Sulmuesit, zhgënjimi i vërtetë i Superiores
Jetmir Halilaj
Detyra e tyre është të shënojnë sa më shumë gola. Në fund të fundit ky është profesioni i tyre.
Paguhen vetëm për ta dërguar topin në rrjetë, për t’i dhënë fitoren skuadrës, për të ndëshkuar kundërshtarin, për ta frikësuar atë, për të dërguar tifozët në delir, për të dhuruar spektakël. Një gjë të tillë, shumica e sulmuesve të kampionatit shqiptar, sidomos ata të Kategorisë Superiore, nuk kanë arritur ta kryejnë si duhet, madje janë të shumtë ‘bomberët’ kryesorë të skuadrave, që nuk kanë shënuar më shumë se gjashtë gola në këto 13 javë. Padyshim që për marrëdhëniet e tyre aspak të mira me golin, mund të ndikojnë shumë faktorë, si dëmtimet, niveli i skuadrës, problemet personale, gafat e gjyqtarëve, apo edhe të tjerë elementë, por gjithsesi, statistikat e tyre padyshim që nuk janë aspak pozitive. Memelli i Tiranës, që është i pari nga golashënuesit ka tundur 6 herë rrjetën, ndonëse tre gola i ka shënuar në një ndeshje të vetme. Shoku i tij i sulmit, Xhafaj, ka shënuar vetëm një gol. Më keq nuk ka ku të shkojë më për një sulmues race si ai. Në krye të listës është edhe Paulin Dhëmbi i Vllaznisë, por ai nuk është një qendërsulmues i mirëfilltë, ndonëse padyshim që e ndjen veten mirë kur sheh emrin të fiksuar në krye të tabelës së golashënuesve. Pas tyre vjen Plaku i Dinamos, që ka shënuar pesë gola, por që nuk janë të mjaftueshëm, pavarësisht se merr notë kaluese. Partneri i tij i sulmit, Frane Petriçeviç, duket se nuk ka shumë lidhje me golin. Në 13 javë ka shënuar vetëm një herë. Edhe ky, një zhgënjim i vërtetë. Te Partizani situata nuk ndryshon. Tre sulmuesit kryesorë kanë shënuar vetëm katër gola: Ngjela (2), Bakaj (1) dhe Bruno (1). Edhe bomberët e Elbasanit e kanë zhgënjyer skuadrën dhe tifozët verdhezi këtë sezon. Të tre së bashku nuk kanë mundur të shënojnë më shumë se 4 gola. Bejzade, një nga sulmuesit më me eksperiencë të kampionatit shqiptar ka shënuar vetëm një gol, ndërsa tre të tjerët i ka shënuar Abazaj. Vllaznia duket në pozita më komode, pasi lideri i saj, Sinani, ka shënuar pesë gola, ndërsa “xholi” Dhëmbi, ka realizuar gjashtë të tillë. Boadu gjithashtu, ka tundur dy herë rrjetën në ndeshjet e fundit, duke e bërë Canajn të ndihet i qetë. Rizvanolli i Peqinit është një surprizë e këndshme, pasi ndodhet përkrah Memellit e Dhëmbit, në krye të listës me 6 gola, madje pjesa tjetër e shokëve të sulmit është gjithnjë në sinkron me të. Mile i Teutës është padyshim në listën e të kritikuarve, pasi nuk ka mundur të shënojë asnjëherë, ashtu si edhe Abilaliaj i Besës, të cilit iu deshën 13 javë për të shënuar golin e parë sezonal. Asllani i Apolonisë dhe Mema i Flamurtarit nuk e kalojnë klasën me rendimentin që kanë pasur deri tani.