Ndoka: Do jemi poli i katërt
adi shkembi
Partia Demokristiane do të formojë polin e katërt së bashku me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, Partinë për Drejtësi dhe Integrim dhe figura të larguara nga PD-ja. Këtë e bëri të ditur dje kreu i PDK-së Nard Ndoka, i cili theksoi se së shpejti do të zyratizohet edhe koalicioni që do të rivalizojë koalicionin e djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike. “Politika shqiptare do të ketë katër pole, pra dy djathtas dhe dy majtas dhe Partia Demokristiane po punon për një gjë të tillë. Gjithsesi ditët në vazhdim ato që do të formalizojnë në mënyrë konkrete koalicionet. Poli i katërt do të jetë me Dashamir Shehin, Spartak Ngjelën dhe Tahir Muhedinin”, u shpreh dje Ndoka. Kreu demokristian qartësoi qëndrimin e partisë që drejton në lidhje me koalicionet e ardhshme që PDK do të bëjë para dhe pas zgjedhjeve të 2009. Duke folur dje për mediat, Nard Ndoka tha se, “Partia Demokristiane nuk do të ketë asnjë bashkëpunim parazgjedhor me Partinë Demokratike, duke synuar kështu aleanca me forca të tjera edhe jashtë Parlamentit me influencë në rang rrethi”. Duke u pozicionuar hapur kundër Kodit të ri Zgjedhor, pozicion që u shpreh dhe përmes grevës së urisë që Ndoka dhe deputetët e kësaj partie zhvilluan në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, Nard Ndoka duket se kërkon të krijojë koalicione pasi të ketë treguar fuqinë e partisë që drejton pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Ne nuk do të bëjmë një koalicion parazgjedhor me asnjë forcë politike, pasi ne jemi qartazi të ndarë me pikëpamjet tona me Partinë Demokratike, ka mundësi bashkëpunimi me forma nga më të ndryshmet, por jo një bashkëpunim parazgjedhorë”, tha Ndoka. Pavarësisht bashkëpunimeve të kohëve të fundit me LSI-në, Nard Ndoka i qëndron besnik projekteve të para grevës për koalicionet zgjedhore. Kreu demokristian u pozicionua dje gjatë deklaratës së tij edhe ndaj sulmeve që po i bëhen Prokurorisë së Përgjithshme, për shkak të hetimit të procedurave të rrugës Durrës-Kukës. Ndoka i bëri thirrje partisë më të madhe në pushtet, të ndalë luftën e saj politike kundër Prokurores së Përgjithshme, që ajo vetë e votoi në Kuvend. “Është e habitshme se si Partia Demokratike hedh akuza, në vend që të bashkëpunojë me Prokurorinë e Përgjithshme, të bashkëpunojë me sistemin e Drejtësisë, me akuzat që ka mbi supe, e jo të dalin e bëjnë një luftë politike duke i politizuar gjërat”, shtoi më tej Ndoka. Demokristianët ndodhen në një sulm të hapur me Partinë Demokratike, që pas largimit të Ndokës nga posti i Ministrit të Shëndetësisë. Kulmi i prishjes së kësaj aleance ishte miratimi i Kodit Zgjedhor, i cili u kundërshtua me një grevë urie 7 ditore në ambientet e Kuvendit nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga Partia Demokristiane dhe PS ’91.
LZHK në 2007
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar në zgjedhjet e vitit 2007 është renditur e 12-ta në listën e partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Ajo ka marrë 2.43% të numrit të përgjithshëm të votave, ose e thënë me shifra 32.032 vota. Në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar Lëvizja për Zhvillim Kombëtar bëri marrëveshje me Partinë Demokratike, duke mbështetur kandidatët e kësaj force në shumicën e bashkive dhe komunave.
PDI në 2007
Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila mbron fort interesat e komunitetit çam është renditur e 17-ta në zgjedhjet e vitit të kaluar. Ajo mundi të marrë 1.18 për qind të votave ose 15.523 vota nga 1,318,642 që ishin gjithsej në të 373 njësitë vendore. Edhe kjo forcë politike bëri marrëveshje me PD-në për Tiranën.