Pluhuri dhe harresa po dëmtojnë veprat e Pjetër Gacit
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Harresa dhe pluhuri i kohës po dëmtojnë veprat e artistit Pjetër Gaci. Apelin para se të zhduken kryeveprat e kompozitorit shqiptar e bën bashkëshortja e tij, Tamara Gaci. Gruaja e artistit shkodran pohon se vepra që ka lënë bashkëshorti i saj rrezikohet nga lënia në harrese që mund t’i bëjë koha. Sipas saj, shiritat ku janë regjistruar veprat e të madhit Pjetër Gaci, po dëmtohen. “Duhet patjetër që të bëhet dixhitalizimi i kësaj pasurie të madhe. Përndryshe, e gjithë trashëgimia muzikore do të shkatërrohet. Nuk duhet të kujtohemi atëherë kur të jetë shumë vonë”, pohon ajo. Vepra e një prej artistëve më të mëdhenj jo vetëm të Shkodrës, por edhe të Shqipërisë, kompozitorit dhe violinistit të madh, Pjetër Gaci, duhet të merret nën kujdesin e strukturave të caktuara të Ministrisë së Kulturës. Këtë gjë e kërkon bashkëshortja e të ndjerit, e cila pohon se e gjithë vepra origjinale të mjeshtrit të kompozimit ndodhet në shtëpinë e saj. “Vjetërsia prej më shumë se gjysmë shekulli i shiritave do të bëjë të humbasin edhe vepra origjinale të tij. Janë vepra në të gjitha gjinitë muzikore dhe zanafilla e krijimtarisë së tij fillon në vitin 1951”, tregon kështu Tamara Gaci. Duke qenë një violinist virtuoz, Gaci ka krijuar koncertin e parë instrumental shqiptar, ku ka interpretuar edhe vetë. Pjetër Gaci ka shumë krijime të tjera dhe po ashtu edhe ekzekutime të tijat dhe të artistëve të njohur shqiptarë, por incizimet janë në shirita magnetofoni të vjetër dhe nuk mund t’i rezistojnë më kohës që ecën dhe kushtet bëjnë që këto shirita të dëmtohen. “Patjetër duhet që shumë vepra të tij të regjistruara në shirita apo që janë ende në partitura të transformohen në formë dixhitale moderne, pasi vetëm kështu mund të arrijnë të jetojnë gjatë në kohë. Koha që po kalon, rrezikon që vepra e madhe e Pjetrit të humbasë dhe bashkë me të edhe një kolonë e rëndësishme e muzikës shqiptare”, shprehet Tamara Gaci. Në veprën e madhe muzikore të Pjetër Gacit përfshihen vepra orkestrale dhe simfonike, vepra vokale, këngët për rininë dhe këngët për fëmijë. Aty, në ato shirita që po dëmtohen, në veprën e Gacit ka koncerte ku ka dirigjuar Mustafa Krantja, balada për violinë e orkestër, ku janë Radovani dhe dirigjent Rifat Teqja; ka solistin Johan Botka dhe dirigjentin Eno Koço, valle simfonike ku ka dirigjuar Ferdinand Deda, koncertino dhe koncert nën interpretimin e harqeve, opera “Toka Jonë” dhe premiera e saj, por dhe opera “Minatorët” si dhe kantata “O moj Shqypni”. Bashkëshortja tregon se në arkiv përfshihet dhe “Ekstazë Pranverore”, me tekst të Migjenit dhe e kënduar nga Gaqo Çako. Pjetër Gaci ka lënë në origjinal 30 këngë dhe mes tyre janë: “Të lumtur të dua”, “Jeho”, “Për ty Atdhe”, “Kur vjen pranvera”, “Baballarët” etj., të kënduara nga solistët më të mirë shqiptarë si: Vaçe Zela, Ema Qazimi, Tonin Tërshana etj. Ka edhe një koncert të madh me këngë të reja shkodrane, të shkruara së bashku me Zef Çobën. Për këtë rrezik duhet të sensibilizohet Ministria e Kulturës, për të mos lejuar një degradim të tillë të veprës së artistit të madh shkodran. “Në fund të fundit, vepra muzikore e Gacit është një pronë e të gjithëve dhe për më tepër, e shtetit shqiptar dhe e Shkodrës si qytet”, thekson Tamara.
Tamara, gruaja ruse e artistit
Zonja Tamara Gaci, (Kudrickaja), pas dekadash në qytetin e Shkodrës, nuk nguron të thotë se e ndien veten shkodrane. Ajo lindi në Moskë të Rusisë, në vitin 1937. Gjatë kohës kur Pjetër Gaci ishte student në Moskë u njoh me Tamarën, e cila braktisi vendlindjen për t’u lidhur në martesë me artistin shqiptar. Ka kryer Institutin Pedagogjik, në atë kohë dyvjeçar dhe aktualisht është kryetare e shoqatës jofitimprurëse, “Dimension Human”. Pëlqen në mënyrë të veçantë literaturën, poezinë dhe pikturën. Ka botuar një libër të titulluar “Impresione dhe Kujtime”. Megjithëse me shumë vite mbi supe, Tamara ka hiret e një gruaje të bukur me një inteligjencë të lindur, të një gruaje intelektuale që mundohet të emancipojë shoqërinë, pjesë e së cilës është ajo vetë.