“The Sun” publikon foton e shqiptarëve teksa tregtonin një vajzë
LONDËR – Mediat britanike publikojnë foto tronditëse se si tre shqiptarë shisnin një lituaneze, të cilën e trafikonin për qëllime prostitucioni. Fotoja është publikuar në numrin e djeshëm të gazetën skandalistike londineze “The Sun”, ku shfaqen tre shqiptarë që po bënin pazarin për shitjen e një vajze 20-vjeçare. Në fakt i tillë ka ngritur shqetësimet në Britaninë e Madhe për trafikimin e qenieve njerëzore. Skotland Yard njofton se për një periudhë 1-vjeçare janë konstatuar të paktën 4000 raste të shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni. Përmes një komunikate për shtyp, Policia londineze ka dhënë alarmin për rritjen e tregtisë së seksit, sidomos tani, në prag të zhvillimit të Lojërave Olimpike 2012.
Shitja e vajzës
Në fotot e publikuara nga prestigjiozja britanike “The Sun”, pazari bëhej mes 3 shqiptarëve; Gazmend Turku, Agron Demarku dhe Izet Fejzullahu dhe viktima shitet për 3 mijë sterlina. “Pazari ndodh jashtë Selffridges, në rrugën “Oksford” të Londrës, dhe “malli” është një vajzë lituaneze rreth të 20-ave, që qëndron në të majtë, pak metra më tutje, pa mundur të bëjë asgjë. Ajo ruhet nga i vëlla i Agronit, Flamur Demarku, 34 vjeç. Detektivi i policisë, Richard Martin, thotë se personi në të majtë të fotos, Gazmend Turku, ka 3 mijë sterlina në dorë, me të cilat ai po blen një qenie njerëzore. Ajo është vetëm një produkt për ta. Në foto, personi Gazmend Turku po blen gruan për bordellon e tij nga dy burrat në të djathtë të tij, Agron Demarku, 22 vjeç dhe Izet Fejzullahu, 32 vjeç, të cilët drejtojnë 9 shtëpi publike. Ndërsa i vëllai i Agronit Demarkut, 34 vjeç, ruan viktimën. “Skllavja e seksit pritet t’i japë fitim pronarit të saj 100 mijë sterlina në vit duke bërë seks 25 herë në ditë në një bordello”, - shkruhet në artikullin “Sex slave sold for £3k on Oxford Street”, e botuar ekskluzivisht dje në “The Sun”. Gjithashtu në shkrim tregohet edhe për historinë e një 16-vjeçareje nga Shqipëria, e cila kishte ardhur në Londër me të dashurin e saj për një fundjavë dhe iu dorëzua një bande prostitucioni. Më tej tregohet se banda shqiptare që e trafikonte atë është arrestuar dhe është dënuar me 63 vjet burg. Dhe vetë viktima, së bashku me 21 vajza të tjera që ndodheshin në atë shtëpi publike tashmë janë të lira. Por ka edhe shumë vajza të tjera që nuk kanë fatin e vajzës në foto, por që shfrytëzohen barbarisht nëpër bordello.
Rritja e trafikut
Duke qenë në prag të Lojërave Olimpike 2012, Policia londineze jep alarmin për rritjen e prostitucionit në Britani. Në kuadër të fushatës për parandalimin e kësaj tregtie policia ka ndërmarrë një sërë masash, mes të cilave dhe një fushatë për ndërgjegjësimin e vajzave në vendet e Europës Lindore për të mos u mashtruar nga premtimet për një jetë më të mirë në kryeqytetin britanik. Oficerët e Policisë londineze kanë frikë se numri i vajzave që trafikohen nga Europa e Lindjes po rritet teksa Londra përgatitet për Lojërat Olimpike 2012. Policia informon se vetëm brenda 2003-shit, 4 mijë gra janë trafikuar në Britaninë e Madhe për prostitucion. Një skuadër e posaçme e policisë është ngritur për të rënë në gjurmë të baronëve të seksit. Policia po viziton vendet e Europës Lindore për të ndërmarrë një fushatë ndaj vajzave që të mashtrohen për të ardhur në Britani.
