E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abraham: Me Tiranën, titullin e katërt

Nigeriani bardheblu falënderon Zotin për arritjet në futbollin shqiptar, por vlerëson edhe punën e tij

Është i vetmi futbolist i huaj që ka arritur kaq shumë suksese në futbollin shqiptar, madje edhe futbollistët tanë e kanë zili nigerianin Abraham për gjithçka ka fituar në Shqipëri. Tre tituj kampionë me tri skuadra të ndryshme dhe kandidat për kombëtaren, sigurisht nëse do t'i jepet pasaporta shqiptare. Abraham Aleçenu falënderon Zotin për suksesin personal, por thekson gjithashtu se ka punuar shumë për t'iu gëzuar këtyre ditëve të suksesshme. "Në radhë të parë, duhet të falënderoj Zotin, sepse pa ndihmën e tij nuk do të arrija asgjë. Por nga ana tjetër duhet të theksoj se kam punuar shumë dhe me profesionalizëm për të qenë këtu ku jam," - është shprehur nigeriani. Ka luajtur më parë me Gramozin e Ersekës, Apoloninë, Elbasanin dhe Dinamon, si dhe me Tiranën dy sezone më parë, duke u renditur gjithmonë mes më të mirëve. Abraham thekson se nuk do të ndalet duke fituar, sepse edhe këtë radhë do të shpallet kampion me Tiranën, për herë dytë me të njëjtën bluzë. "Suksesi im nuk mbaron këtu. Jam i bindur se edhe këtë herë do të shpallem kampion i vendit. Tirana është skuadra më e mirë në vend dhe ka të gjitha mundësitë ta fitojë kampionatin. Për mua do të ishte titulli i dytë me të njëjtën bluzë,"- ka shtuar mbrojtësi bardheblu i krahut të majtë. Ndërsa për sa i përket kombëtares dhe interesimit të mundshëm të Ari Hanit, Abrahami nuk ka dashur të japë shumë komente: "Nuk kam asgjë për të thënë për këtë çështje. Për momentin mendoj vetëm për Tiranën, për të fituar sa më shumë me bluzën bardheblu."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›