E Hënë, 2 Nëntor 2026

Specialistët: Shpëtoni ekosistemin më harmonik të rajonit

02/05/2005  Rajoni i Shkodrës, vlerat natyrore dhe gjendja aktuale e tyre pas 10 vitesh dëmtime

SHKODËR – Në dhjetë vitet e fundit, në Shkodër është shkatërruar pasuria më e madhe, që ky qytet ka, siç janë vlerat natyrore e mjedisore. Në vend të zhvillimit të turizmit, persona të papërgjegjshëm kanë “kultivuar shkatërrimin” e florës e faunës, duke shkaktuar dhe dëmtime seriozë. Alarmi jepet nga qëndra rajonale e mjedisit për Europën Qendrore e Lindore, REC. Rajoni i Shkodrës, njihet nga ekspertët, si një nga zonat me vlerat më të pasura natyrore dhe mjedisore, që po të ruhen dhe shfrytëzohen siç duhet, do të ndikojnë dukshëm në zhvillimin ekonomiko-social, jo vetëm të kësaj zone, por edhe të zonave përreth saj. Qendra Rajonale e Mjedisit (REC),për Europën Qendrore dhe Lindore, pas një studimi të hollësishëm të kësaj zone, ka arritur në konkluzionin se, në sajë të pozicionit gjeografik të përshtatshëm që ka kjo zonë, resurset e shumëllojshme të trashëguara, ndërthuren në mënyrë perfekte, duke shpalosur vlerat e një mjedisi tërheqës që krijon mundësi të mëdha për investime në fushën mjaft fitimprurëse të turizmit.

Dëmtimet

Por, përveç vlerave natyrore, REC-i ka studiuar edhe nivelin e dëmtimeve të këtyre vlerave në zonën e Shkodrës. Kështu, studimet kanë nxjerrë që gjatë 10-vjeçarit të fundit, ka pasur mjaft dëmtime në pyje, në zonën e Cukalit, Vilëzës, Shoshit, Mnelës dhe veçanërisht në atë të Vermoshit. Dëmtime kanë rezultuar edhe tek biodiversiteti i liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, të cilat janë shkaktuar nga gjuetia pa kriter, peshkimi me mjete shfarosëse dhe në periudha të ndaluara. Gjithashtu, gjatë këtyre viteve, është dëmtuar vegjetacioni i brigjeve të liqenit dhe lumit, ku janë hedhur mbeturina dhe janë bërë ndërtime. Shqetësuese, paraqitet edhe gjendja e sipërfaqeve të gjelbëra në hyrje të Shkodrës, pranë lumit Buna, ose më saktë, lulishtja e ”Pazarit të Vjetër”, që përfshinte 81 700 m2 gjelbërim, por që nuk i ka shpëtuar dëmtimeve të mëdha. Po kështu, dëmtime ka pasur edhe në kurorën rrethuese të qytetit në një rreze prej 1 deri në 3 km. Edhe erozioni, sipas qëndrës Rajonale të Mjedisit për Europën qëndrore e lindore mbetet problematik, sidomos në fshatrat Dajç dhe Shirq pranë bregut të lumit Buna, ku zona të tëra janë të papyllëzuara dhe të dëmtuara nga fenomeni erozion. Një problem shqetësues që po dëmton ekosistemin, është edhe hedhja e mbeturinave në shtratin e lumit Kir, që derdhet në lumin Drin e më pas në lumin Bunë.

Propozime

Duke parë të gjitha këto fenomene negative që po e dëmtojnë zonën e pasur natzrore të Shkodrës, specialistët e mjedisit shprehen se instancat përkatëse, duhet të hartojnë strategji të shpejta dhe efikase në mënyrë që të ruhen dhe ripërtërihen të gjitha vlerat e padiskutueshme mjedisore dhe natyrore të zonës së Shkodrës, si dhe të merren masa të menjëhershme për ruajtjen nga dëmtimi i mëtejshëm i këtyre vlerave.

