E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i OSSH, njësoj si ARMO

Nga Mero Baze

Qeveria shqiptare nënshkroi dje kontratën e shitjes së 76 për qind të aksioneve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike në vend, OSSH, për kompaninë çeke ČEZ, pasi ndryshoi pas tenderit publik kushtet e shitjes së kompanisë duke thyer rëndë legjislacionin shqiptar për tenderimet publike. Kompania çeke, e cila ka dhënë një çmim prej 129 milionë eurosh, në të vërtetë po e blen kompaninë tonë shtetërore me rreth 50 milionë euro më pak, pasi qeveria në një vendim të para disa ditëve mori përsipër borxhet e OSSH, duke ulur praktikisht çmimin real të shitjes së kompanisë dhe përfitimin që ka buxheti ynë nga kjo shitje.

Ky akt qeveritar u justifikua me pretendimet e palës çeke për problemet e OSSH dhe është shumë normale që ata të kenë pretendime. Të gjithë e njohim problemin e mosmbledhjes së të ardhurave nga OSSH dhe praktikat shpesh abuzive të kësaj kompanie. Por kjo kompani këtë profil ka dhe këtë situatë kishte para ankandit. Blerësit e tjerë të mundshëm, kur dhanë ofertën për ta blerë këtë kompani, kishin parasysh pikërisht këto probleme. Të njëjtat duhet t’i kishte parasysh dhe kompania çeke. Por e vërteta është se blerja është negociuar politikisht dhe i është premtuar ulje reale e çmimit pas tenderit. Ndodhi pak a shumë njësoj si në rastin e ARMO-s, kur Rezart Taçi, një tregtar i rëndomtë nafte në Shqipëri, në emër të një konsorciumi fiktiv dha një çmim të lartë në dukje prej 128 milionë eurosh. Sapo ai u bë fitues dhe ende pa paguar asnjë pará, qeveria merr vendim duke i dhënë atij ekskluzivitetin e naftës D2 dhe disa lehtësi të tjera fiskale që i mundësonin atij realisht ta blinte ARMO-n, siç e bleu, pa asnjë lek. Kjo situatë po përsëritet si dy pika uji sërish te shtija e OSSH. Pas ankandit, qeveria ndryshon kushtet e tenderimit dhe i fal blerësve rreth 50 milionë euro. Ky skandal duhet hetuar me përgjegjësi dhe në këtë proces hetimi duhen përfshirë dhe shitjet e tjera të bëra gjatë këtij viti, siç është ARMO që u shit praktikisht te Rezart Taçi dhe INSIG, që praktikisht e ka blerë Fatmir Mediu.

Ky akt dëshmon qartë se, pavarësisht aparencës, shitja te çekët është negociuar politikisht. Nga ana tjetër ka pasur një vrull investimesh nga buxheti publik në OSSH, pasi ajo është shitur realisht, çka është e palogjikshme që paratë e buxhetit të shkojnë te një kompani që tashmë nuk i përket më shtetit. Me to janë blerë matës elektrikë thuajse me prokurim të drejtpërdrejtë nga një kompani e afërt me familjen Berisha, e cila kontrollon gjithë komisionin e tenderit në OSSH. Kompania, avokate e së cilës është Argita Berisha, mund të ketë qenë lobuesja kryesore për shtimin e investimeve nga buxheti në OSSH dhe negociatore për faljen e detyrimeve dhe kjo duhet hetuar, nëse në të ardhmen do të shpërblehet me shitje kuotash apo pjesëmarrje indirekte në biznesin e ardhshëm të OSSH.

E vërteta është se qeveria ka favorizuar duke shkelur ligjet e shtetit shqiptar blerësin e OSSH dhe se deri më sot furnitori kryesor i OSSH është një biznesmen shumë i afërt me zotin Berisha dhe familjen e tij. Kjo rikthen hijen e skandalit të shitjes së ARMO-s dhe forcon rregullin se asgjë në këtë vend nuk mund të shitet apo të jepet me koncesion, nëse në të nuk janë të përfshirë njerëz të afërt të kryeministrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›