Evertoni nuk ka ndërmend t’i ndahet Lorik Canës
Oferta e Evertonit është diku te 10 milionë euro, por presidenti i Marsejës ka theksuar shumë herë se lojtari i tij ka një çmim shumë më të lartë. Lorik Cana vazhdon të jetë kryedëshira në merkaton dimërore të Evertonit. Kapiteni i Marsejës prej kohësh i ka çmendur njerëzit e merkatos në klubin anglez. Ndërkombëtari shqiptar u ndoq nga afër dhe u vlerësua gjatë takimit Liverpul-Marsejë (1-0) të vlefshëm për ditën e 5-të të Ligës së Kampioneve. Sipas goal.com, një ofertë zyrtare e Evertonit ndodhet prej kohësh në skrivaninë e punës së presidentit të Marsejës, Pape Diuf. Oferta e Evertonit është diku te 10 milionë euro, por presidenti i Marsejës ka theksuar shumë herë se lojtari i tij ka një çmim shumë më të lartë. Gjatë sezoneve të kaluara në Angli nga ekipi i Marsejës janë transferuar Didier Drogba (te Çelsi) dhe Samir Nasri (te Arsenali). Edhe vetë Cana ka qenë më parë (ose dhe vazhdon të jetë kështu) në fokusin e trajnerit Arsen Venger. Lorik Cana, i pari kapiten shqiptar në kampionatin francez dhe për më tepër në skuadrën më popullore transalpine, është dhe lojtari kyç i Marsejës dhe një ndër më të adhuruarit e tifozerisë.