Ujësjellësi i Shkodrës, 24 orë ujë falë investimeve austriake
• SHKODER - Kalimi i ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve në varësi të njësive vendore, ka sjellë zhvillimin e një takimi në rang kombëtar në Shkodër mes dy institucioneve.Të pranishëm ishin përfaqësues nga ndërmarrjet e ujësjellësit në vendin tonë, të ministrive përkatëse, të Kryeministrisë si dhe përfaqësues të konsulencës ndërkombëtare GWCC. Angazhim më aktiv nga ana e administratës lokale në të ardhmen është theksuar në takimin mes palëve, me qëllim marrjen e vendimeve strategjike që kanë të bëjnë me sektorin e ujit pranë këtyre njësive vendore. "Transferimi i kompetencave nga ana e qeverisë shqiptare është konceptuar si një mënyrë për të afruar shërbimin pranë banorëve dhe nga ana tjetër për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje, e pikërisht në këtë fushë kaq jetike", u shpreh kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka. Sipas tij, pavarësisht problemeve, situata e furnizimit me ujë në qytetin e Shkodrës është në nivelet më të larta në shkallë vendi dhe kjo falë projektit austriak. Brenda vitit 2012 pritet të investohet në fushën e ujësjellësit dhe të kanalizimeve në Shkodër një shumë prej 15.9 milionë eurosh në formë granti, e cila do të financohet nga KFW (banka gjermane) SECO zvicerane dhe ADA austriake. Me anë të këtij investimi pritet që situata të ndryshojë, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Shkodrës si dhe reduktimin e risqeve të shëndetit. r.d