Pranga autorit, grabiti dyqanin “Eagle Mobile” dhe zyrën e PD-së
RRËSHEN - Dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë grabitur një dyqan “Eagle Mobile”, një lokal bar-kafe si dhe zyrat e Partisë Demokratike të Rrëshenit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, pas një hetimi të kryer në lidhje me tre grabitjet, rezultuan fajtorë shtetasit M. Vorfi dhe Ermal Biba. 17-vjeçari Vorfi është arrestuar ditën e djeshme nga policia, ndërsa bashkëpunëtori tjetër, Ermal Biba, është shpallur në kërkim. M. Vorfi është lindur dhe banues në fshatin Geziq të Rrëshenit, në bashkëpunim me 25-vjeçarin Ermal Biba, banues në qytetin e Lezhës, kanë vjedhur dyqanin e “Eagle Mobile”, zyrën e PD-së dhe një lokal në data të ndryshme. Konkretisht, dyqani “Eagle Mobile” në qytetin e Rrëshenit është vjedhur në datën 13 nëntor, lokali bar-kafe në Rrëshen 6 ditë më pas, kurse zyra e PD-së në Rrëshen është vjedhur në datën 31 gusht të këtij viti. Nga ana e policisë po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të autorëve, gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të vjedhura, si edhe gjetjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të Ermal Bibës. Materialet do t’i kalohen Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “vjedhjes”.
Arrestohet në flagrancë, grabiti dy makina
TIRANË - Prangoset autori, i grabitjes të disa automjeteve në kryeqytet. Sipas burimeve policore të Tiranës shtetasit Flamur Matoshi, 20 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë, është arrestuar ditën e djeshme pasi akuzohet për grabitjen e dy mjeteve. 20-vjeçari Matoshi ka qenë i dënuar dhe më parë për plagosje më thikë. Ky shtetas, në bashkëpunim shtetasit E. S dhe M. N. (tashmë të arrestuar), në Unazë të Re, dyshohen se kanë vjedhur mjetin tip “Lancia”, me targa italiane. Nga hetimet e bëra rezultoi se shtetasi Flamur Matoshi, në bashkëpunim me shtetasin R., R., 21 vjeç, dyshohet të jenë autorë të vjedhjes së mjetit tip “Benz 250”, me targë TR 9617 N. Kjo grabitje ka ndodhur më datë 25 nëntor 2009, në rrugën Niko Avrami në Tiranë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.
Tenton të vetëvritet, pi bar miu
KORÇË - Një i ri përpiqet t’i japë fund jetës duke konsumuar një sasi helmi bar miu. Sipas burimeve policore, shtetasi F. Qyteza, i moshës 20 vjeç, lindur e banues në fshatin Rrov të rrethit të Korçës, ditën e diel ka konsumuar një sasi të konsiderueshme bar miu. Familjarët menjëherë e kishin transportuar menjëherë në Spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve spitalore, 20-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihen arsyet e krimit. Policia, nga ana e saj, po heton për motivet. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Korçës.
I shpërthen kapsolla në dorë, i shkakton djegie të rënda
MALËSI E MADHE - Një adoleshent është plagosur ditën e diel nga shpërthimi i një kapsolle në dorë. 16-vjeçari Z. Koçeku, lindur e banues ne fshatin Gimaj, komuna Shale, Dukagjin, ishte duke ndezur një kapsollë që i shpërtheu në dorë dhe i ka shkaktuar djegie në fytyrë, sy dhe në dorën e djathtë. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezulton se ky shtetas ka qenë duke kullotur bagëtinë rreth 300-400 metra në afërsi të banesës së tij dhe rreth orës 16:00. Ndërsa po përpiqej të ndizte një kapsollë, i ka shpërthyer duke i shkaktuar dëmtime në disa pjesë të trupit. Menjëherë është transportuar në spital për t’u mjekuar. Në lidhje me ngjarjen materialet do t’i kalojnë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër për hetime të mëtejshme.
8 Dhjetor 2009