E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abdullah Pango

Nga Selvije Bajrami & Jeton Musliu, Gazeta Express

Abdullah Robaj është selektuar në rrethin e ngushtë për kandidat në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Në kohën kur ka qenë gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, ai i ka kërkuar shërbime seksuale një femre në këmbim të lirimit të burrit të saj nga burgu. “Express” sjell dosjen e plotë

E kaluara e tij e pandershme nuk e ka penguar Abdullah Robajn të synojë pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, institucion i cili është më i larti që merret me drejtësinë në vend.

Mes 38 kandidatëve të përzgjedhur për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është edhe Robaj. “Express” ka siguruar dosjen skandaloze të ish-gjyqtarit hetues në Gjykatën e qarkut në Prishtinë, që mund të krahasohet me aferën Ylli Pango, ish-ministrin e Kulturës në Shqipëri. Në këtë rast ndryshon vetëm mënyra e denoncimit.

Në vitin 2002, për shkak të lakmisë së tij seksuale, gjyqtari Robaj ka rënë në kundërshtim me ligjin.

Në këtë kohë ai është përpjekur të shfrytëzojë pozitën e tij zyrtare në këmbim të marrëdhënieve seksuale me një grua, emrin dhe identitetin e së cilës e ka siguruar “Express”.

Në atë kohë, si gjyqtar hetues, Robaj kishte caktuar tridhjetë ditë paraburgim për një të dyshuar (identiteti është i njohur për redaksinë), në lidhje me veprën penale të prostitucionit. Bashkëshortja e të pandehurit kishte shkuar te zyra e gjyqtarit Robaj, me qëllim që të marrë leje për të vizituar të shoqin e saj në burg. Herën e parë ajo nuk kishte mundur ta merrte këtë leje. Gjyqtari i kishte caktuar asaj termin për të nesërmen. Në ditën vijuese, në këmbim të lejes për vizitë në burg, ai kishte tentuar ta puthte atë. Por gruaja kishte kundërshtuar, me arsyetimin se nuk ishte në karakterin e saj një veprim i tillë.

Të njëjtën ditë, pas bisedës me gjykatësin Robaj, kjo grua njofton vëllanë e saj në lidhje me këtë incident. Vëllai i saj i jep një diktofon (incizues zëri), dhe e këshillon të shkojë sërish te gjykatësi për të parë se çfarë në të vërtetë donte ai.

Pas fundjavës, sipas dokumenteve zyrtare, më 26 shkurt 2002, gruaja shkon te gjykatësi Robaj për të marrë leje që t’i bëjë vizitë burrit. Rojet e gjykatës nuk ia hetojnë diktofonin (në gjykatë është e ndaluar futja e aparateve, kamerave, apo diktofonëve), duke bërë që gruaja ta regjistrojë tërë bisedën me Abdullah Robajn, tash kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë rast, gjyqtari Robaj e kishte pyetur gruan për arsyen pse ajo nuk dëshironte të flinte me të. “Burri yt ka aq shumë prostituta nëpër duar”, - ishte shprehur ndër të tjera ai. Duke u ndier më e sigurt me incizuesin e zërit në xhep, gruaja e të akuzuarit e kishte pyetur gjyqtarin se çfarë ishte në gjendje ai të bëjë për burrin e saj, nëse nuk do të pranonte të flinte me Robajn. Gjyqtari i kishte thënë se “do ta dënoj, çfarë bëhet, nëse fle një herë me mua dhe ai del prej burgut. Nuk do të të detyroj, vetëm nëse do”.

Ajo ishte larguar nga gjykata për t’u kthyer më 4 mars 2002, që të marrë sërish leje për vizitë burrit të saj. Por kësaj radhe gruaja kishte marrë më vete edhe një të afërm të burrit. Në momentin kur kishte hyrë në zyrë te gjyqtari, ai e kishte larguar daktilografen e tij dhe shoqëruesin e kësaj gruaje me arsyetimin se “kemi një punë sekrete”. Kjo bisedë “sekrete” kishte të bënte me gatishmërinë e gjyqtarit Robaj që personalisht ta shoqërojë gruan në vizitë tek i shoqi i saj në burg, por me dy kushte.

Ai i kishte propozuar kësaj gruaje që fëmijët të mos i marrë me vete dhe gjatë kthimit të ndaleshin në ndonjë motel.

Biseda në këtë rast, sipas dëshmisë së gruas, ka vazhduar me kundërshtimin e saj për favore seksuale në këmbim të lirimit të të shoqit. “Ta dish se ti je duke i bërë sherr burrit tënd”, - i kishte thënë ndër të tjera Robaj gruas në fjalë.

Pas kësaj fjalosjeje, gruaja kishte ngritur dorën, ndërsa i kishte treguar gjyqtarit për mjetin incizues që posedonte. Në këtë rast gjyqtari nuk ishte shqetësuar shumë duke thënë se ajo nuk kishte çfarë të bënte.

Megjithatë, e tërë kjo histori është pjesë e dosjes së Abdullah Robajt, dokumente të cilat ndodhen në arkivin e ish-Departamentit të Drejtësisë, përkatësisht në Njësinë e Inspektimit Gjyqësor.

