E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abonentët, 5.8 euro në muaj për të komunikuar me celular

Emirjon Senja

Komunikimi nëpërmjet celularit është rritur kryesisht gjatë vitit të fundit për shkak të shtrirjes së kufizuar të telefonisë fikse, por edhe uljes së çmimeve që karakterizuan tregun sidomos pas shërbimit të bartjes së numrit. Një gjë e tillë ka bërë që abonentët e kompanive celulare të harxhojnë më shumë minuta dhe SMS duke komunikuar me më pak shpenzime. Megjithatë, Shqipëria mbetet përsëri pas vendeve të Bashkimit Evropian për sa i përket volumit të komunikimit, por edhe shkëmbimit të të dhënave.

Të dhënat e pasqyruara në raportin vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se çdo shqiptar ka shpenzuar mesatarisht 70 euro në vit ose rreth 5.8 euro në muaj për të komunikuar me celular. Kjo e dhënë del nga raporti të ardhura/përdorues vjetor që kanë pasur kompanitë celulare. E shumëzuar me numrin mesatar të personave, nga e cila përbëhet një familje shqiptare (INSTAT nxori nga Censusi i fundit se një familje shqiptare ka mesatarisht 3.8 persona) del se çdo familje harxhon mesatarisht 266 euro në vit ose rreth 22.2 euro në muaj për të komunikuar me celular. Mesatarja e një abonenti nga vendet e Bashkimit Evropian është 244 euro në vit. Rumania është vendi i BE-së ku abonentët harxhojnë mesatarisht 90 euro në vit për të komunikuar nëpërmjet shërbimit të telefonisë celulare.

Shqiptarët ka konsumuar më shumë minuta komunikimi gjatë vitit të shkuar. Mësohet se çdo abonent ka komunikuar mesatarisht 177 minuta në muaj. Nga këto, 83 minuta janë dalëse kurse 94 minuta hyrëse.

Mësohet se abonentët kanë rritur sëtepërmi komunikimin nëpërmjet SMS-ve gjatë vitit 2011 krahasuar me një vit më parë.

Kompanitë raportojnë se pjesa dërrmuese e përdoruesve të SMS-ve janë moshat e reja, këta të fundit konsumojnë edhe pjesën më të madhe të shërbimit të internetit që ofrohet. Konsumi mesatar i thirrjeve është rritur mesatarisht 4 deri 5 për qind, ndërsa përdorimi i SMS-ve është rritur me 21 për qind, – thekson AKEP në raportin e tij duke shpjeguar se rritja në vitin 2011 është më e vogël krahasuar me ecurinë gjatë viteve të mëparshme.

Rritja e përdorimit të SMS-ve ka ardhur edhe për shkak të ofertave të ndryshme që kanë aplikuar kompanitë celulare gjatë vitit të shkuar, sidomos pas ofrimit të shërbimit të portabilitetit të numrit në maj. Madje, Autoriteti i Konkurrencës lajmëronte se pas ofrimit të shërbimit, kishte nisur një garë e fortë midis kompanive për të thithur sa më shumë abonentë në rrjetet e tyre, aq sa disa prej kompanive ishin ankuar pranë këtij autoriteti duke denoncuar konkurrentët për shkelje të rregullave.

5.2 milionë abonentë, u shitën 690 mijë karta SIM

Kompanitë celulare e mbyllën vitin 2011 me një numër prej 5.2 milionë abonentësh. Kjo është një rritje e kënaqshme, ku vlerësohet se brenda 12 muajve, kompanitë kanë shitur plot 690 mijë karta SIM të reja. Rritja e madhe erdhi kryesisht pas shërbimit të portabilitetit të numrit, ku kompanitë shtuan ofertat me qëllim marrjen e sa më shumë abonentëve, ndërsa AKEP bën me dije se një pjesë e mirë e numrit prej 5.2 milionë abonentëve nuk janë aktiv. Sipas raportit, një pjesë e tyre ose janë emigrantë ose kanë më shumë se një numër në përdorim duke bërë që në njërin ose në tjetrin të jenë inaktiv për një kohë të caktuar. Nga të dhënat del se çdo shqiptar ka mesatarisht 1.8 numra celulari në përdorim. Ky tregues ishte 1.5 në fund të vitit 2010.

161 mijë familje kanë internet me bandë të gjerë

Shtrirja e internetit ka njohur një zgjerim të madh gjatë vitit të shkuar. AKEP raporton se 22 për qind e familjeve shqiptare ose rreth 161 mijë të tilla kanë lidhje të internetit me bandë të gjerë. Kjo është një shifër tepër pozitive nëse i krahasojmë të dhënat me vitet e mëparshme. Bizneset vendase kanë investuar shumë të mëdha në drejtim të përmirësimit të rrjetit të internetit mbështetur edhe nga politikat e qeverisë. Rritja e numrit të pajtimtarëve vjen edhe për shkak të ofrimit të shërbimit 3G nëpërmjet telefonisë celulare. Gjatë vitit të shkuar janë rritur edhe kapacitetet e konektivitetit të internetit me rrjetet e huaja, nga 14 gigabajt/sek në 30 gigabajt/sek.

Telefonia fikse

Telefonia fikse vazhdon të jetë ende e kufizuar në ofrimin e shërbimit kryesisht vetëm nëpër zonat urbane. AKEP raporton se deri në fund të vitit 2011 kjo telefoni numëronte 339 mijë abonentë me një rritje prej 7 000 pajtimtarësh. Rritja e abonentëve është një tregues pozitiv për këtë telefoni pas uljes që njohu gjatë vitit 2010 por edhe fillimit të vitit 2011. Norma e penetrimit të kësaj telefonie është 12 për qind sipas AKEP kundrejt normës 45 për qind që kanë vendet e Bashkimit Evropian por edhe normës 185 për qind të penetrimit të telefonisë celulare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›