E Diel, 1 Nëntor 2026

Monitorimi, në 770 familje, 250 fëmijë të dhunuar dhe trafikuar

 
Sipas Organizatës për Mbrojtjen e Drejtave të Fëmijëve, për këtë vit janë identifikuar 250 fëmijë viktima, një pjesë e të cilëve të trafikuar
 
 
Fëmijët shqiptar janë ende viktima në masë të dhunës dhe trafikimit. Vetëm për këtë vit, nga 770 familje të vizituara nga Organizata e Punonjësve të Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve janë identifikuar 250 fëmijë viktima të dyshuar për abuzime të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe trafikimin. Të dhënat u bënë publike në Konferencën Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, të mbështetur nga Ministria e Punës dhe Organizata "Save The Children", UNICEF, USAID. Kështu, punonjësit për Mbrojtjen e Drejtave të Fëmijëve, në bashkëpunim me organizatat e tjera të fëmijëve kanë identifikuar dhe më pas menaxhuar rastet e raportuara të fëmijëve. Një grup specialistësh, të përbërë dhe nga Struktura të Ndihmës së Përkujdesit Shoqëror të Bashkive të vendit, vetëm gjatë këtij viti kanë identifikuar, brenda territorit, plot 250 fëmijë të lënë pas dore, të abuzuar, shfrytëzuar dhe të trafikuar. Drejtoresha e programit "Save The Children", Nirland, tha se "ne shpresojmë në një bashkëpunim të mëtejshëm e të ngushtë me autoritetet bashkiake dhe shtetërore, për të arritur qëllimin e krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur, për të gjithë fëmijët në Shqipëri".
Identifikimi
"Ne kemi bërë vizita në 770 familje, në qytete të ndryshme të vendit, nga ku kemi identifikuar me dhjetëra raste ku fëmijët kanë qenë viktima të dhunës",- shprehen burimet zyrtare të PMDF-së, duke pohuar më tej se një pjesë e këtyre fëmijëve janë trafikuar. Sipas e Punonjësve të Mbrojtjes së Drejtave të Fëmijëve po verifikohen edhe raste të tjera të fëmijëve viktima dhe të trafikuar. "Fëmijëve viktima, tashmë PMDF-ja u ka ofruar shërbime të drejtpërdrejta dhe të koordinuara me aktorë të tjerë publikë apo privatë, për këta fëmijë",- tha PMDF. Krahas identifikimit të fëmijëve të prekur nga trafikimi, punonjësit e Mbrojtjes të të Drejtave të Fëmijëve po bëjnë dhe promovimin dhe ndërgjegjësimin tek qytetarët dhe strukturat e ndryshme, mbi të drejtat e fëmijëve dhe çështjeve të mbrojtjes së tyre. Organizatat që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve kanë ndërmarrë këtë iniciativë në qytetet kryesore të vendit, për krijimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të Seksioneve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. "Kjo iniciativë e nisur në Kukës u ndoq edhe nga ajo e Projektit "Tact III", në bashkitë Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Pogradec" ka rezultuar shumë efikase", thanë burimet zyrtare të PMDF, duke shtuar më tej se po punohet për ngritjen e këtij seksioni nga "Save The Children" dhe "World Vision" në bashkinë e Kuçovës dhe të Lezhës.
Iniciativa
Sipas PMDF-së këto iniciativa janë realizuar si një përpjekje kolektive me mbështetje të Koalicionit të Bashkuar Kundër Trafikut të Fëmijëve, UNICEF e donatorëve të tjerë. Kjo nismë e mbështetur edhe nga ana e Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrisë së Brendshme, në kuadër edhe të Strategjisë Kombëtare mbi Luftën Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore dhe Planit të Veprimit, po nxjerr në pah gjendjen e fëmijëve në Shqipërisë. Këto struktura sipas PMDF-së janë përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe janë pjesë e administratës së qeverisjes vendore (Bashkisë). "Për të zgjeruar rrjetin e mbrojtjes së fëmijëve krahas aktorëve dhe strukturave lokale si: arsimit, policia, shëndetësia, qendrat e shërbimeve ditore dhe rezidenciale, këshilluese, po bashkëpunojmë edhe me administratorët shoqërorë të bashkisë, psikologët e shkollave, punonjësi socialë",- thanë burimet nga PMDF-ja.
Box
Trajnime për të ndalur dhunimin e fëmijëve
Shërbimet sociale në nivel rajonal, kanë marrë pjesë në trajnimet mbi të drejtat e fëmijëve dhe rritjen e njohurive e aftësive te tyre për identifikimin, intervistimin, mbrojtjen e koordinimin e shërbimit në mbrojtje të fëmijëve. Burimet zyrtare të Punonjësve të Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve, pjesëmarrës në këto trajnime dhe shkëmbime eksperiencash, thanë se "kemi mandat të respektojnë dhe mbrojnë të drejtat e fëmijëve, në zbatim të një sere konventash ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si Konventa Evropiane mbi Të Drejtat e Njeriut (1950), Konventa mbi Të Drejtat e Fëmijës (1989), Konventa mbi Krimin Ndërkombëtar të Organizuar dhe Protokollin e Dytë të tij Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (2000) si dhe të bazuara edhe në Strategjinë Kombëtare mbi Luftën Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore dhe Planit të Veprimit".
Topalli në OKB, flet për mbrojtjen e fëmijëve
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka marrë pjesë në takimin e posaçëm të nivelit të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kushtuar fëmijëve, i zhvilluar në New York. Në këtë takim, ka marre pjesë edhe Presidentja e Nderit të UNICEF-it për Shqipërinë, Liri Berisha, dhe një delegacion i Parlamentit shqiptar. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Topalli, në fjalën e saj u përqendrua në investimin kombëtar në realizimin e raportit të OKB-së për fëmijët, që nis me përshtatjen e kuadrit ligjor me atë ndërkombëtar dhe shtrihet në të gjitha nivelet e respektimit të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Kryeparlamentarja Topalli foli rreth axhendës kombëtare të përmirësimit të aksesit të një mësimi cilësor dhe universal për të gjithë fëmijët, promovimin e barazisë gjinore në kurrikulat arsimore, sigurimin e kushteve sanitare sipas standardeve bashkëkohore dhe, mbi të gjitha, përfshirjen e fëmijëve në hartimin e politikave kombëtare që u dedikohen atyre. Ndër masat e ndërmarra, sipas Topallit është miratimi i ligjit kundër duhanit, si dhe ligji që ndalon konsumimin e alkoolit nga fëmijët. Në fund, Topalli i paraqiti Asamblesë së OKB-së mesazhet e fëmijëve shqiptarë kundër dhunës, të shprehura në pikturat e tyre, të cilat u ekspozuan pak ditë më parë në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›