E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abazaj: “Sistemi shëndetësor është futur në krizë”



Emanuela Sako

Sistemi shëndetësor shqiptar është në një gjendje të vështirë për shkak të mungesës së kualifikimeve profesionale, kushteve spitalore dhe investimeve. Një situatë e tillë vihet re çdo ditë nga qytetarët që u drejtohen institucioneve shëndetësore. Por, këtë herë një situatë e tillë është vënë në dukje nga Presidenti i Urdhrit Kombëtar të Mjekëve, Din Abazaj, i cili për këtë fajëson politikat qeverisëse. Sipas tij, ky sistem do të rregullohej nëse qeveria Shqiptare do ta kishte si prioritet parësor shëndetësinë. “Sistemi rregullohet atëherë kur qeveria ta ketë shëndetësinë prioritetin e saj të parë”,- shprehet Abazaj. Ai ka ngritur problemin, duke evidentuar faktin se shëndetësia është në udhëkryq. Pranë këtij institucioni janë bërë mjaft denoncime nga ana e pacientëve, por zgjidhja mund të jepet vetëm me ndërhyrjen e politikave qeverisëse, investimet që duhen bërë etj.
Mungesat
Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, deklaron se sistemi shëndetësor shqiptar edhe pse është në rrugën e reformimit të tij, është ende në udhëkryq, dhe ka mjaft probleme të cilat duhet të merren në konsideratë nga strukturat përkatëse. Sipas tij, ende ka probleme me buxhetin që i është lënë shëndetësisë, nga ana tjetër shqetësues është fakti i mungesës së specialistëve.
“Në sistemin e shëndetësisë, çalon buxheti, çalon organizimi, çalojnë drejtuesit e aftë në sektorin e shëndetësisë, çalon kërkesa e llogarisë sipas hierarkisë. Pra, janë shumë gjëra që mungojnë”,- shprehet Din Abazaj. Ai ka vënë në qendër të vëmendjes QSUT-në, se cila pret numrin më të madh të pacientëve, dhe ka mjaft mangësi në dhënien e shërbimeve dhe mungesa të mëdha në investime.
Denoncimet
Pacientët përballen me probleme nga më të ndryshmet në spitale, duke filluar që nga shërbimi mjekësor që u ofrohet nga ana e mjekëve dhe deri te kushtet spitalore që lënë shumë për të dëshiruar. Abazaj ka bërë të ditur se pavarësisht se flitet çdo ditë për investime, në spitalet tona pacientët denoncojnë probleme nga më të ndryshmet, duke filluar që nga kushtet që ju ofrojnë ato.”Denoncime kemi plot, por sistemin nuk jemi ne që e rregullojmë praktikisht..Që kur pacienti shkon në spital, është i detyruar të shkojë me çarçafët e tij, nuk gjen ushqimin e duhur, ujin e ngrohtë, banjat për të cilat kanë nevojë të cilat janë kolektive, nuk gjen qetësinë fizike”, -vijon Abazaj. Situata në spitalet e vendit është tepër problematike, pasi asnjë qeveri deri më tani, nuk e ka vendosur në qendër të vëmendjes shëndetësinë dhe funksionimin e saj. Investimet dhe aparaturat që blihen apo dhurohen janë tepër të pakta në krahasim me nevojat dhe zhvillimet që ka ky sistem në vendet e tjera. Pavarësisht reformave që po bëhen, gjendja në spitale është ende e vështirë për shkak të kushteve dhe detyrimeve që kanë ata që shumë materiale apo ushqime bazë t’i marrin nga shtëpia.