Kjo dosje, të cilën e ka edhe “Express”, mban numrin 2002/03 të datës 12 mars 2002, përfshirë edhe emrat e të gjithë protagonistëve të kësaj ngjarjeje.

Me gjithë veprimet e së kaluarës, Robaj e ndien vetën të pastër për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai, si dhe 33 kandidatë, të martën kanë hyrë në testin e parë eliminues. Në këtë test ishin paraparë të hynin 38 kandidatë që janë pjesë e listës së ngushtë.

Por, Ibrahim Makolli, zëvendëskryesues i Komisionit për Zgjedhjen e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, thotë se katër prej tyre kanë munguar dhe si të tillë eliminohen automatikisht nga gara.

Komisioni i udhëhequr nga kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, do të mblidhet të premten për të shqyrtuar testin e plotësuar nga kandidatët.

Çuditërisht “prova” që kandidatët kanë për të kaluar, përfshin edhe ish-gjyqtarin Abdullah Robaj, i cili sikurse të tjerët është dashur të përgjigjet në pyetjet se: “A keni rënë ndonjëherë në kundërshtim me ligjin?” Kjo është pyetja e parë e testit, pasi kandidatët kanë shkruar edhe një esé se si ata e konceptojnë Gjykatën Kushtetuese.

Ky institucion është themeluar para një muaji bazuar në Ligjin për themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në të parashihen që të jenë gjithsej nëntë gjyqtarë, tre duhet të jenë ndërkombëtarë, katër shqiptarë, ndërsa dy nga minoritetet. Mandati i tyre është tri herë nga tre vjet.

Dialogu

Pjesë nga dialogu ndërmjet gruas dhe gjyqtarit Abdullah Robaj, i cili pas një kohe, për arsye të panjohura, ka dhënë dorëheqjen nga pozita si gjyqtar hetues në Gjykatën e qarkut në Prishtinë. Nga tërë kjo bisedë nga transkripti janë mbushur katër faqe e gjysmë.

Robaj: Jo. Unë e kam për ty, s’di çfarë ke mendu, unë nuk e di çfarë mendon ti. Mirëpo, unë...(nuk dëgjohet regjistrimi)

Gruaja: Kam 5 vjet martesë, 15 vjet që e njoh (përmend emrin e burrit të vet). Tash e tutje me ty, vetëm kur të vij të marr ndonjë letër-vizitë.

Robaj: Po...

Gruaja: Të lutëm, as nuk dua më shumë, as nuk më intereson më shumë, për mua le të dënohet dhjetë vjet, unë nuk muj me...

Robaj: Jo, jo...

Gruaja: (nuk dëgjohet)

Robaj: Jo, mos gabo, as unë nuk po të them. Veç dëgjo, nëse ke dëshirë vetë, që do...

(Gruaja dhe burri flasin në të njëjtën kohë dhe nuk kuptohet).

Robaj: Ai e ka pozicionin e vështirë. Të kam thënë, kushtëzime nuk të vë, se nuk jemi marrë vesh.

Gruaja: Jo, jo me kusht, ti më thua ke me fjet me mua e do ta lëshoj. Jo.

...Një pjesë tjetër e bisedës

Robaj: E, po s’e merr vesh kurrkush.

Gruaja: S’e merr vesh kurrkush? E merr. Ti ke vrarë veten.

Robaj: Jo.

Robaj, edhe herë të tjera ndesh me ligjin

Në vitin 2001, saktësisht më 21 nëntor, patrulla e trafikut e Njësisë Rajonale të trafikut në Pejë ndalon veturën të tipit “Volkswagen”, që lëvizte nga Gjakova në drejtim të Prizrenit. Arsyeja ishte tejkalimi i shpejtësisë. Vozitës ishte vëllai i Abdullahut, Arbeni.

Më 10 janar 2002, gjyqtari Robaj kishte shkuar në polici për të intervenuar në lidhje me rastin e të vëllait. Ai u thotë policëve se ishte aty në bazë të autorizimit të prokurorit publik të Kosovës, Mustafë Shalës.

Policët vendorë i kishin treguar atij se personi, i cili kishte tejkaluar shpejtësinë, posedonte leje të qarkullimit false, ndërsa gjyqtari Abdullah Robaj kishte kundërshtuar një gjë të tillë, duke ua tërhequr vërejtjen policëve se nuk po bëjnë punë profesionale. Ai madje u kishte thënë atyre se do të futen në listën e të përjashtuarve nga puna, pasi kishte deklaruar se e njihte shefin e policisë, Sheremet Ahmetin.

Gjyqtari u kishte kërkuar atyre që ta mbyllin rastin. Policja L. Z. kishte refuzuar një gjë të tillë, duke ia bërë me dije se mund të kishte pasoja. Gjyqtari Robaj nuk është ndalur me kaq. Ai kishte kërcënuar policen se mund të humbasë punën “ashtu siç iu ka ndodhur edhe shumë të tjerëve”.

I pakënaqur me policët vendorë, Robaj kishte kërkuar që të bisedonte me policë ndërkombëtarë, teksa policët vendorë ishin çuditur nga veprimet e një gjyqtari.

I tërë ky rast gjithashtu ka përfunduar në Departamentin e Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›