E Hënë, 2 Nëntor 2026

Abazi: Do investoj për zhvillimin e Dibrës

02/05/2005  Kandidati i PS-së tha se deri tani parlamentarët nuk kanë kontribuar për zonën

Kandidati i PS-së në Dibër, Sadri Abazi, në një intervistë për "Metropol", thekson se në rast se do të fitojë zgjedhjet, mandatin do ta përdorë për zhvillimin e zonës dhe jo për përfitime personale.

Z. Abazi, duke qenë se nuk jeni anëtar i asnjë force politike, çfarë ju shtyu të pranonit ftesën e PS-së për të kandiduar?

Së pari, dua të shpjegoj se ishte kjo forcë politike, strukturat e Partisë Socialiste në Dibër, elektorati i kësaj zone, që kërkoi kandidimin tim në këto zgjedhje. Deri tani nuk jam marrë me politikë, mirëpo kur ta kërkojnë e ndjen si obligim të marrësh përsipër diçka,

gjithnjë në të mirë të komunitetit. Ajo çfarë më shtyu më shumë të pranoj ftesën për kandidim, është fakti që jam banor i zonës nga ku do të kërkoj votën e zgjedhësve. Ndaj vendosa që t’u drejtohem bashkëqytetarëve të mi, të më besojnë në këtë rrugë që zgjodha, pasi e them me siguri që nuk kam për t’i zhgënjyer.

Sa besoni se zgjedhësit do t’jua besojnë votën?

Ndonëse fushata ende nuk ka filluar zyrtarisht, unë do t’u drejtohem zgjedhësve të zgjedhin personin të cilit i besojnë më shumë. Vota e tyre duhet të shkojë tek ata njerëz, të cilët nuk e përdorin mandatin e tyre për t’u pasuruar apo për të krijuar privilegje të

tjera për veten. Mua në këtë drejtim më njohin shumë mirë dhe e dinë se unë nuk kam për ta përdorur mandatin për pasuri, apo për privilegje. Këto i kam siguruar falë punë sime ndër vite, dhe jo falë përfitimit të ndonjë mandati politik, apo posti ekzekutiv.

Ndonëse fushata ende nuk ka filluar, çfarë keni menduar t’u premtoni atyre që do t’ju kërkonin votën?

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se kjo zonë gjatë këtyre viteve të demokracisë, ka qenë disi e prapambetur. Fshatarëve jo vetëm që iu ka munguar mbështetja për të qenë të suksesshëm në bujqësi dhe blegtori, por iu ka munguar edhe infrastruktura bazë për të bërë një jetë normale. Kandidatët për deputetë, gjatë këtyre viteve nuk e kanë përdorur mandatin e tyre në funksion të mirëqenies së banorëve. Ata nuk e kanë ngritur zërin në Parlament, dhe nuk kanë trokitur fort në dyert e ekzekutivit për të kërkuar investime për zonat e tyre. Dua të siguroj votuesit e mi se, do të jem një zë i fuqishëm në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›