullin e rëndësishëm të Mit`hat Frashërit, që ishte botuar në prag të fillimit të Konferencës së Paqes të vitit 1946.

Emigracioni politik shqiptar i zhvilloi polemikat rreth pretendimeve greke edhe në shtypin perëndimor. Në vitin 1955 Komiteti Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” (KKDSHL), që kryesohej nga Abaz Ermenji, i dërgoi një letër të hapur gazetës “Le Monde”, në përgjigje të një artikulli të botuar prej saj më 20 prill, i cili mbronte pretendimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut. Letra vinte në dukje se, problemi shqiptar nuk ishte një “çështje e ngatërruar”, porse Shqipëria, si shtet dhe si komb, është një unitet shumë i përcaktuar. Denoncohej pretendimi fals i grekëve se, shqiptarët kishin ndihmuar Italinë fashiste në agresionin e saj kundër Greqisë në vitin 1940. Një letër tjetër KKDSHL ia dërgoi më vonë edhe gazetës “L`Aurore”, e cila kishte botuar një artikull të gazetarit Henry Bènzat, që sugjeronte copëtimin e Shqipërisë. Gjithashtu, KKDSHL u dërgoi telegrame falenderimi kryeministrit turk, Menderesit dhe kryeministrit italian, të cilët kishin bërë një deklaratë të përbashkët në Romë në mars të vitit 1955 në mbështetje të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë. KKDSHL i cilësonte Turqinë dhe Italinë si dy vende, që formonin një ekuilibër të volitshëm rreth Shqipërisë dhe se, në bashkëpunim me politikën amerikane, britanike e franceze, po ndikonin në dekurajimin e aspiratave territoriale të shteteve fqinje kundrejt Shqipërisë.

Pikërisht për këto arsye organizatat “vorioepirote” e përqendruan goditjen kundër organizatave kryesore të emigracionit politik shqiptar si, KKSHL, Balli Kombëtar, Legaliteti. Ata e vlerësonin KKSHL dhe udhëheqësit politikë të opozitës antikomuniste po me ato terma dhe parametra siç i vlerësonte dhe regjimi komunist i Shqipërisë. KKSHL cilësohej si “subjekti më pak i informuar për gjendjen brenda në Shqipëri dhe më i papërshtatshëm për të vepruar në këtë drejtim”. Ai paraqitej si një organizatë, që përbëhej “nga të arratisur, të cilët kërkohen nga drejtësia për krimet e kryera kundër shumicës së popullsisë të së ashtuquajturës Shqipëri. Këta krime ata i kanë kryer para dhe gjatë luftës, duke bashkëpunuar me hordhitë e Hitlerit e të Musolinit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›