E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veç me gjuhën mos t’ja punosh Konicës

06/03/2005  Me nismën e mirë për të nxitur lexuesit drejt veprës së Faik Konicës, shtëpia botuese “Albas” ka nxjerrë këto ditë në treg botimin “Antologji e Faik Konicës”, zgjedhur dhe përgatitur nga Nasho Jorgaqi. Ky është prej atyre botimeve që përfshihen në kolanën “leximeplus” e cila përmban autorë dhe vepra të parashikuara në programin e lëndës së letërsisë që zhvillohet në shkollat mesme.

Por duke hyrë nën ndikimin e kësaj nxitjeje, duke ndjekur në paepje fjalën koniciane mbi shkrimet, gjuhën, Shqipërinë ku ndjehet gati fryma “intolerante” që kishte shkrimtari dhe publicisti më brilant shqiptar afro njëqind vjet më parë, në këtë botim vërehen gabime. Janë disa pakujdesi korrekture që ta tradhëton shijen e të lexuarit. Për moshën se cilës i drejtohet, mund të krijohet ai çasti i “çmendur” ku gjuha vihet në lojë. Sidomos kjo duket në artikujt e parë të librit ku vihen re shumë fjalë të shkruara gabim, dhe të tjera pa saktësi shkrimore. Megjithatë duke besuar në emrin e përgatitësit të botimit, N. Jorgaqit ky botim paraqet përmbledhtasi esencën e një profili të gjerë siç ishte Konica.

Koncepti i këtij botimi, për të paraqitur tharmin e veprimtarisë dhe krijimtarisë së Konicës, është dhënë duke shkëputur poezi, prozë poetike, portrete dhe shkrime publicistike. Në këtë libërth hyjnë jo vetëm pasqyra e lëndës krijuese dhe letrare nga vetë shkrimtari, por sillen dhe mendime nga personalitete të letrave shqiptare dhe evropiane për Faik Konicën. Në fund të botimit, disi relative, paraqiten dhe disa tema për pikënisje debati që mund t’ju shërbejë shkollave të mesme në rastin e leximeve plus.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›