E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezervatet: Po falimentojmë nga peshku i magazinave të Spanjës

• VLORE - Pronarët dhe punëtorët e vaskave të rritjes së peshkut në rezervatet e Karaburunit kanë protestuar dje për konkurrencën e pandershme në tregti.Ata janë mbledhur para Drejtorisë së Ushqimit dhe Bujqësisë, Ndërmarrjes Pyjore e më pas pranë rezervateve në Karaburun. Sipas tyre, këto institucione kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pronarët e rritjes së peshkut, për marrjen e taksave, kontrollin e cilësisë së peshkut, kontrollin e ujërave, tregtisë, etj. "Ne plotësojmë të gjitha kushtet për një cilësi të mirë të prodhimit të peshkut deri në momentin që del në treg, por e gjithë puna 10-vjeçare po na shkon dëm për shkak të konkurrencës së pandershme që na bëjnë tregtarët që sjellin peshkun nga jashtë, me një cilësi të dobët. Shteti nuk ndërhyn për të kontrolluar peshkun që vjen nga Spanja, ndërsa peshku që prodhojmë ne nuk tërhiqet për shkak të konkurrencës së pandershme dhe çmimit. Kërkojmë që ministria të ndërhyjë dhe të na ndihmojë për krijimin e kushteve të shitjes së peshkut në vend, sepse është peshk me cilësi të lartë dhe të ndalojë futjen e peshkut nga jashtë", deklaruan rreth 60 protestuesit. Gjithashtu, ata kërkojnë nga shteti që të mundësojë licencimin për tregtimin jashtë të peshkut. "Dëmi ekonomik që na është shkaktuar është shumë i madh. Vetëm për një vaskë kemi harxhuar deri në 200 mijë euro, pa llogaritur shpenzimet për blerjen e peshkut, ushqimin që duhet për të deri në arritjen e peshës për shitje. Po detyrohemi që në shenjë demonstrative të lëshojmë peshkun në det sepse nuk kemi rrugë tjetër". Këto shqetësimi, peshkatarët thonë se i kanë ngritur vazhdimisht në instancat shtetërore, por sipas tyre nuk kanë marrë përgjigje. Secila vaskë ka aktualisht nga 30 tonë peshk, kocë dhe levrek, i cili rritet në 50 metra thellësi. Ushqimi sipas peshkatarëve merret nga Italia, i një cilësie të lartë duke u kontrolluar në doganë nga specialistë të doganës dhe të Ministrisë së Bujqësisë. "Peshku që prodhohet nga ana jonë është shumë i pastër, ndërsa peshku që vjen nga jashtë do një kohë të gjatë të mbërrijë në Shqipëri, i mbajtur në frigoriferë. Pasi vjen këtu mbahet dhe disa ditë të tjera në magazina frigoriferi e më pas del në treg. Ndërsa peshku ynë sapo del nga vaska shkon në treg, e shitet brenda ditës. Konsumatorët shikojnë çmimin, i cili për shkak të cilësisë së dobët është i ulët. Për këtë arsye kërkojmë ndërhyrjen e shtetit", thonë ata.Ata thonë, se do të ishte me interes eksporti i peshkut jashtë, por vetëm një prej pronarëve ka gjetur treg në Izrael, ndërsa të tjerëve nuk u jepet licencë.                         q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›