E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam heteroseksual

Edmond Arizaj

Shumë shqiptarë që do të lexojnë këtë titull mund të thonë me vete: ç’pati ky, edhe ne ashtu jemi, po s’dalim në gazetë. Kështu është vërtetë, por ndoshta duhet të nisni ta mendoni edhe këtë Në gazetat shqiptare, por edhe në shumë prej blogjeve ku komentohet shqip, lexoj jo pak i çuditur një lumë të gjerë e të gjatë shqiptarësh (të paktën kështu duket nga gjuha) që mbrojnë me armë të rënda kauzën homoseksuale; Që ka të bëjë me lirinë e individit, lirinë e zgjedhjes dhe lirinë seksuale, (e që sipas Fatos Lubonjës këto liri ishin mohuar në kohën e para ’90, prandaj o burra të kapim kohën e humbur). Vëreni me kujdes, flasim për liri individi, liri zgjedhjeje, liri seksuale. Në asnjë prej komenteve (mes tyre edhe unë), që etiketohen dhe madje sulmohen si homofobikë (frikë nga homoseksualët!!!), nuk jemi shprehur kundër lirive, por kundër tejkalimit të lirisë. Fushata në mbrojtje të homoseksualëve në thelb është një tejkalim lirie, madje duke i shtuar kësaj edhe idetë se ata që shprehen në këtë lloj forme janë jo tolerantë, janë shpellarë, janë njerëz të egër, jo perëndimorë e kush e di çfarë tjetër, kalohet në abuzim me lirinë. Të përpiqesh të ndikosh në idetë dhe gjykimet e lira të atyre që mendojnë ndryshe, besoj se përbën një abuzim me lirinë tënde. Nga ana tjetër, të bësh të persekutuarin dhe të kërkosh ndihmë për një zgjedhjen tënde, kjo nuk hyn te barazitë mes njerëzve. Zgjedhjen tënde seksuale duhet ta përballosh (nuk po them si burrë) me të gjitha pasojat, ashtu si çdo zgjedhje tjetër në jetë. Besoj është shumë e ndryshme nëse kërkesën për ndihmë, për të qenë i barabartë, e bën një paraplegjik, tetraplegjik, i verbër etj, sepse kjo nuk ka qenë zgjedhja e tyre, ka qenë fati i tyre dhe qeniet njerëzore këtu dallojnë nga kafshët, nuk i lënë në fatin e tyre të dobëtit. Por pse kjo lloj furie mbrojtjeje ndaj homoseksualëve? Mos vallë ata janë të dobët? Mos vallë janë të paaftë për punë? Asnjë prej këtyre nuk rezulton. Por duket se ne shqiptarët, si në çdo fushë tjetër, e teprojmë edhe këtu. Meqenëse para ’90, Hoxha i fuste në burg homoseksualët, tani që Hoxhës do i heqim edhe dekoratat, (pas vdekjes), të japë secili një dorë në liberalizimin e seksit të prapmë. E pas kësaj, Shqipëria do s’do është tamam për në Evropë; drogën ka kohë që e përdor pa problem, prostitucionin e eksporton dhe e prodhon me forcat e saj, edhe “pasuritë” homoseksuale po i krijon pak nga pak. Mbetet pak prapa në ekonomi e politikë, por këto janë gjëra të rëndomta, që zgjidhen me kalimin e kohës.
Problemi që mua më shqetëson shumë dhe që mbrojtësit e flaktë e anashkalojnë me dashje, nuk është tek homoseksualët natyralë, por te hobi i homoseksualitetit. Te brezi i gjimnazistëve të sotëm, të cilët në shqyerjen e lirisë që po provojnë prej kohësh, pas duhanit, drogës, marrëdhënieve me shumë partnerë, kanë nisur të provojnë “për qejf” edhe marrëdhëniet homoseksuale. Nuk e di si do ta gjykonin avokatët e lirisë së zgjedhjes këtë, por kjo duket shqetësuese. Edhe pas “madhështisë” mediatike që po i vishet atij që vetëdeklarohet homoseksual, dhe kundërvënies ndaj atyre që nuk pajtohen me këtë zgjedhje, të rinjtë mund të marrin akoma “zemër”. Vërtetë askush nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjet e tyre, politike, fetare e seksuale, por me “shantazhin” mediatik që ushtrohet, kjo tashmë është bërë. Po të fusësh në këtë thes edhe edukimin e paktë në shtëpi, edukimin e paktë në libra, thjesht të rinjtë shqiptarë janë në dorë të medias, snobizmit dhe modës. E siç thoshte dikush, “të jesh homoseksual, sot është në modë”.
Unë e vlerësoj Top Channel. Ia arriti qëllimit të tërhiqte, mbi programin e tij, vëmendjen e shumicës së shqiptarëve, brenda e jashtë vendit. Ia arriti të çonte në protestë njerëz që nuk protestuan as kur u përmbytën, e me gjasë as nuk u del muaji për t’u ushqyer. Dhe besoj që gjithçka ishte përgatitur deri në detajet më të vogla për t’i shërbyer programit dhe jo emancipimit të shqiptarëve. Sepse një shoqëri ultra-konservatore, siç është Shqipëria, nuk mund të kthehet brenda ditës në një shoqëri ultra-liberale, si po duan disa. Unë jam heteroseksual dhe nuk më pëlqejnë homoseksualët. Nëse ata janë të lirë të shprehin preferencat e tyre, mendoj që edhe unë e kam këtë liri. Apo ndoshta nuk është ende koha të flasim për të drejtat e heteroseksualëve, qofshin edhe konservatorë?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›