E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekim Bala kthehet tek U-19 nga U-21

Të gjithë duan shërbimet e talentit shkodran Bekim Bala. Ekipet Kombëtare të moshave kanë filluar "konkurrencën" për shërbimet e sulmuesit 19-vjeçar të Vllaznisë. Fillimisht lojtari ishte grumbulluar nga trajneri Artan Bushati për dy sfidat eliminatore që Shpresat do të luajnë në shtëpi me Austrinë dhe Bjellorusinë (më 13 dhe 17 nëntor). Megjithatë, pas marrëveshjes me trajnerin Ramadan Shehu, Bushati ka pranuar që Bala të kthehet në përfaqësuesen U-19, e cila nga 12 deri më 18 nëntor do të luajë në San Marino, për eliminatoret e Kampionatit Europian të kësaj moshe. Bala, së bashku me talentin e Olimpiakosit, Vasil Shkurtaj ishin dy të rinjtë e grumbulluar me Shpresat, por nëse shkodrani do të kthehet si përforcim për 19-vjeçarët, i dyti do të qëndrojë nën urdhrat e Bushatit. Ndërkaq, dje U-19 ka luajtur edhe miqësoren e dytë në Qipro. Pas fitores 2-0 në ndeshjen e datës 5 nëntor, kjo sfidë u mbyll në barazim pa gola. Përfundimisht në katër takimet e zhvilluara me bashkëmoshatarët qipriotë, skuadra e Shehut ka regjistruar një fitore dhe tri barazime. Në eliminatore, Shqipëria U-19 ndodhet në Grupin 1, me San Marinon, Italinë dhe Irlandën.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›