Shitja e Albpetrol, Komisioni i Ekonomisë debaton për taksat
Komisioni i Ekonomisë është përfshirë për të dytën herë brenda një jave nga debatet mbi shitjen e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol. Pak ditë më parë, komisioni shqyrtoi ligjin e qeverisë për shitjen e të gjitha aksioneve shtetërore tek Albpetrol tek një investitor privat, ndërsa dje ekzekutivi paraqiti ndryshimet në drejtim të taksave që paguan kjo kompani, për ta barazuar atë me investitorët e tjerë privat që operojnë në të njëjtën fushë si edhe Albpetrol.
Dje duhej të diskutohej mbi taksat që duhet të paguante Albpetrol pas privatizimit, por mbledhja u shty për shkak të debateve, kërkesës së deputetëve të Partisë Socialiste për të marrë përgjigje emër për emër për pyetje e drejtuara zv.ministrit të Ekonomisë, Enno Bozdo si edhe ngutit të deputetëve demokrat për të marrë pjesë në organizimin e përkujtimores se vrasjes së 22 intelektualëve 61 vjet më parë nga regjimi komunist.
Mbledhja filloi me marrjen e pyetjeve nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë prej deputetëve në lidhje me procedurat e privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës, por edhe mënyrën e taksimit të saj. Pasi mori pyetjet, zv.ministri i Ekonomisë filloi të përgjigje në mënyrë të përgjithshme duke i grupuar përgjigjet. Një gjë e tillë nervozoi deputetët e majtë, të cilët nëpërmjet nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë Mimi Kodheli, i kërkuan Bozdos që të kthente përgjigje duke përmendur deputetin që ka bërë pyetjet me emër dhe më pas të vijohej me përgjigjen. Këtu nisi edhe debati midis deputetëve të majtë dhe të djathtë. Nga ana e tij, Bozdo i kujtoi socialistëve se edhe ata nga ana e tyre duhej ti drejtoheshin atij me: Zoti zv.ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kur ti bënin pyetjet. Përmes debatesh dhe diskutimeve nëse zv.ministri e ka emrin me një apo dy n kreu i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho shtyu mbledhjen për sot duke i dhënë më shumë kohë zv.ministrit të Ekonomisë, Enno Bozdo që të përgatiste përgjigjet për deputetët e majtë.
Ligji
Ndryshimet e propozuara nga qeveria për Albpetrolin kanë të bëjnë me heqjen e privilegjeve që aplikoheshin deri më tani për të tek taksat. Albpetrol do të paguajë pas privatizimit njëlloj me kompanitë e tjera koncesionare. Në këtë mënyrë, shteti heq mundësinë e abuzimit me pozitën në treg të kompanisë shtetërore, pas marrjes në pronësi nga investitorët e rinj, për shkak se ka nën zotërim hapësira të konsiderueshme fushash naftëmbajtëse. Pas privatizimit, kompania Albpetrol do të paguajë çdo vit fiskal tatimin mbi fitimin në masën 50 %, ashtu siç parashikohet për kompanitë e tjera private që kryejnë operacione hidrokarbure në territorin e Republikës së Shqipërisë, – shpjegon METE në projektligj.
Një tjetër ndryshim për kompaninë shtetërore të naftës ka të bëjë me shfrytëzimin e nëntokës. Kompania ka pasur deri më tani të drejtën e shfrytëzimit të rezervave natyrore pa afat, ndërsa me ndryshimet ligjore te miratuara, tani do të mund ta bëjë deri në një afat 25 vjeçar. Ky kufizim vendoset nga qeveria për ta vendosur Albpetrolin e privatizuar nesër në të njëjtat kushte me kompanitë e tjera që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare.
Ligjet, biznesi kërkon ndihmë nga BE
Biznesi i kërkon ndihmë ambasadorit të BE-së në Tiranë që të ndikojë tek qeveria për të dëgjuar më shumë zërin e tyre gjatë hartimit të ligjeve. Deklaratat u bën dje nga përfaqësues të biznesit gjatë takimit me Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Etore Sekui (Ettore Sequi) të organizuar nga Biznes Albania.
Mjaft ligje kalojnë në Parlament ose duke mos e pyetur fare biznesin ose duke e pyetur atë në mënyrë formale. Ky lloj komunikimi i qeverisë me biznesin duhet të konsiderohet i mbyllur. Ne do të vlerësonim si të rëndësishëm për ne, njohjen e axhendës së BE dhe qeverisë shqiptare për ndryshimet që do ti bëhen legjislacionit gjatë vitit 2012, siç është, ligji për hipotekat, ligji për prokurimet publike, ligji për ruajtjen e objekteve dhe sigurisë fizike e ligji për gjykatën Administrative, – tha Presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi. Nga ana tjetër, Sekui theksoi rendësinë që mbart dëgjimi i zërit të biznesit në vendimarrjet e qeverisë. Prioritetet e Biznesit për vitin 2012, evidentojnë një sërë problematikash, si legjislacioni për pjesëmarrjen e binzesit në vendimmarje, rritja e bashkëpunimit, etj. Këto kërkesa janë të rëndësishme, sidomos kur vijnë në fillim të një viti, pasi vënë theksin tek problemet kryesore me të cilat ndeshet biznesi, dhe na ndihmon në përgatitjen e progres-raportit, – tha ai.
