E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vendos në krye të Ministrisë së Brendshme Bujar Nishanin

21/04/2011  Kryeministri vendos të bëjë rokadë brenda qeverisë, lë bosh Ministrinë e Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani është rikthyer sërish në postin e ministrit të Brendshëm, pas lënies vakant të kësaj detyre nga ana e Lulëzim Bashës, i cili kandidon për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Ditën e sotme Nishani pritet të dekretohet nga Presidenti i Republikës dhe pas betimit të fillojë detyrën që ka mbajtur përpara zgjedhjeve të vitit 2009. Ndërkohë nga ana e kryeministrit ende nuk është bërë i ditur emri që do të kryesojë Ministrinë e Kulturës, të lënë vakant nga Ferdinand Xhaferri, që kandidon për Bashkinë e Durrësit, dhe Ministrinë e Drejtësisë, që u la tashmë vakant nga ana e ministrit Nishani. Burime në PD shprehen se këtë vendim, pra zëvendësimin e ministrave, kryeministri pritet ta marrë pas zgjedhjeve. Deri atëherë Ministria e Turizmit, por edhe Ministria e Drejtësisë, do të vazhdojnë të drejtohen nga zëvendësit përkatës. Duhet theksuar se dy ministritë kanë mbetur bosh që pas datës 22 mars, kur i pari që dha dorëheqjen ishte zoti Basha dhe menjëherë pas tij dhe zoti Ferdinand Xhaferri.

Grupi i PD-së

E megjithatë vendimi i beftë i kryeministrit ka habitur jo pak dhe deputetët e grupit parlamentar të PD-së, disa prej të cilëve pretendonin dhe postin e ministrit të Brendshëm. Megjithatë, burime në PD shprehen se kjo është një lëvizje strategjike e kryeministrit për të shmangur hatërmbetjet me postet tani në prag të zgjedhjeve. Situata e deritanishme me incidente si dhe zgjedhjet e 8 majit nuk ia jepnin luksin kryeministrit që të mbante vakant postin e ministrit të Brendshëm. Nga ana tjetër, zëvendësimi me një tjetër deputet nga grupi parlamentar do të shtonte qejfmbetjet te deputetët. Në këto kushte, kryeministri ka vendosur për Nishanin, një figurë konsensuale brenda PD-së, që e ka drejtuar dhe më partë këtë dikaster. Pra, në këtë rast kryeministri ka preferuar të lërë bosh karrigen e ministrit të Drejtësisë dhe të ketë në funksion të plotë Ministrinë e Brendshme. Më pas për zëvendësimin e emrave të tjerë ai do të ketë kohë të mendojë pas zgjedhjeve për emrat e dy ministrave të tjerë, për të gjetur dhe një zgjidhje që do minimizonte sadopak qejfmbetjet brenda PD-së, por dhe luftën brenda klaneve për të marrë nën kontroll ministri të caktuara, siç është tashmë Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Turizmit, të cilat gjithsesi shihen si vende ku mund të forcohen pozitat brenda partisë.

Dekreti i Presidentit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet që të firmosë sot dekretin që shkarkon Bujar Nishanin nga ministër i Drejtësisë dhe e cakton atë në krye të Ministrisë së Brendshme. Burime nga Presidenca u shprehën se nesër në mëngjes, përpara se të fillojë seanca, deputetët do të kenë në tryezë për miratim dekretin e Presidentit, pasi ditën e djeshme ai është dorëzuar vonë dhe nuk ka qenë e mundur të protokollohet. Gjithsesi, nuk pritet që opozita ta votojë edhe emrin e Nishanit, megjithëse në qëndrimet e tij ish-ministri i Drejtësisë njihet për tonet e zbutura dhe të ekuilibruara. Në fakt, Nishani gëzon respektin e të gjitha forcave politike për profesionalizmin që ka treguar në të gjitha detyrat që ka mbajtur, por dhe si një politikan që qëndron larg konfliktualitet dhe debatit të pavlerë që bëhet shpeshherë në politikën shqiptare.

Ministria e Brendshme

Bujar Nishani e ka mbajtur dhe më parë postin e ministrit të Brendshëm, gjatë viteve 2007-2009. Dhe në atë kohë Nishani zëvendësoi në këtë post një kandidat për Bashkinë e Tiranës, pikërisht Sokol Olldashin. Pas zgjedhjeve të 2009-s ai u caktua nga kryeministri në postin e ministrit të Drejtësisë, detyrë që e mbajti deri ditën e djeshme, kur u emërua në tjetër detyrë.

Ministria e Drejtësisë

Deputetët e PD-së që deri dje kanë pasur si aspiratë të ngjiteshin në postin e ministrit të Brendshëm, tashmë u duhet të heqin dorë nga kjo ëndërr dhe t’i kthejnë sytë nga Ministria e Drejtësisë. Gjithsesi, dhe për këtë u duhet të presin përfundimin e zgjedhjeve dhe deri atëherë do t’u duhet të përqendrohen në fushatën elektorale të 8 majit.

Ministria e Kulturës

Edhe për Ministrinë e Kulturës brenda grupit parlamentar të PD-së ka jo pak kandidatura. Gjithsesi, lufta për të marrë këtë dikaster nuk është aq e fortë sa për postin e ministrit të Brendshëm, që për nga rëndësia mund të thuhet se është numri dy i qeverisë. Gjithsesi, mendohet që kandidatura për karrigen e titullarit të këtij dikasteri mund të jetë një femër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›