E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Unë” dhe “Unë”

06/03/2005  Llotman, “kultura dhe bumi”

Libri që merr në dorë lexuesi shqiptar “Kultura dhe bumi” i Jurij Llotman, përkthyer nga Agron Tufa, botuar prej bashkëpunimit të Shtëpisë së Librit dhe Komunikimit dhe “Aleph”, ofron për herë të parë mundësinë e një njohje relativisht vizionare të teorisë dhe koncepteve shkencore-semiotike llotmaniane për formacionet kulturore, të parashtruara me thjeshtësi e qartësi edhe për lexuesin e paspecializuar në këtë sferë.

Diapazoni i krijimtarisë shkencore të Jurij Llotmanit është jashtëzakonisht i gjerë. Në rrethin e interesave të tij hyjnë estetika, poetika, teoria e semiotikës, historia e kulturës, mitologjia dhe teoria e kinematografisë-dhe të gjitha këto, përanash disiplinës themelore, historisë së letërsisë ruse.

Llotmanin e josh çdo temë: nga analizat e dukurive të tilla të kulturës, si bluxhinset, apo studimet mbi demonologjinë, ai kalon me lehtësi në analizën filologjike të teksteve artistike, apo në paralelet e paprituara në sferën e matematikës dhe biologjisë. Madje dhe lexuesi që nuk njihet me përmbajtjen e të gjitha punimeve të Llotmanit, mundet ta vlerësojë qasjen teoritike që përbën themelin e këtij libri.

Në fillim të librit të tij, “rrëfimet”, Ruso shkruan: “unë jam tek i vetëm. Unë e njoh zemrën time. I njoh njerëzit. Unë jam krijuar ndryshe nga çdokush tjetër që më kanë zënë sytë; marr guximin të mendoj se nuk ngjaj me askënd në botë”. Nga “Emilia” gjer tek “Rrëfimet”, Rusoi ka bërë goxha rrugë. “Unë” në “Emilia” –është një përemër dhe ka lidhje me atë që shpreh thelbin e të folurit në vetën e parë. Në “Emilia”, fjala është për thelbin e njeriut si të tillë. Prandaj, rrëfyesi është mishërim i arsyes natyrore, kurse edukatori është natyra që gjen vetveten. Në “Rrëfimet”, “Unë” është një emër i përveçëm, ajo e cila nuk ka numër hsumës dhe nuk mund të jetë i tëhuajtur prej një personaliteti të pazëvendësueshëm njerëzor. Nuk është i rastësishëm epigrafi: “I rreckosur dhe në lëkurë” (citat nga poeti romak Aull Persi Fllakk). Rusoi përshkoi udhën nga përemri “Unë”- tek emri i përveçëm . Ky është një nga polet themelorë të mendimit njerëzor.

Tradita na ka ngulur në tru mendimin që drejtimi i vetëdijes njerëzore është i drejtuar nga individualja ( e vetmja) për tek e përgjithshmja. Nëse me individuale nënkuptojmë aftësinë për të shumëzuar numrin e dallimeve, për të gjetur në po të njëjtën gjë të ndryshmen, atëherë, kjo, sigurisht është njëra nga marrdhëniet kryesore të progresit të kulturës. Duhet shënuar, që aftësia ppër të dalluar të ndryshmen në njëjtësoren, dhe në të ndryshmen- njëjtësinë, atëhere këto janë dy anë të pandara nga njëra-tjetra të një procesi të vetëm të vetdijes. Padallueshmëria e të ndryshmes nuk thekson, por e shkatërron ngjashmërinë, sepse e shmang përfare krahasimin (pranëvënien).

Struktura “Unë” është një nga treguesit themelorë të kulturës. “Unë” si përemër është shumë më i thjeshtë për nga struktura e tij, se sa “unë” si emër i përveçëm. I fundit nuk paraqet në vetvete shenjë gjuhësore fort të përvijuar.

Gjuhë të ndryshme shfrytëzojnë mjete gramatikore të gjithfarshme, me qëllim që të shprehin dallimin ndërmjet fjalës që shenjon çfarëdo gjëje, dhe gjësë së dhënë pikërisht. Në gjuhën ruse, këtë mund ta kishim shprehur, duke shfrytëzuar gërma titulli: stolik (trapezës, tavolinë e vogël)-është çdo lloj stolik ( në gjuhë gjermane këtë e jep në mënyrë adekuate nyja “ein”), Stolik me shkronjë të madhe është stolik (trapezësa) ime, e njohur personalisht, e vetmja, kjo trapezë, e cila ka shenjat që mungojnë në “trapeza në përgjithësi”. Për shembull, mbi të mund të ketë një njollë boje. Njolla e bojës nuk mund të jetë shenjë e trapezës në përgjithësi, porse ajo mund të jetë nishan i pandarë i trapezës së dhënë. Fonvizini në “Buzëqumësht” sjell skenën e mëposhtme:

“Pravdini. Dera, për shembull, çfarë pjese ligjerate është: është emër apo mbiemër?

Mitrofani: Dera, cila derë?

Pravdini. Cila derë! Ja kjo?

Mitrofani. Kjo?Mbiemër.

Pravdini. E pse?

Mitrofani. Sepse ajo është e vënë në vendin e vet. Ja te qilari, tash gjashtë javë që dera rri ende e pavënë; kështu që ajo tash për tash është një emër.

Starodumi. Ja pra pse emri budalla me të cilin të quajnë ty qenka mbiemër, sepse ajo i vihet njeriut budalla?

Mitrofani. Ta pret mendja.

Vetdija racionaliste e Fonvizinitna shpalos një arsyetim abstrakt si të vërtetë absolute, kurse konkreten, si përmbajtje budallallëku.

Megjithatë, është e mundur dhe një pikëpamje tjetër. E kemi theksuar tashmë, se për Rusoin në “Rrëfimet”, bartës i së vërtetës paraqitet pikërisht një “Unë” i tillë, prej të cilit nuk mund të formosh kurrsesi numrin shumës. Më parë kemi sjellë shembullin e përdorimit të emrave të përveçëm nga V. Sollovjovi-fëmijë. Për racionalistin, bota konkrete është veçse shembull për ilustrimet e rregullave të përgjithshme. Sipas një skeme të tillë, ndërtohet rëndim, për shembull, në fabul, korrelacioni i tekstit me moralin.

I fundit paraqet në vetvete interpretimin logjik të njëjtësuar të kuptimit. Karakteristikë është se Krillovi, duke kapërcyer racionalizmin zhanror të fabulës, krijoi një sistem shumë të koklavitur ndërmjet “tekstit” dhe “moralit”. Morali të ai bëhet jo shprehje e të vërtetës abstrakte, porse zë i arsyes popullore, i mendimit të shëndoshë.

Akti paradoksal i Rusoit që deklaron kuptimin e epërm të “së vërtetës jotipike”, dhe vlera e Zhan-Zhakut – e personalitetit të veçuar unikal- shtruan rrugën e krijimit të figurës së njeriut në roman dhe portretit në epokën pasuese. Këto zhanre nuk janë alegorike. Ata pohojnë një tip të ri të vetdijes artistike; heroi shfaqet njëherësh dhe përpërsëritshëm i njëjti, dhe, bashkë me të, në njëfarë mënyre, i lidhur me tiparet e ngjashme të lexuesit dhe shikuesit. Krijimi sillet si i gjallë. Me këtë është lidhur një zinxhir subjektesh mitologjike, që kanë lindur, së paku, që në antikitet, mbi frymimin e veprave të artit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›