E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylis ruan kryesimin në Cërrik, Partizani kapitullon në Elbasan

Bylisi vazhdon të shfaqet si skuadra pretendente për të fituar kampionatin e Kategorisë së Parë. Ballshiotët vazhdojnë serinë e fitoreve, pavarësisht nëse luajnë në shtëpi apo në fushë kundërshtare. Skuadra e drejtuar nga Ilir Spahiu ka ruajtur kreun e klasifikimit edhe pas sfidës së luajtur në Cërrik me Turbinën. Një gol i realizuar nga Dimo në minutën e 48 i ka dhënë Bylisit tri pikët, ndërsa ekipi vazhdon të ketë mbrojtjen më të mirë: vetëm dy gola të pësuar në dhjetë takime. Për t‘u theksuar është fakti se kjo ishte ndeshja e dytë për ballshiotët në Cërrik, në diçka më shumë se dy javë: në fakt, ata eliminuan Turbinën në turin e parë të Kupës së Shqipërisë (humbje 1-0 në Cërrik dhe fitore 3-0 vetëm katër ditë më parë në Ballsh). Nuk gabon as Elbasani, ndjekësi më i afërt i kryesuesve të kampionatit. Verdheblutë fituan 3-2 në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave, kundër Partizanit në "Ruzhdi Bizhuta". Pesë golat u shënuan në pjesën e parë, ndërsa prej minutës së 42-të, miqtë luajtën në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Pinarit. Të kuqtë kaluan dy herë në avantazh me Asllanin dhe Pashajn (në minutat 13 dhe 23), por sërish kapitulluan. Një gol i Raboshtës në të 16-ën dhe dy rrjeta të Hyshmerit (35 dhe 38) i dhanë fitoren të besuarve të Dostit. Për Partizanin ky ishte kapitullimi i radhës jashtë kryeqytetit: "demat" nuk kanë fituar asnjërën prej pesë ndeshjeve të luajtura deri më tani jashtë fushës. Me dy gola të Bubeqit dhe një të Korreshit, Lushnja mposht 3-0 Gramshin, ndërsa spikat një tjetër goleadë e Adës së Velipojës në fushën e saj: "viktima" e radhës ishte Sopoti, në 90 minuta që u mbyllën me shifrat 5-1 për vendasit. Ndeshja e fundit e kësaj jave luhet të hënën në Korçë, ndërmjet Pogradecit dhe Skraparit.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›