Murinjo largon euforinë: Ende nuk kemi fituar asgjë
Sfida e sotme ndërmjet Interit dhe Romës cilësohet një "ndeshje e madhe" nga Zhoze Murinjo: "Diferenca prej 14 pikësh që kemi me kryeqytetasit nuk është reale. Verdhekuqtë janë shumë cilësorë dhe kanë një skuadër të denjë për titullin". Edhe pse Roma është larg kreut, tekniku zikaltër është i kujdesshëm dhe i kërkon lojtarëve të mos jenë euforikë pas fitores në Kiev, në Ligën e Kampioneve. "Tani dikush më thur lavde, por është i njëjti gabim si kur thoshin se nuk isha trajner i mirë, por thjesht se dija të flisja, duke harruar 14 trofetë që kam fituar", theksoi Murinjo. "Për mua fitorja në Kiev ishte emocionuese, por ajo nuk na jep titullin. Nuk duhet të gëzojmë sikur u shpallëm kampionë të Europës, nuk e kuptoj këtë eufori. Ende nuk jemi kualifikuar: mund të fitojmë grupin, mund të renditemi të tretët, por mund të shkojmë edhe në shtëpi". Ndërkohë, tek Interi ka shpërthyer çështja "Santon", që sërish është lënë jashtë skuadrës. "Kemi 27 lojtarë, grumbullova 18: nuk mbeti jashtë vetëm Davide", shpjegoi Murinjo.