“Rozafën” e pushtojnë 18 mijë turistë
• SHKODER - Kalaja shekullore e "Rozafës" është kthyer në një qendër të turizmit kulturor dhe historik në Shkodër.Që nga 1 shkurti dhe deri më 1 dhjetor të këtij viti, ky monument kulture është vizituar nga rreth 18 mijë vizitorë, nga të cilët 7.300 të huaj. Investimet e shumta të bëra gjatë këtyre muajve, kanë pasuar me rritjen deri në 50 për qind të vizitorëve ditorë, që kanë frekuentuar kalanë më të njohur në veri të vendit tonë. Kjo, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Lajmi është bërë dje me dije nga drejtori i Parkut Arkeologjik të Shkodrës, Agim Halluni. Ai ka deklaruar, se rritja e fluksit të vizitorëve ka bërë që të shtohen të ardhurat nga biletat dhe shërbimet e tjera në ambientet e kësaj kalaje. Sipas Hallunit, deri tani janë vjelë 2.1 milionë lekë, një shumë e konsiderueshme që do të përdoret për restaurimet e ndryshme në këtë objekt qindravjeçar. Ndërkohë, drejtori Halluni sqaron, se aktualisht për herë të parë po punohet për pastrimin dhe restaurimin e 7 depozitave (sterave) të ujit që ndodhen në ambientet e brendshme të kalasë; vendosjen e tabelave informuese; botimi i një guide në tri gjuhë (shqip, anglisht dhe serbo-kroatisht), pastrimi i mureve të jashtme te porta e hyrjes, ngritjen e ambienteve sanitare, si dhe zgjerimin e hapësirës për parkimin e automjeteve. Historia dhe muret e lashta të saj tërheqin jo vetëm vizitorët vendas, por edhe ata të huaj. Turistë nga vende të ndryshme të Evropës dhe të botës, nëpërmjet Malit të Zi mbërrijnë për vizita një ose dyditore në Shkodër. Përveçse vizitave në pika të tjera turistike të këtij qyteti dhe të muzeut historik, të huajt preferojnë të shohin nga afër "misteret" që mbart në vetvete kjo kala. r.d