Virusi AH1N1, shtim të rasteve të rënda nga gripi i derrit

Gripi i derrit po shfaqet dhunshëm në vendin tonë. Autoritet spitalore bëjnë të ditur se disa persona janë në rrezik për shkak të komplikacioneve të rënda që ka dhënë virusi në organizmin e pacientëve. Pas vdekjes së 57- vjeçarit nga Sukthi i Durrësit, virusi i rrezikshëm duket se ka vënë nëm shënjestër edhe pacientë të tjerë të prekur nga ky virus. Mjekët kanë bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka pasur raste në gjendje të rëndë shëndetësore, të cilët po kurohen në spitale të ndryshme, si tek Infektivi apo pranë Sanatoriumit. Rasti i fundit që është shfaqur në gjendje të rëndë është ai i një pacienti që po kurohet në
Sanatorium. Nga mjekët konfirmohet se pacienti është në gjendje të rëndë prej gripit të derrit. Burime zyrtare pranë Spitalit të sëmundjeve të mushkërive, konfirmojnë se pacienti që po lufton me vdekjen, është një 38 vjeçar nga Tirana i cili është shtruar në Reanimacion prej një jave. Sipas mjekëve, analizat e disa ditëve më parë treguan se ai është prekur nga virusi i gripit të derrit.
Pacienti është në gjendje kome, dhe mbahet në jetë përmes frymëmarrjes së drejtuar. Raste të rënda mësohet se gjenden dhe në Reanimacionin e QSUT-së, por sipas mjekëve ata janë drejt përmirësimit. Rastet e prekura me virusin e gripit të derrit po shtohen çdo ditë dhe mjekët bëjnë apel për shtim të kujdesit shëndetësor sidomos për pacientët kronikë apo grupet e riskut të përcaktuara dhe nga OBSH. Shqipëria shënoi viktimën e parë nga gripi i derrit, para një jave. Ministria e Shëndetësisë bëri publik rastin e parë në vend që humbi jetën për shkak të virusit AH1N1. Pacienti nga Sukthi i Durrësit, rasti i të cilit ishte i konfirmuar nga autoritetet shëndetësore si mbartës i virusit AH1N1, humbi jetën në Spitalin Infektiv të Tiranës për shkak të komplikacioneve që pati nga virusi i gripit të derrit. Sipas Drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, viktima vuante nga tumori në prostatë. “Diagnoza e infeksionit me A H1N1 u konfirmua pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në ISHP. Pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive nga Spitali i Durrësit dhe i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare “Shefqet Ndroqi”, vuante prej shumë kohësh nga tumori malinj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe Infarkt Miokardi të një forme të agravuar”, - sqaroi Pipero.

Sëmundjet kardiovaskulare, kurimi duhet të bëhet që në fëmijëri

Problemet me sëmundjet kardiovaskulare shfaqen që në fëmijëri dhe duhen parandaluar në këtë periudhë. Mjekët bëjnë të ditur se mungesa e kurimit të hershëm të këtyre sëmundjeve ka çuar në numrin më të madh të rasteve të vdekjes nga këto sëmundje. Sipas mjekut kardiolog, Ahmet Kamberi, parandalimi i sëmundjeve të zemrës duhet të nisë që në fëmijëri. Shoqata e Kardiologëve Shqiptar ka bërë të ditur se aktualisht mungojnë kushtet për ndjekjen normale dhe parandalimin e kësaj sëmundje. Sipas tyre, në kushtet aktuale është e vështirë që gjendja shëndetësore e pacientëve të ndiqet hap pas hapi dhe të kurohen, pasi ka mjaft mungesa në aparatura dhe kushte, krahasuar me vendet e tjera europiane. Tre ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë nënshkroi Kartën Evropiane të Kardiologjisë, e cila do të vërë në pozita pune të gjithë mjekët të cilët leksionet shkencore duhet t’i vënë në zbatim. Kjo do të jetë dhe si një detyrë e mjekëve kardiologë për të certifikuar njohuritë në fushën përkatëse. “Karta është dokument i rëndësishëm, sfidë e kahershme në mënyrë të veçantë jo vetëm e Këshillit të Evropës, por Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është punuar vite të tëra për të unifikuar idetë dhe qëndrimet në të gjithë rajonin e Evropës. Në këtë moment, karta duhet parë si një dokument për veprim. Të gjithë ne ndajmë mendimin që pa një veprimtari intensive, edukative, dhe promocinuese në drejtim të parandalimit nuk do ta kishim bërë si duhet detyrën tonë, sepse do të kishim ngarkuar sistemin shëndetësor me patologji të rënda, e të kushtueshme dhe do bëhej e pasuportueshme për sistemin shëndetësor”, - deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë konferencës së fundit për kardiologjinë.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›