Vlorë, studentët e Infermierisë bojkotojnë mësimin
Studentët: Anuloni vendimin për kthimin e Infermierisë në departament, ndryshe do të futemi në grevë urie
Vlorë-Bojkotim mësimi pa afat dhe futje në grevë urie, nëse ministria e Arsimit nuk kthen mbrapsh vendimin e marrë për shndërrimin e Infermierisë së Vlorës në departament. Me këtë kërkesë studentët e viteve të treta e të katërta të universitetit "Ismail Qemali" kanë vazhduar dje protestën e tyre, duke e zhvendosur atë në rrugën kryesore në Skelë. "Jemi shumë të indinjuar në këtë vendimmarrje të fundit të ministrisë së Arsimit, duke na e bërë të zymtë të ardhmen. Askush nuk ka të drejtë të luajë me ne, ose të bëhemi pjesë e strategjive të munguara dhe formave eksperimentale"-, janë shprehur studentët. Protestës i janë bashkuar thuajse të gjithë studentët e viteve të treta dhe të katërta, si dhe ata të viteve më të ulëta, duke zënë gjithë rrugën kryesore. Gjithë gjatësia e rrugës është bërë në këmbë nga studentët, të cilët kanë qenë mbi 300. Në duart e tyre ka qenë vetëm një parullë të vetme "Duam fakultet, jo departament", e shkruar në një nga bluzat e tyre të praktikës. Studentët janë shoqëruar edhe nga polica e qarkullimit dhe e rendit, ndërsa nga protesta e tyre e zhvilluar në rrugë ka ndërprerë për 20 minuta qarkullimin e automjeteve. Një përfaqësi e studentëve kanë marrë sërish takim me rektorin e komanduar Kreshnik Bello, i cili gjithsesi është shprehur se është i pafuqishëm për të ndryshuar vendime të tilla. Studentët e viteve të treta dhe të katërta bojkotuan, bojkot që e kanë shpallur pa afat, ndërkohë që pritet dhe mbështetja e studentëve të viteve më të ulëta. Pasi i kanë dërguar peticion ministrit të Arsimit dhe kryeministrit, studentët janë shprehur të vendosur në zhvillimin e grevës së tyre, përshkallëzim i cili do të vijojë deri në format e grevës së urisë.
Fakultet, që nga viti 1994
Fakulteti i Infermierisë në Vlorë, sipas peticionit të studentëve ka qenë i pari fakultet infermierie qysh në krijimin e Universitetit «Ismail Qemali» më 1994. «Nga universiteti kanë dalë një numër i konsiderueshëm infermierësh të lartë, të cilët punojnë si brenda ashtu dhe jashtë vendit, në spitalet më të mira europiane, në sajë edhe të kartës së Bolonjës. Aktualisht kemi rreth 900 studentë në të tre vitet, që studiojnë në auditoret e këtij fakulteti»- thuhet në peticion.