Flamuri mahnitet si qeveriset Katari nga një Familje
Flamuri ishte bërë xheloz për Frangajn. Ai burri, që kur kishte ikur në Katar, nuk e kishte marrë fare në telefon. As i kishte telefonuar dhe as i kishte treguar për rrugën. Natën e parë Flamuri e pranoi këtë pozitë, se e dinte që ishte i lodhur. Përveç mikpritjes nga kryeministri i Katarit, Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani, gjithçka tjetër ishte e tensionuar. Siç ia tregoi Frangaj më pas, sapo mbërriti në Katar, iu desh të kthente përmbys hotelin, derisa i montuan satelitin në dhomë për të parë TV “Klanin”, ku ishte debati për Pangon. Drejtuesit e hotelit “Sheraton” në Doha u tronditën shumë nga kërkesa e veçantë e kryeministrit, por, kur panë se ai kishte marrë me vete kartën satelitore të “DigitAlb”-it, u qetësuan dhe ia montuan shumë shpejt.
- Ky “DigitAlb”-i është televizioni juaj? - e pyeti tekniku me humor.
- Jo zotëri, është i mafies, por jo i gjithi. Ka dhe kanale të mirë brenda tij. Dua me pa ato kanale. Nuk kam punë me të tjera.
- Pse, janë kanale seksi të tjerat? - e pyeti recepsionisti?
- Jo zotëri, janë prostitucion politik, - i tha Berisha.
Tekniku i hotelit iku i hutuar pa marrë vesh gjë. Kishte dëgjuar bisedën e stafit që përmendej fjala “skandal” dhe “seks” dhe mendoi se kryeministri kërkonte një platformë dixhitale me seks, por s’ishte ashtu puna. Në fakt, Berisha po shikonte direkt emisionin e TV “Klanit” për rastin Pango. I dërgonte vazhdimisht sms Palokës dhe Frangajt. Arriti t’i japë dhe leje Frangajt që ta kritikojë shkarkimin e menjëhershëm. Duhej bërë kjo doemos. Ishte gabim i madh shkarkimi i menjëhershëm, se i dha autoritet atyre plehrave të “Fiksit”, thoshte me vete.
Në fund të emisionit u çlirua. Frangaj dhe Paloka ia kishin dalë të mbronin qeverinë dhe të krenoheshin me atë që kishte ndodhur.
Dje më në fund i telefonoi Flamurit. E pyeti si është situata.
- Mirë duket, - tha Flamuri. - Siç të kam thënë, janë pakësuar kërkesat për punë në administratë dhe kemi rënë pak rehat. Por dhe denoncimet janë shtuar shumë. Për shumë ministra vazhdojnë vijnë sms. ǒtë të them. Ka dhe gjëra për të qeshur. Një studente nga Gramshi, për shembull, ankohej se Genc Ruli njëherë i paska falur një punim artistik, që po ashtu ia kishin falur në Gjirokastër dhe ajo ia kishte hedhur në turi dhe i kishte thënë, “po qe se s’më jep lekë, do bëj namin.” Femra të përdala shumë. S’kanë faj ministrat. Dhe për Lul Bashën ç’farë s’thonë. Por e rëndësishme është që s’kërkojnë më punë. Kjo ka rëndësi. Ju si kaluat andej? Cila parti është në pushtet në Katar, aleatja jonë është?
- Flamur, këtu s’ka parti. Jo, ka në fakt, po janë një familje. Dhe janë shumë demokratë. Për shembull, kryetari i parlamentit është kunati i Mbretit. Ishte një burrë plak, babaxhan, i papërshkrueshëm. Më dëgjonte me endje, kur i flisja për Shqipërinë në NATO. Në fund më pyeti: “ǒështë kjo NATO?” Është plak Flamur dhe s’i dinë ca gjëra. I thashë janë ata që kanë bërë Luftën e Gjirit në 1990. “Ah, po, - tha, - atëherë kur shau Emiri i Kuvajtit gratë e Irakut dhe u nxeh Sadami.” Interesant Flamur, ndaj paska nisë lufta. S’e kemi ditë. E paska sharë nga gratë ky. Dhe ne duhet të tregohemi të kujdesshëm, se na ik ndonjëherë goja në Kuvend. Po janë familje e mirë. Kudo që shkojmë, na thonë s’kemi rrugë tjetër. Qeverisja me familje është shumë e sigurt. Ja, ky kunatin e ka kryetar parlamenti, baxhanakun ministër, gjithë baxhanakët e tjerë deputetë. Ne e teprojmë me këtë modesti. Vetëm pse i kemi baxhanakë apo kunetër, i çojmë në punë të rëndomtë. Këta i respektojnë. Jam çuditur shumë.
- Po fëmijët ku i ka ky Mbreti i Katarit? - tha Flamuri.
- Flamur, nuk e pyeta për fëmijët, se ashtu ka një histori ky. Ky e ka burgosë babanë në Zvicër në vitet ‘90, dhe i ka marrë fronin. I ka thënë, je i prapambetur, pengon vendin, dhe e ka zbuar nga vendi praktikisht. D.m.th., nuk e ka lënë të kthehet. Por ka bërë histori të re. Flamur, ky nga ‘96 deri tani ka bërë mrekulli. Al Jazeera ka fillu më ‘96. Një vit më parë se TV “Klan” dhe është e para e botës. ǒtë të them tjetër. E pyeta për rritjen ekonomike. Janë më të mëdhenjtë në botë. Mund të shkojmë dyshifrore, tha. Ridvani desh të më ngacmonte, se themi dhe ne që e kemi dyshifrore, po ia preva shkurt. Se këtyre Flamur nuk ua llogarit FMN, e llogarisin vetë, ndaj e thonë sa të duan.
- D.m.th., ky Mbreti s’ka fëmijë?
- Flamur nuk e pyeta dot, se të thashë, është siklet. Se këta nuk janë si fëmijët tanë që janë të dëgjuar e bëjnë ç’i themi ne. Këta e di vetë ti ç’të bëjnë. Se këtu është e gjithë familja në pushtet, Flamur. E kanë zgjidhë mirë. Dhe partitë i ndajnë. Njëri kunat për shembull në opozitë, një baxhanak në qendër, vëllai në pushtet dhe shkojnë në harmoni.
- Po për investime premtuan gjë? - pyeti Flamuri.
- Premtuan Flamur, po s’kisha ç’t’u thosha. Më thanë, na dërgo kë të duash, kunatin, baxhanakun, djalin dhe punojmë bashkë. Ti e di tani sa delikate është puna. U thashë, do ta shikoj. I falënderova, po e kupton ti tani që ca gjëra s’bëhen. Po qeverisje shumë demokratike, jam çuditur. Një harmoni familjare e pakonceptueshme d.m.th...
Dhe diçka tjetër Flamur se harrova. Aeroporti ishte një mrekulli. 5 miliardë euro ka kushtuar. I tëri i larë në flori. E kishte bërë “Bechtel”-i, por një mrekulli. Kur më thanë që dhe atë e ka bërë “Bechtel”-i, u mahnita. Pyeta mos ka ndonjë proces gjyqësor apo komision hetimor, jo më thanë. E kishin bërë në harmoni si familje. Shiko Flamur, Familja këtu është vlerë e madhe. Gjithë ato gjëra të mëdha që kanë bërë dhe asnjë zhurmë. Ne bëjmë kiametin për një miliard euro për gjithë atë rrugë 60 km. Këta 5 miliardë për një aeroport dhe asnjë fjalë nuk dëgjoje. Janë model Flamur.