E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja e pavarësisë nga Serbia është në të mirën e saj

Nga Baton Haxhiu

Zgjedhjet e paralajmëruara lokale në Kosovë kanë hapur të gjitha opsionet e mundshme. Asnjë hapësirë politike për një opsion të ri nuk ka mbetur. Janë ofruar të gjitha variantet, që realisht janë në qarkullim në tregun politik shqiptar, serb dhe ndërkombëtar.

Të gjitha këto janë pjesë e debateve ditore politike, por asnjëra prej tyre nuk ka mbështetje reale pa vazhdimin e qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe pa dhënien fund të problemit të veriut.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Thaçi hapi derën e ballafaqimit, duke paralajmëruar se është i gatshëm të bisedojë me kryetarin serb, Tadiç. Një situatë e ngjashme me atë që Xhinxhiç dikur i bëri Hashim Thaçit. Por situata e atëhershme dallon shumë nga kjo e sotmja.

Por, para se të ndodhë një takim, fuqitë perëndimore duhet ta qartësojnë pozicionin e tyre me të ardhmen e regjionit. Natyrisht që pavarësia është gjë e kryer, por po flasim për kupolën e sigurisë ballkanike.

Nëse fuqitë perëndimore do të tërhiqen ndonjëherë nga Kosova, sigurisht që Serbia e Kosova do të duhet të jenë në gjendje të gjejnë një formë të një marrëdhënieje të qëndrueshme. A do të jetë kjo e mundur, dhe kur, natyrisht që është e vështirë të parashikohet. Por lajmi i mirë dhe politikisht i guximshëm erdhi nga Prishtina.

Serbia nuk ka guxim të ballafaqohet as më të kaluarën, as më të tashmen, por as më të ardhmen. Kjo situatë e paqëndrueshme do një infuzion politik dhe ekonomik për të dyja vendet. Edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të kenë ma lehtë të gjejnë hapësirë për bisedime dhe për përfundim të armiqësisë shqiptaro-serbe.

Pra, varet shumë nga SHBA dhe Evropa dhe nga ajo se çfarë do të bëjë ajo në Kosovë dhe në Serbi. Prospektet për stabilitet dhe pajtim varen në pjesën më të madhe nga zhvillimi ekonomik në të gjitha vendet në rajon, por edhe nga marrëdhëniet e tyre përkatëse me Evropën.

Një tjetër temë e rëndësishme është përmendja e zvogëlimit të trupave të NATO-s në Kosovë. Por kjo nuk është mirë të ndodhë dhe nuk do të mund të paramendohet qetësia shqiptaro-serbe pa përfundimin e iluzionit serb për kthimin në Kosovë.

Trupat e Perëndimit do të mund të largohen, vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia do të jenë të lidhura me institucionet e Evropës në ndonjë formë serioze.

Se a do të mund të ngrihet Evropa në këtë nivel dhe të dalë me një proces integrues afatgjatë, mbetet të shihet. Evropa ka shumë gjëra të tjera në mendjen e vet. Por kjo është rruga për të ikur nga lufta.

Pyetja tjetër që shtrohet është: A dëshirojnë kosovarët shtet funksional?

Në Kosovë tashmë idetë politike nuk po ndeshen më me frikë dhe antagonizma të thella. Nuk është kjo një situatë, që mund të ndryshohet shpejt e shpejt. Por një gjë dihet: Kosova është para sfidës më të madhe politike. Ajo ose duhet të vazhdojë rrugën e formimit të shtetësisë dhe të arrijë numrin e njohjeve apo edhe për disa vjet të jetë nën OKB (dhe atëherë të mendojë për të ardhmen e saj). Situatë kjo që vazhdimisht kërkon kohë dhe diskutime të gjata dhe bindje e siguri për anëtarët e BE.

Në këtë rast, në këtë periudhë do të ballafaqohemi edhe me imponim idesh nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos nga ana e BE. Ata thonë: “Nuk mund të përkrahin më ndonjë proces dezintegrimi në Ballkan, kur e tërë Evropa shkon drejt integrimeve”. Por si mund të ndalet kjo, kur një Serbi është vazhdimisht duke trokitur në variantin e dezintegrimit?

Por kjo është e kotë të diskutohet, kur tashmë dihet, por edhe duhet rikujtuar se proceseve të integrimeve evropiane u ka paraprirë një proces i vetëvendosjes së popujve, shtetformimit të tyre, e pastaj shtetet me vetë vullnetin e popujve të tyre kanë vendosur të integrohen. Për këtë arsye integrimet evropiane janë të qëndrueshme, sepse janë të bazuara në vullnetin e lirë të shteteve dhe nuk janë të imponuara. Të gjitha integrimet e llojit tjetër, që kanë qenë të detyruara me dhunë, siç pretendon ta bëjë Serbia me Kosovën, apo përmes centralizmit komunist, si Federata ruse dhe ajo jugosllave, jo vetëm se nuk kanë qenë të qëndrueshme, por baza e tyre artificiale ka shkaktuar tragjedi për shumë popuj.

Është çështje tjetër se a ka kapacitet në Kosovë që një pjesë të BE ta bindë se pavarësimi i Kosovës vetëm është proces i vonuar historik i vetëvendosjes së popujve, që Evropa e ka tejkaluar moti, por janë të domosdoshme, nëse dëshirojmë paqe dhe stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Evropës. Gjithçka tjetër do të ishte e paqëndrueshme dhe potencial për kriza të reja.

Mbi këto shqyrtime statusore më e mira duket të jetë ajo e një viti më parë në “New York Times” për Kosovën. Njëri nga ekspertët kishte deklaruar: “Unë e di cila është e pamundura për zgjedhjen e problemit të Kosovës: I pamundur është kthimi i Kosovës në Serbi. Gjitha të tjerat janë të mundura”.

Në të njëjtin numër të kësaj gazete qe përgjigjur edhe një politikan serb që kishte deklaruar se “njerëzit e politikës në Serbi duhet ta kenë të qartë se as Serbisë nuk i duhet Kosova. Nuk mund të jemi kurrë shtet normal me Kosovën brenda”.

Por mendimi i përgjithshëm te ndërkombëtarët vazhdon të jetë se për serbët dhe Serbinë më i mirë është varianti i marrëveshjes me bashkësinë ndërkombëtare për të shpejtuar, ku pranimi i Kosovës nga ana e Serbisë do të garantonte shpejtësimin e procedurës së hyrjes në Evropë.

Ky variant nuk ndërtohet me një marrëveshje vetëm me shqiptarët, por një marrëveshje të veçantë shteti serb duhet ta ndërtojë me Brukselin dhe Uashingtonin për të hyrë në Evropë.

Prandaj, thirrja e Thaçit për takim duhet të ketë vetëm një pikë diskutimi: Sa më parë që të pranohet Pavarësia, aq më parë do të ndërtojmë mirëqenie dhe harresë nga ajo që ka ndodhur ndërmjet dy popujve. Nëse nuk mund të bëjmë pajtim historik, mund të bëjmë pajtimin e së tashmes për një të ardhme të qetë duke u larguar nga ankthi dhe memoria e shkatërrimit të njëri-tjetrit.

Marrë nga gazeta “Express”. Titulli është redaksional

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›