E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abazaj: Rama pengesë e realizimit të kërkesave tuaja

21/04/2011  LSI fushatë në Tiranë dhe Nikël

Ndërtimi i një shkolle të re në Kombinat në zonën e rrugës “Shaban Bardhoshi” është premtimi që kryetarja e njësisë bashkiake nr. 6 në Kombinat dhe njëkohësisht kandidate për këtë njësi u ka bërë banorëve të kësaj zone. Abazaj ka theksuar se ndërtimi i saj do të bëjë të mundur që zhvillimi i mësimit të realizohet në kushte komode, pa orare të tejzgjatura, por nga ana tjetër kjo shkollë do të bëjë të mundur punësimin e 50 mësuesve. “Ne erdhëm sot këtu me kërkesë të komunitetit që fëmijët të mos jenë më në rrezik dhe të mos jetë më nevoja që gjyshërit apo prindërit të lënë punët e tyre dhe të shoqërojnë fëmijët, ata duhet të jenë të siguruar”, - tha kandidatja e LSI-së. Ajo tha se ka realizuar ato çka i janë nevojitur komunitetit në këta katër vjet, por një pengesë e rëndësishme për kërkesën e tyre ka qenë Bashkia e Tiranës. “Gjatë këtyre katër vjetve kemi ecur bashkërisht, atë ç’ka kërkuar komuniteti e kemi bërë ne dhe këtë do të bëjmë dhe këtë katërvjeçar. Kanë qenë kërkesat tuaja, por është bërë pengesë Bashkia e Tiranës, e cila na ka mbyllur derën dhe na ka braktisur, kësaj radhe do të jetë ndryshe, pasi 8 maji do të vërë hallkën e bashkëpunimit mes njësisë bashkiake, Bashkisë së Tiranës e qeverisë”, - theksoi ajo. Përfundimi i rrugës, ndërtimi i shkollës dhe kopshteve, si dhe mënjanimi i rrezikshmërisë nëpër rrugë do të jenë hapat e parë të ndërmarrjes së saj si kryetare e minibashkisë pas 8 majit. Po dje deputet e LSI-së Nasip Naço dhe Lefter Koka kanë prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në komunën Nikël në qarkun e Durrësit, Avdi Vathi. Duke kërkuar votat për kandidatin Vathi, dy deputetët premtuan se me të në krye të komunës do të realizojnë gjëra të prekshme për këtë komuniteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›