Abiati kthehet në skuadër, rikuperohet edhe Ronaldinjo
Kristian Abiati është mes 20 të grumbulluarve të Milanit për sfidën e sotme në stadiumin "Olimpik" me Lacion. Portieri kuqezi mungonte prej 15 marsit të këtij viti, kur dëmtoi ligamentet e gjurit të djathtë pas një përplasjeje me shokun e ekipit, Favalli. Thirrja e Abiatit, i cili do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, shërben më shumë në aspektin psikologjik, ndërsa trajneri Leonardo sqaroi: "E grumbullova si portier të tretë. Në këto momente Dida po kalon një formë më të mirë; në portë nuk ekziston rotacioni". Në radhët e Milanit largohet edhe frika për gjendjen e Ronaldinjos, i cili nuk u stërvit të premten për shkak të një problemi muskulor. Fantazisti brazilian pritet të zbresë rregullisht në fushë, për të dhënë kontributin e tij. Në fund, Leonardo shprehu besimin se kampionati është ende i hapur: "Ekipi ka entuziazëm dhe kjo do të na ndihmojë të luajmë në nivele të larta. Diferenca nga Interi? Kampionati nuk ka përfunduar. Aktualisht, pesë skuadrat e vendeve të para, mund të luftojnë për titull".