Sipas specialistëve, ruajtja dhe ripërtëritja e këtyre zonave, arrihet duke iu dhënë statusi i “zonave të mbrojtura“ të gjitha zonave me biodiversitet dhe vlera të larta ekologjike. Ndërkohë sipas specialistëve, duhen marrë të gjitha masat për mbrojtjen e vlerave ekologjike të zonave të dëmtuara nëpërmjet projekteve dhe programeve të veçanta nga institucionet që merrën me ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit. Sipas tyre, duhen monitoruar dhe ruajtur terrenet e pasura, duke ndaluar ndërhyrjet abuzive, duke eliminuar faktorët shkatërrues të mjedisit, në mënyrë që të krijohet një harmoni ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe atij ambjental. Specilialistët kanë propozuar që për të ruajtur impaktin ambjental, duhen ngritur struktura administrative dhe ligjore, që do të merrën me këto pasuri të mrekullueshme. Marrja e gjithë këtyre masave, do të bëjë që të gjitha vlerat mjedisore dhe natyrore të zonës së Shkodrës, të futen në rrjedhën e shfrytëzimit nga fusha e turizmit, që do t’i japë një zhvillim të shpejtë kësaj zone, e cila tani për tani njihet si zona më e varfër ekonomikisht, pavarësisht nga vlerat e mëdha mjedisore dhe natyrore që mbart në vetvete.

Thesaret e harruara të Shkodrës

Natyra, e thënë me plot gojën, i ka privilegjuar banorët e zonës së Shkodrës me mjediset e pasura me vlera natyrore plotësisht origjinale, ku më kryesoret janë, Liqeni i Shkodrës, Lumi Drin, Kaskadat e Drinit (liqenet e Vaut të Dejës dhe Komanit), Lumi Buna, Plazhi i Velipojës, Rezervati i Velipojës, Laguna e Vilunit, Zona e Kelmendit, Bjeshkët e Namuna dhe Parku Kombëtar i Thethit.

Më saktësisht, për të dhënë vlerat e detajuara të kësaj zone, drejtuesit e REC, i referohen ekosistemit më të pasur në Ballkan, që përfaqësohet nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna, që buron nga ky liqen. Studimet kanë nxjerrë se ekosistemi paraqitet me një biodiversitet të admirueshëm. Kështu, Liqeni i Shkodrës me një sipërfaqe prej 368 km2, nga të cilat brenda kufijve shqiptarë ndodhen 156 km2, sepse pjesa tjetër ka mbetur brenda kufijve të Malit të Zi, numëron një pasuri të rrallë brenda tij. Studimet e biodiversitetit kanë nxjerrë, 281 lloje shpendësh, 61 lloje peshqish, 17 amfibësh, 33 reptilësh, 37 gjitarësh, 39 molusqesh dhe 122 lloje bimësh, shifra këto që dëshmojnë për vlerat e padiskutueshme të këtij liqeni. Vlerat mjedisore të kësaj zone shtohen dukshëm, po të kihet parasysh fakti se ka një lidhje të njëpasnjëshme të liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe detit Adriatik, lidhje në të cilën vihen re ligatina të shumta dhe mjedise të mrekullueshme për zhvillimin e turizmit. Por jo vetëm kjo pjesë të ofron pasuri dhe mundësi të zhvillimit të kësaj fushe, sepse më në veri të kësaj zone ndodhen alpet, të pasura me një mjedis interesant dhe tërheqës në shumë aspekte.

Alpet madhështore ofrojnë bukuri dhe dhe peisazhe të rralla, ndër të cilat më të rëndësishmet janë zona e Kelmendit, Bjeshkët e Namuna, Rrafshi i Dukagjinit, ndër të cilat shfaqen luginat e lumenjve alpinë, siç janë ai i Cemit dhe i Vermoshit, me ujëra të pastra qelibar, me ujëvara të mahnitëshme dhe liqene të tipit alpin. Por kur studiohen vlerat e zonës së Shkodrës, nuk mund të anashkalohet prania e sistemit malor alpin që ndodhet në majat e larta mbi 2000 m, ku spikat malësia e Bjeshkëve të Namuna me peisazhet e veçanta që ofrojnë cirqet, luginat akullnajore të Jezercës, Sefercës, Vermoshit dhe Lepushës. Por, vlerat natyrore të alpeve, nuk mund të kuptohen pa biodiversitetin e rradhë të bimësisë, florës dhe faunës, ku livadhet janë epitetuar si “qylyma me lule shumëngjyrëshe”, ndërsa pyjet madhështore si “mushkëritë” e kësaj zone, epitete këto të njëllojta edhe për Parkun e Thethit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›