E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abissnet: Marrëveshje me Kosovën dhe Malin e Zi për 4-fishim të kapacitetit të Internetit

 
 
Nga Janari dyfishon kapacitetin total të lidhjes së Shqipërisë me Internetin ndërkombëtar
Kompania "Abissnet", e njohur në publikun shqiptar për lidhjet e internetit, njofton për dy marrëveshje të reja me "Kujtesa" në Kosovë dhe Telekom Mali i Zi (T-Com). Sipas tyre, në fillimin e vitit 2008 "Abissnet" do të ketë një lidhje të sigurt prej 600 mega (Mbps) linjë ndërkombëtare interneti për konsumin e brendshëm shqiptar. Në këtë mënyrë gjithashtu "Abissnet" rrit sigurinë e rrjetit duke siguruar akses në rrjetin ndërkombëtar nga dy burime të ndryshme.
Drejtori Teknik i "Abissnet", Gentian Bajraktari specifikon dy lidhjet e reja: "Dyfishimi i kapacitetit ekzistues me Telekomin e Malit të Zi (T-Com) do të realizohet në bashkëpunim me Ceragon - kompani gjigante në ndërtimin e rrjeteve profesionale wireless. Investimi i dytë është një lidhje e re me "Kujtesa", një nga ISP-të më të mëdha në Kosovë. Kjo lidhje do të ketë përsëri kapacitetin 300 Mbps.
Linku i ri jo vetëm që do të çojë kapacitetin total të "Abissnet" në 600 Mbps, por do të shërbejë dhe si backup dhe për të sjellë më afër Shqipërinë dhe Kosovën në botën e Internetit. Ky link do të realizohet në bashkëpunim me SAF, një tjetër kompani e fuqishme me eksperiencë të madhe në rrjete të tilla profesionale".Sipas Drejtorit Teknik të "Abissnet", kjo lidhje bashkë me kapacitetin aktual vë në dispozicion të "Abissnet" dhe përdoruesve të tij 2-fishin e kapaciteteve ekzistuese aktuale që futen aktualisht në Shqipëri nga të gjithë operatorët, përfshi dhe "Albtelekom".
"Me një fjalë, kjo kontratë e "Abissnet" do të dyfishojë fuqinë totale lidhëse të Shqipërisë me rrjetin global të Internetit", shprehet Bajraktari. "Blerja dhe ndërtimi i lidhjes ka qenë parashikuar për 3-mujorin e parë të 2008, por numri i lidhjeve të shitura pas ofertave të reja të shtatorit kaloi edhe parashikimet tona më optimiste dhe si pasoje, nevoja e kapaciteteve u bë më urgjente",- shpjegon Sajmir Aliçkolli, përgjegjës për marketing tek "Abissnet". "Edhe kontratave që janë shprehimisht "up to" ose "shared" si shumica e lidhjeve rezidenciale në çdo vend të botes, ne parapëlqejmë t'ju sigurojmë lidhje me cilësi të afërt me atë të dedikuar. Nga kjo kërkesë jemi detyruar t'i kthejmë në "shared" 2 javët e fundit, sipas kontratës, por nga mesi i Janarit do të vazhdojmë të japim më shumë shpejtësi nga sa premtojmë",- saktëson për "Shekullin" drejtori Teknik, Bajraktari. "Kapaciteti i prej 600 Mbps do të jetë mjaftueshëm për të përballuar numrin e parashikuar të lidhjeve, por infrastruktura e re është investuar në gjendje për të marrë shumë më tepër kapacitet pas 6-mujorit të parë të vitit tjetër",- vazhdon ai. Sipas drejtorit të marketing, Aliçkolli, viti 2008 do të sjelli të reja të tjera nga "Abissnet". "Me ofertat e shtatorit kemi bërë Internetin diçka plotësisht të mundur për përdoruesit familjarë, me çmime që fillojnë nga 9.95 euro për shpejtësi me pare të rezervuara për kompani ose internet-kafe. Dhe përdoruesit shqiptare ena janë përgjigjur në numra shumë të lartë. Në fillimin e vitit 2008, paralelisht me shumëfishimin e kapacitetit do të ofrojmë shërbim kabllor me rreth 40 kanale televizive përveç internetit dhe do të përfundojë mbulimi me rrjet WiFi i Tiranës, me pajisje kryesisht Cisco. Do të jetë vit interesant për përdoruesit e internetit në Shqipëri". "Abissnet" është regjistruar si Provider Interneti në vitin 1998, si ISP e parë në Shqipëri. Si klientë të saj, figurojnë institucionet dhe bizneset kryesore shqiptare dhe të huaja që veprojnë në Shqipëri. Nga shtatori 2007 me projektin "Sepse interneti nuk është me luks", "Abissnet" ka nxjerrë në treg oferta të destinuara për përdoruesit familjarë, me çmime dhe shpejtësi të përshtatshme me këtë segment dhe në nivele të njëjta me shtetet e rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›