Dhuna në Dibër, furtunë në polici
Etleva Delia
Pesë oficerë të lartë policie u ndëshkuan me masa disiplinore, ndërsa për dy drejtues të lartë filloi procesi i ndëshkimit, pas akuzave se policia e Dibrës shkaktoi hedhjen e një 15-vjeçari nga kati i tretë i Komisariatit të Peshkopisë.Ndëshkimi i zyrtarëve të policisë lokale u konfirmua dje gjatë një konference të përbashkët për shtyp nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi dhe Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Objekt i kësaj konference ishte ngjarja e datës 7 prill 2009 ku 15-vjeçari, Edison Lleshi është hedhur nga dritarja e katit të tretë në ambientet e Komisariatit të Peshkopisë. Sipas familjarëve të 15-vjeçarit, ai ishte shoqëruar për vjedhje, ndërsa ngjarja ka ndodhur si rezultat i dhunës së ushtruar nga policët ndaj të miturit. Avokati i Popullit, i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të marrë masa urgjente ndaj punonjësve të Komisariatit të Peshkopisë, të cilët janë përfshirë në këtë skandal. Më pas Dobjani ka dorëzuar në Prokurori dosjen me shkeljet e dyshuara nga policia e Dibrës. “Veprimet e policisë në Peshkopi kanë një sërë shkeljesh të normave të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjit për Policinë e Shtetit në lidhje me shoqërimin, thirrjen dhe pyetjen e personave të mitur në Policinë e Shtetit”, tha Avokati i Popullit.
Reagimi i policisë
Kërkesa e Avokatit të Popullit për ndëshkimin e policëve gjeti mbështetjen e kreut të Policisë së Shtetit. Ai ka marrë menjëherë masa disiplinore ndaj pesë drejtuesve të komisariatit të Peshkopisë, deri në përfundim të hetimeve nga Prokuroria. Masat janë dhënë për komisar Pavlin Zhivani, me detyrë shefi i Seksionit të Parandalimit të Krimit dhe Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Peshkopisë, i cili është pezulluar pa pagesë për 30 ditë. Të njëjtën masë disiplinore ka marrë edhe nënkomisar Admir Trupja, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve të Lehta, në Komisariatin e Peshkopisë. Ahmet Prençi ka dhënë tre masa disiplinore “shtyrje e afatit të gradimit për 12 muaj” për komisar Xhezair Hoxha, me detyrë, shefi i Seksionit të Rendit dhe Sigurimit të Objekteve në Komisariatin e Peshkopisë, kryeinspektor Sinan Merdini dhe Fatmir Ndreu, me detyrë, përgjegjës grupi, në Seksionin e Rendit dhe Sigurimit të Objekteve. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm ka deklaruar se ka nisur procedimi disiplinor për drejtues Fran Rica me detyrë zv/drejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Dibrës dhe kryekomisar Aledin Omuri, me detyrë Shefi i komisariatit të Policisë Dibër.